Problemet Teknike Lënë Mërgimtarë pa Votuar

Hera e parë që Malsor Berisha provoi të regjistrohet në listën e votuesve të Kosovës  rezultoi pa sukses.
Duke iu përgjigjur thirrjeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për regjistrimin e votuesve të diasporës, Berisha kishte plotësuar formularin, kishte skanuar pasaportën dhe e kishte dërguar në adresën elektronike të shënuar.

Por pak momente më vonë, atij i është kthyer një e-mail që i konfirmon se formulari i tij nuk ka shkuar në adresën ku është nisur. Arsyeja është se, sipas tij, kutia e adresës elektronike (inbox-it) të KQZ-së ishte mbushur në kapacitet të plotë dhe nuk pranonte më formularë të tjerë.

Malsori ndjehet i zhgënjyer që nuk ka mundur të regjistrohet për të votuar përfaqësuesit nga të cilët pret përkujdesje më të madhe për të dhe anëtarët tjerë të diasporës kosovare.

Ai fajëson KQZ-në që nuk iu bë e mundur të votojë.

“Përgjegjëse e vetme pse nuk kam mundur të regjistrohem është KQZ-ja, dhe ata që i organizuan zgjedhjet për një periudhë të shpejtë”, tha Malsor Berisha për Gazetën Jeta në Kosovë.

“Kjo është hera e parë që kam aplikuar dhe shpresoj që herëve tjera të mos më përsëritet ky problem”, u shpreh ai, pasi kishte humbur çdo shpresë për ta pasur emrin në listën e votuesve për zgjedhjet e 8 qershorit.

Enis Halimi, kryeshef ekzekutiv i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (SKQZ) tha për Gazetën Jeta në Kosovë  se ky institucion i ka proceduar të gjitha aplikacionet që kanë ardhur përmes postës elektronike deri në afatin e përcaktuar për aplikim.

Shifrat e KQZ-së thonë se shumica e votuesve jashtë Kosovës janë regjistruar në Serbi.

Në zgjedhjet e 8 qershorit do të kenë të drejtë vote 12.910 votues që jetojnë në Serbi.

Në përgjithësi KQZ-ja ka pranuar 29.199 aplikacione për votim jashtë Kosovës, ndërsa pas shqyrtimit, vetëm 16.270 janë shpallur të vlefshme. Pjesa tjetër prej 12.929 aplikacioneve janë hedhur poshtë.

Sa i përket numrit të aplikacioneve nga diaspora, Zvicra prin me 1.169 aplikacione, Gjermania me 1.122, Austria me 221, Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 115, Suedia me 99, Anglia me 94, Franca me 65, Mali i Zi me 65, Italia me 59 dhe Belgjika me 55.

Për t’u regjistruar në listën e votuesve, kosovarët që jetojnë jashtë vendit kanë pasur gjashtë ditë kohë, prej 13 deri më 19 maj.

Në e-mailin të cilin Malsor Berisha e ka dërguar në KQZ, shihet se ai ka provuar ta dërgojë atë më 19 maj, në orën 23:44, pra 16 minuta para skadimit të afatit ligjor.

Por atij menjëherë i është kthyer një e-mail i cili konfirmon se aplikacioni nuk ka shkuar në destinacion.

E njëjta i ka ndodhur edhe Kastriot Domajt, i cili gjithashtu banon në Finlandë, por që ka dashur që të aplikojë për regjistrim në listën e votuesve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Kosovës.

“Unë së bashku me disa shokë kemi vendosur që të marrim pjesë në zgjedhjet që do të mbahen dhe kemi dërguar aplikacionet për votim në adresën e KQZ-së mirëpo që të gjithëve na është kthyer një e-mail që tregon se mailbox-i i tyre është ‘full’ dhe nuk mund të pranojë mesazhe”, tha Kastriot Domaj për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ai ka dëshmuar se e-maili i tij është  dërguar 11 minuta para se të skadojë afati i caktuar për pranimin e aplikacioneve.

“Unë e kam dërguar aplikacionin tim brenda afatit të përcaktuar nga KQZ-ja”, u shpreh 33 vjeçari Domaj, i lindur në Pejë, por i emigruar në Finlandë.

I njëjti problem e kishte përcjellë edhe Bleta Qerkinin, gjithashtu me banim ne Finlandë.

Enis Halimi nga SKQZ-ja thotë se stafi i këtij institucioni vazhdimisht e ka pastruar inbox-in e adresës në të cilën janë dërguar aplikacionet, por pranon se fluksi i tyre ka qenë shumë i madh.

“Ne në Sekretariat i kemi proceduar të gjitha aplikacionet që kanë ardhur”, thotë ai.

Halimi nuk ka mundur të thotë se çfarë kapaciteti ka inbox-i i adresës në të cilën mërgimtarët është dashur t’i dërgojnë aplikacionet e tyre.

“Është pyetje shumë teknike, nuk e di”, tha ai.

“Ne vazhdimisht e kemi pastruar inbox-in e adresës tonë elektronike. Ato aplikacione që kanë aplikuar brenda afatit, ne i kemi shqyrtuar. Secili e-mail që ka ardhur tregon kohën e saktë kur është pranuar te ne”, tha kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së.

Për ata që kanë pasur sukses në dërgimin e aplikacioneve, afati i dërgimit të fletëvotimit në KQZ është  6 qershori.