Gjykata Ndryshon Vendimin për Grupin Drenica (TV)

(E plotësuar)

Seanca e sotme dëgjimore ndaj të akuzuarve në rastin e “Grupit të Drenicës” është mbyllur me leximin e aktakuzës për katër të pandehurit.

Seanca pritet të vazhdojë nesër në orën 9:30.

15:55

Trupi gjykues ka vendosur që ta ndajë lëndën ndaj tre të akuzuarve Sami Lushtakut, Sahit Jasharit dhe Ismet Haxhës, të cilët janë në arrati që nga e marta. Gjykatësi Darius Sielitzcki ka thënë se trupi gjykues nuk ka arsye që të besojë se për sa kohë munden ata të vijnë dhe të mos i vonojnë të tjerët.

“Këta të akuzuar që janë prezentë kanë treguar respekt për sistemin e drejtësisë së Kosovës, ndërsa të tjerët ka treguar mosrespekt me mosparaqitjen e tyre në seancë”, tha Sielitzcki.

Të pranishëm në seancën e sotme kanë qenë katër të akuzuarit nga “Grupi i Drenicës”: Sabit Geci, Sylejman Selimi, Avni Zabiti dhe Jahir Demaku.

15:43

Pjesëtarë të Policisë së Kosovës para pak çastesh kanë hyrë brenda Repartit të Kardiologjisë në QKUK.

Siç raporton gazetari i Gazetës jeta në Kosovë, policët mund të kenë hyrë për të biseduar me të akuzuarit Sami Lushtaku, Sahit Jashari dhe ismet Haxha, vendndodhja e të cilëve ka qenë e paqartë që nga e marta.

Ndërsa veteranët që kanë protestuar sot janë larguar, para këtij reparti vazhdojnë të qëndrojnë ende familjarë të Sami Lushtakut, Sahit Jasharit dhe Ismet Haxhës.

Mërgim Lushtaku, djali i Sami Lushtakut, tha se familjarët do ta pranonin zhvendosjen e të akuzuarve në Burgun e Dubravës, por me kusht që atyre t’u ofrohet trajtim i duhur mjekësor.

“Ne e respektojmë vendimin për ta çuar në Dubravë. Ne edhe kështu nëse ka vendim për me shku në paraburgim në Dubravë, do të shkojnë. Normalisht me mjekimet e duhura që ka nevojë edhe ai (Sami Lushtaku) dhe të tjerët që janë të shtruar në spital. Për në Dubravë ne kemi pranuar që nga fillimi”, tha Mërgim Lushtaku.

15:11

Protesta e nisur sot në mëngjes në ambientet e QKUK-së, është ndërprerë pas orës 14:00.

Organizatori i kësaj proteste, kryetari i OVL të UÇK-së, Smajl Elezaj, ka thënë se arsye e ndërprerjes së protestës është fakti që pjesëmarrësit në të kanë ardhur nga qytetet e largëta.

Ndonëse raportimet nga seanca dëgjimore ndaj “Grupit të Drenicës” thonë se gjykata ka vendosur që të akuzuarit të dërgohen në Burgun e Dubravës, Elezaj u shpreh të mos jetë në dijeni për ndryshim të vendimit.

“Vendimi nuk është ndërru në bazë të informacioneve që kemi. Jemi duke përcjellë situatën dhe do u njoftojmë për veprimet tjera”, ka thënë ai.

“Veteranët kanë ardhur nga komunat e largëta dhe duam të lirohen për sot”, u shpreh ai.

Kreu i veteranëve të UÇK-së tha se sipas informatave që ka nga familjarët, Sami Lushtaku, Sahit Jashari dhe Ismet Haxha janë duke qëndruar në QKUK.

“Sipas informative që i kemi, ata nuk janë arratisur por qëndrojnë këtu”, tha Elezaj.

13:25

Gazetari i Gazetës Jeta në Kosovë nga seanca ndaj “Grupit të Drenicës” e cila po mbahet në objektin e Gjykatës në Mitrovicën e Veriut, raporton se gjykata ka lëshuar fletarrest për të arratisurit Sami Lushtaku, Sahit Jashari dhe Ismet Haxha me të cilin kërkon dërgimin e tyre në Burgun e Dubravës.

Pas këtij zhvillimi, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së njoftoi me anë të një komunikate se ka ndërprerë protestën në oborrin e QKUK-së.

“OVL të UÇK-së ka përmbyllur protestën për sot, por do të vazhdojë të jetë në përcjellje të situatës dhe do të ju njoftojë me kohë për veprimet e mëtutjeshme”, thuhet në komunikatë.

13:23

Gazetari i Gazetës Jeta në Kosovë raporton nga gjykata në Mitrovicën e Veriut se kryetari i trupit gjykues ka vendosur për një pauzë në mënyrë që anëtarët e këtij trupi të marrin një vendim rreth masës së paraburgimit për të akuzuarit e “Grupit të Drenicës”.

