EULEX: “Grupi i Drenicës” Nesër Para Gjyqit (TV)

EULEX ka përgënjeshtruar raportimet se gjykatësi ndërkombëtar ka tërhequr vendimin e tij për transferimin e të paraburgosurve të “Grupit të Drenicës” në qendrën e paraburgimit në Mitrovicë të Veriut.

Gazetari i Gazetës Jeta në Kosovë raporton se aktualisht në QKUK ka ardhur një ekip i EULEX-it, i cili po bisedon me zyrtarë të Policisë së Kosovës. Nuk është raportuar se për çfarë kanë diskutuar ata.

<iframe width=”560″ height=”315″ src=”//www.youtube.com/embed/tQJQckRqLnk” frameborder=”0″ allowfullscreen></iframe>

Zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi, ka thënë për Jeta në Kosovë se vendimi i mëparshëm ende mbetet në fuqi, duke treguar se nesër paradite të akuzuarit që përbëjnë këtë grup do të dalin në seancë gjyqësore në Gjykatën Themelore të Mitrovicës.

“Vendimet e gjyqtarit të EULEX-it mbeten në fuqi dhe nesër në orën 09:30 do të fillojë gjykimi ndaj të akuzuarve në Gjykatën Themelore në Mitrovicë”, tha zëdhënësi Blerim Krasniqi.

Ndërkohë që mbizotërojnë paqartësitë rreth arratisjes së djeshme të Sami Lushtakut, Sahit Jasharit dhe Ismet Haxhës, bashkëluftëtarët e tyre të mbledhur në Organizatën e Veteranëve të Luftës kanë paralajmëruar për ditën e nesërme një protestë në orën 7 të mëngjesit në QKUK.

“Duke konsideruar se ky vendim i Gjykatës Themelore të Mitrovicës e kanos sigurinë e Republikës së Kosovës në përgjithësi dhe rrezikon jetën e bashkëluftëtarëve tanë në veçanti, ne u bëjmë thirrje të gjithë mekanizmave vendorë e ndërkombëtarë në Kosovë që të ndikojnë në anulimin e këtij vendimi”, thuhet në thirrjen për protestë të bërë nga kryetari i OVL të UÇK-së, Smajl Elezaj.

Ndërsa Ministria e Drejtësisë, në një deklaratë me shkrim ka thënë se rasti i “Grupit të Drenicës”, duke qenë lëndë që ka të bëjë me akuzat për krime të luftës,  është në përgjegjësi të EULEX-it.

“Theksojmë se çështja e paraburgimit dhe çështjet tjera lidhur me procedurat penale janë kompetencë e institucioneve të pavarura si prokurorisë dhe gjykatave”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Drejtësisë.