Hetuesi i Akuzave të Dick Marty-t Po Qëndron në Kosovë

Presidentja Jahjaga tha se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara të bashkëpunojnë me SITF-në  në periudhën në vijim për të forcuar rendin dhe ligjin dhe për të përmbushur obligimet ndaj drejtësisë ndërkombëtare dhe vendore.

Williamson e ka falënderuar presidenten Jahjaga për përkrahjen e saj dhënë Task Forcës për Hetime Speciale.

Kjo Task Forcë është themeluar në vitin 2011, pasi Këshilli i Evropës miratoi raportin e Dick Martyt, në të cilin ai akuzonte drejtues të UÇK-së se kanë bërë trafikim organesh të njerëzve.

Gjatë ditës prokurori i STIF-së  ka pasur një takim të përbashkët me ministrin e Drejtësisë, Hajredin Kuçin, ministrin e Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepin dhe me ministrin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çekun.

Të pranishmit diskutuan për çështje rreth funksionimit të Task Forcës dhe bashkëpunimit të ndërsjellë me organet e drejtësisë në Kosovë.

Williamson deri në mesditë nuk është raportuar se është takuar me kryeministrin në largim Hashim Thaçin, ashtu siç ishte paralajmëruar në disa media.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut ka reaguar ndaj raportimeve në disa media rreth arsyeve të ardhjes së prokurorit Williamson në Kosovë.

Sipas KMDLNj-së , spekulimet se për çfarë arsye Williamson e viziton Kosovën dhe pse takohet me kryeministrin në detyrë pikërisht në këtë kohë po marrin formën e një “fushate politike e drejtuar kundër personave të caktuar të një subjekti politik e që është PDK-ja”.

“Të gjitha informatat që rrjedhin “nga burime të sigurta” janë të pabaza, jo të besueshme dhe shkaktojnë huti në opinion me qëllim të linçimit publik të personave të caktuar, me emra të të cilëve manipulohet opinioni”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.