Minoritetet Pro Tribunalit e me Rezerva për FAK-në

Nenad Rashiq, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale në qeverinë “Thaçi 2”, i cili deri vonë ka qenë pjesë e SLS-së, e cila i ka katër deputetë në Kuvend, por tash ka themeluar Partinë Progresiste Demokratike (PPD), i tha Gazetës Jeta në Kosovë se do ta votojnë themelimin e Tribunalit dhe vazhdimin e mandatit të EULEX-it. Sipas tij, kjo i kontribuon vetë shtetit të Kosovës.

“Sa i përket Tribunalit dhe EULEX-it, nuk ka dyshim se kjo shkon në favor të Kosovës dhe ne do të votojmë ‘pro’”, tha ai.

Por Rashiq shprehet skeptik nëse do ta votojë shndërrimin e FSK-së në FAK, pa ua siguruar vendet e rezervuara.

“Vendet e rezervuara siç duket nuk po merren parasysh, kështu që, sa i përket votimit për FAK-un, nuk jam optimist se do ta votojmë në Kuvend”, i tha Nenad Rashiq Gazetës ”Jeta në Kosovë”.

Sipas tij, vendet e rezervuara janë minimumi i kërkesave që ata kanë si komunitet pakicë në Kuvend.

Mahir Yagcilar nga Partia Demokratike Turke e Kosovës (KDTP), i cili është edhe ministër në Ministrinë e Administratës Publike (MAP), e cila i ka tre deputetë në Kuvend, thotë se votimin e Tribunalit dhe mandatit të EULEX-it do ta koordinojnë me partitë e mëdha.

“Këto çështje duhet t’i harmonizojmë së pari me partitë e mëdha dhe nëse janë të gatshme partitë e mëdha që këto çështje të realizohen, atëherë edhe ne jemi me shumicën e deputetëve”, tha Yagcilar për gazetën.

Sa i përket votimit për FAK-un, ai tha se nuk kanë ndonjë kusht për vendet e rezervuara, por la të kuptohet se do të veprojnë në të mirën e Kosovës, por edhe të komunitetit që e përfaqëson.

“Nuk ekziston ndonjë kusht. Ne jeni që të bisedojmë dhe çështjet t’i bëjmë të përbashkëta dhe çka është në interes të Kosovës, por edhe në interes të komunitetit. Besoj se kjo çështje duhet të bisedohet edhe në qeveri edhe në Parlament. Duhet ta degjojmë njëri-tjetrin”, shtoi ai.

Sa u përket vendeve të rezervuara për komunitetet pakicë, pjesa më e madhe e partive politike konsiderojnë se nuk duhet të ketë vende të rezervuara.

Arben Gashi nga Grupi Parlamentar i LDK-së, thotë se LDK-ja vazhdon ta mbrojë qëndrimin se nuk duhet të ketë vende të rezervuara për komunitetet pakicë.

“LDK-ja vazhdon ta mbrojë qëndrimin se nuk duhet të ketë vende të rezervuara për komunitetet pakicë në Kosovë”, tha Gashi për Gazetën Jeta në Kosovë.

Rexhep Selimi nga Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes, po ashtu konsideron se nuk duhet t’u vazhdohen vendet e rezervuara pakicave.

“Ne jemi për demokracinë dhe demokracia nuk nënkupton që duhet të ketë vende të rezervuara, për shkak se vendet e rezervuara për serbët deri më tani kanë qenë jodemokratike. Ne jemi  por mosvazhdimin e tyre”, tha Selimi.

Zëvendëskryeministri, njëherësh nënkryetar i PDK-së, Hajredin Kuçi, i pyetur nga Gazeta Jeta në Kosovë për vendet e rezervuara nuk na dha përgjigje, duke sugjeruar që ta kontaktojmë shefin e Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovcin, prej të cilit ka qenë e pamundur të merret një përgjigje e tillë.

Driton Selmanaj nga KDI-ja i tha Gazetës Jeta në Kosovë se beson që pakicat në Kuvend nuk do të ngulin këmbë që për votimin e FAK-ut të kompensohen me vendet e rezervuara.

“Nuk e besoj se kjo mund të ndodhë që minoritetet të ngulin këmbë që vetëm nëse ua sigurojnë vendet e rezervuara do ta votojnë FAK-un”, tha Selmanaj.

Me Planin e Ahtisaarit të integruar në Kushtetutën e Kosovës, komunitetet kanë vende të rezervuara në Kuvend për dy mandate. Ky diskriminim pozitiv përfundon me këtë legjislaturë parlamentare.