Seanca ndaj të akuzuarve që e përbëjnë këtë grup ka filluar sot paradite, por në të janë paraqitur vetëm katër të akuzuar, ndërsa tre të tjerë konsiderohen në arrati.

Tahir Rrecaj dhe Mexhit Syla, avokatë mbrojtës të të akuzuarve, kanë kërkuar që të ndryshohet lokacioni i mbajtjes së seancave gjyqësore, pasi që familjarët e tyre nuk kanë siguri që të vijnë në Mitrovicën e Veriut për t’i ndjekur ato. Por kryetari i trupit gjykues ka refuzuar këtë kërkesë duke thënë se “kjo gjykatë i përmbush të gjitha kushtet e sigurisë”.

Ndërsa prokurori i rastit ka kërkuar që ndaj të arratisurve Sami Lushtaku, Sahit Jashari dhe Ismet Haxha të lëshohet fletëarrest, gjë të cilën e kanë kundërshtuar avokatët.

“Nuk është se nuk kanë dashtë me ardhë prej vullnetit të tyre. Klientët tanë janë të sëmurë dhe janë në QKUK”, ka thënë Tahir Rrecaj.

Ndërsa në Prishtinë, pak pas orës 12:00, turmës së protestuesve të mbledhur në ambientet e QKUK-së I është drejtuar Smajl Elezaj, Kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës të UÇK-së.

Elezaj ka thënë se protestuesit do të qëndrojnë në këto ambiente deri në ndryshimin e vendimit nga ana e gjykatës për transferimin e të akuzuarve në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicën e Veriut.

“Jemi në pritje të një vendimi pozitiv nga gjykata. Shpresojmë se do të bëhet mirë, por ende nuk e dimë”, tha Elezaj.

“Pa u siguruar se vendimi është ndryshuar dhe që të mos ketë transferim atje (në Mitrovicën e Veriut), ne do të qëndrojmë këtu. Sa do të qëndrojmë ne këtu nuk e dimë as ne. Kjo varet nga vendimi”, u shpreh ai.

Të njëjtin qëndrim e ka mbajtur edhe Mërgim Lushtaku, i biri i Sami Lushtakut.

“Kërkesa jonë është e qartë. Ne kemi me qëndru këtu deri sa të ndryshojë një vendim i cili është arbitrar”, tha Mërgim Lushtaku.

12:05

Gazetari i Gazetës Jeta në Kosovë raporton se turma është grumbulluar para dyerve të Klinikës së Kardiologjisë, ku kanë qëndruar të akuzuarit për krime lufte, sapo ka parë afrimin e dy policëve. Policët nuk kanë tentuar të hyjnë. 

Në ndërkohë po vazhdon seanca në pjesën veriore të Mitrovicës. Gazetari i Jetës në Kosovë atje, raporton se prokurori ka kërkuar sjelljen e të burgosurve nga QKUK-ja, ndërsa mbrojtja po e kundërshton këtë gjë, me arsyetimin se të akuzuarit atje janë duke u kuruar. 

Djali i Sami Lushtakut, Mërgimi, më herët gjatë ditës tha se nga njerëzit që qëndrojnë në QKUK do të pengohet marrja me dhunë e Sami Lushtakut, Sahit Jasharit dhe Ismet Haxhës, teksa OVL-ja e UÇK-së mbajti protestë te spitalet në Prishtinë, në mëngjes. 

Zëdhënësi i EULEX-it Blerim Krasniqi i tha Gazetës Jeta në Kosovë se vetëm katër pjesëtarë të “Grupit Drenica” janë në seancë. 

“Krejt çka mund të them tani është se katër nga të pandehurit e ‘Grupit Drenica’ janë në seancë. Në seancë janë ata që nuk kanë qenë në spital”, tha Krasniqi. 

Mediat raportojnë se në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë të ndaluarit kanë nisur grevë me qëllim që të solidarizohen me kërkesën e të pandehurve të “Grupit Drenica” për të mos u transferuar në veri. 

Shemsi Hajrizi, drejtor i Shërbimit Korrektues të Kosovës konfirmoi grevën. 

“35 të burgosur të rëndomtë që gjenden në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë janë solidarizuar që ‘Grupi Drenica” të mos transferohet”, tha Hajrizi për Gazetën Jeta në Kosovë. 

Ai tha se në mesin e atyre që kanë hyrë në grevë nuk ka të akuzuar nga “Grupi Drenica”. 

Hajrizi tregoi se Shërbimi Korrektues mund të veprojë vetëm në hapësirat e brendshme të burgjeve. 

“Shërbimi Korrektues nuk mund të ndërmarrë asgjë në terren të hapur”, shpjegoi Hajrizi.