EULEX-i Ngre Aktakuzë për Vrasjen e Enver Zymberit

EULEX-i po akuzon dy persona për vrasjen e policit kosovar Enver Zymberi. Këtë e ka njoftuar nëpërmjet një komunikate të hënën Misioni Evropian për Sundim të Ligjit.

“Një prokuror ndërkombëtar nga Task-Forca e Mitrovicës dhe një prokuror vendas nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës, më 8 maj 2014 e kanë ngritur një aktakuzë kundër dy të pandehurve, për sulmin që ishte kryer kundër autokolonës së automjeteve të Policisë së Kosovës (PK)”, thotë EULEX-i.

Atëherë më 25 korrik 2011 persona të panjohur kishin qëlluar në drejtim të policëve kosovarë që kishin marrë urdhër për të kthyer nën kontroll pikat kufitare Jarinje dhe Brnjak, duke qëlluar për vdekje Enver Zymberin.

Për këtë rast në prill Policia e EULEX-it arrestoi një të dyshuar për vrasjen e policit-Radovan Radiqin.

“I dyshuari i arrestuar është dërguar në bazën e EULEX-it në Mitrovicë për marrje të mëtejshme në pyetje. Urdhër-arresti është lëshuar nga UNMIK-u më 2011”, bëri të ditur atëherë EULEX-i.

Avokati i Radiqit Nebojsha Vllajiq i tha Gazetës Jeta në Kosovë se ende nuk e ka marrë aktakuzën, prandaj nuk mund ta komentojë atë.

“Unë e mbroj në dy raste Radovan Radiqin. Njëri nga ta lidhet me dyshimin për vrasjen e Enver Zymberit. Nuk e kam pranuar aktakuzën, prandaj nuk mund ta komentoj atë”, tha Vllajiq. 

Dy të pandehurit akuzohen për veprat penale: vrasje e rëndë, tentim i vrasjes së rëndë, mbajtje në pronësi, kontroll, posedim ose përdorim të paautorizuar të armëve, pengim i personave zyrtarë në kryerjen e detyrës zyrtare, rrezikim i trafikut me veprime ose mjete të rrezikshme, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe pjesëmarrje në një turmë që kryen vepër penale.

Prokuroria e Mitrovicës në tetorin e vitit 2011 nëpërmjet UNMIK-ut lëshoi fletarrest ndërkombëtar për Ratomir Bozoviqin, Radovan Radiqin, Millovan Vllaskoviqin, Sllobodan Vuçiniqin, Dushan Jovanoviqin dhe Radisa Vuçiniqin, të dyshuar për këët vrasje.

Radisa Vuçiniq u arrestua në vitin 2012 për të liruar menjëherë pas intervistimit.

Enver Zymberi vdiq nga plagët e marra më 26 korrik 2011.

Një ditë më vonë, më 27 korrik, presidentja Jahjaga dekoroi policin e vrarë në detyrë me Urdhrin “Hero i Kosovës”.