Sabit Geci i "Grupit Drenica" Mund të Kurohet në QKUK

Gjyqtari Darius Silicki aprovoi kërkesën e avokatit Haxhi Millaku për trajtimin shëndetësor të klientit të tij Sabit Gecit në QKUK.

Sabit Geci, njëri nga të akuzuarit për krime lufte nga “Grupi i Drenicës” ngarkohet për vrasjen e Ivan Bullatoviqit, komandantit të stacionit policor në Gllogoc në vitin 1998.

Gjatë seancës fjalën hyrëse e paraqiti edhe Mexhit Syla, mbrojtësi i Jahir Demakut.

Edhe Syla kritikoi aktakuzën.

“Prokuroria në aktakuzë nuk i përmban standardet e parapara me nenin 241 të kodit penal. Nuk mund të vërtetohet koha e kryerjes së veprës penale, vendi i kryerjes së këtij krimi të supozuar, gjithashtu edhe mjeti i kryerjes së veprës penale”, tha Syla.

Jahir Demaku akuzohet për rrahje të Dëshmitarit A.

Seanca do të vazhdojë të premten.

14:09

Në gjykimin e “Grupit të Drenicës” po jepet fjala hyrëse e avokatëve mbrojtës.

Tahir Rrecaj, mbrojtës i Sahit Jasharit tha se prokurori Cezary Michalczuk ka përmendur vetëm provat që shkojnë në dobi të prokurorisë. Sahit Jashari, sikurse Sabit Geci akuzohet për vrasjen e shefit të stacionit Policor të Gllogovcit.

“Prokurori i shtetit ka vlerësuar provat gabimisht, si në aktakuzë, ashtu edhe në fjalën hyrëse, duke u marrë me to në mënyrë të njëanshme. Klienti im akuzohet për vrasjen e Ivan Bullatoviqit dhe nuk e ka pasur parasysh faktin se trupi i tij nuk është gjetur dhe në listën e Kryqit të Kuq ky person figuron si i zhdukur”, tha Rrecaj.

13:09

Aktualisht është dhënë pauza e drekës në gjykimin e “Grupit Drenica”.

Gjatë seancës, Haxhi Millaku, avokati i të akuzuarit Sabit Geci kontestoi fajësinë e klientit të tij.

 “Vrasja e Ivan Bulatoviqit për të cilën akuzohet klienti im bashkë me Sahit Jasharin dhe disa ushtarë të paidentifikuar ende, ka ndodhur në qershor të vitit ‘98 dhe se ka dëshmi të shumta që klienti im ka qenë në trajtim në spital ushtarak”, tha Millaku.

Disa ushtarë të UÇK-së patën kapur në trenin Prishtinë-Pejë Bullatoviqin, komandantin e stacionit policor të Gllogovcit, ndërsa pastaj sipas aktakuzës ai është vrarë me motosharrë.

Edhe avokati i Sylejman Selimit, Tomë Gashi kontestoi aktakuzën.

“Asnjë akuzë nuk mund të shkojë përtej dyshimit të bazuar për shkak se si në rastin e parë klienti im do të dalë i pafajshëm”, tha Gashi.

Sylejman Selimi i akuzuar për keqtrajtimin e dëshmitareve A dhe B në një rast tjetër që lidhej me “Grupin e Drenicës”, u shpall i pafajshëm më 29 maj.

Seanca pritet të vazhdojë me fjalën përfundimtare të prokurorit Cezary Michalczuk.

11:56

Ingo Risch avokati i Sami Lushtakut njërit nga të akuzuarit për krime lufte në rastin e “Grupit të Drenicës” kërkoi që seanca në Mitrovicën Veriore të jetë e mbyllur për publikun dhe mediet.

Ai u arsyetua me faktin se në seancë do të diskutohet për gjendjen shëndetësore të klientit të tij, prandaj nuk dëshiron që ajo të merret vesh edhe nga personat e paautorizuar.

Pas tërheqjes për të vendosur se çfarë seance të jetë, trupi gjykues i kryesuar nga Darius Silicki bëri të ditur se seanca do të jetë e hapur.

Kjo seancë nisi me 40 minuta vonesë, pasi i akuzuari Jahir Demaku nuk u soll me kohë nga Qendra e Paraburgimit në Prishtinë, ku po mbahet aktualisht.

Kjo gjë shtyri gjyqtarin Silicki që të urdhërojë që edhe Demaku të mbahet në burgun e Dubravës, si të akuzuarit tjerë.

“Grupin e Drenicës” gjykata e EULEX-it kishte marrë vendim për ta transferuar në Qendrën e Paraburgimit të Mitrovicës Veriore, por  tre nga të akuzuarit: Sami Lushtaku, Sahit Jashari dhe Ismet Haxha që po trajtoheshin në QKUK, refuzuan të shkojnë në veri më 20 maj.

Dy ditë më vonë gjykata vendosi që ata të rrinë të paraburgosur në burgun e Dubravës.

Seanca është duke vazhduar.