Gjykata Thotë se Në Gjakovë Nuk Kishte Krim të Organizuar

Njëzet e katër të akuzuarit për krim të organizuar, trafikim me njerëz me qëllim të prostitucionit dhe falsifikim me dokumente dolën para Gjykatës Themelore të Gjakovës të  martën për ta dëgjuar verdiktin ndaj tyre.

Trupi gjykues i udhëhequr nga gjyqtari Gëzim Pozhegu, solli vendim sipas të cilit, të akuzuarit nuk kishin kryer krim te organizuar, por disa nga ta kishin kryer vepra tjera si: mundësim prostitucioni, falsifikim me dokumente dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Të akuzuarit Remzi Thaçi, Hajdar Thaçi, Mentor Nikaj, Bibë Doqaj, Asllan Uka, Albert Berisha, Enis Thaçi, Zenel Rudi, Lulzim Thaçi, Kujtim Dula, Dëfrim Rifaj, Liridon Dula, Lekë Dushaj, Pashk Laki, Pjetër Kola, Fisnik Qyska, Adem Kçiku, Arsim Halimi, Faton Berisha, Maxhun Bajramaj, Bekim Tafaj, Afrim Latifaj, Arton Shehaj dhe Sadik Koci, akuzoheshin nga Prokuroria Speciale e Kosovës  se nga muaji qershor i vitit 2010 e deri më 7 gusht, duke vepruar si pjesë e grupit kriminal të organizuar dhe te strukturuar, me qëllim që vetes t’i sjellin përfitime financiare në bashkëpunim me njëri- tjetrin, kanë kryer veprën e trafikimit me njerëz, me qëllim të prostitucionit dhe falsifikim me dokumente.

Remzi Thaçi, Albert Berisha, Hajdar Thaçi, Asllan Uka, Lulzim Thaçi dhe Bibë Doqi u shpallën fajtor për veprën penale, mundësim prostitucioni dhe u dënuan me nga dy vjet burg.

Për të njëjtën vepër Enis Thaçi dhe Zenel Rudi u dënuan me nga një vit e katër muaj burg.

I akuzuari Mentor Nikaj u shpall fajtor për mundësim prostitucioni dhe falsifikim dokumenti dhe u dënua me dy  vjet e gjashtë muaj burgim.

Ndaj Nikajt u refuzua akuza për armëmbajtje pa lejë, ndërsa ndaj tij dhe Lekë Dushajt u refuzua akuza për kontrabandim me emigrantë. Nga akuza për armëmbajtje pa leje është liruar edhe Remzi Thaçi.

Kujtim Dula dhe Defrim Rifaj u shpallën fajtorë për shpërdorim te detyrës zyrtare dhe u dënuan me te holla në shumën prej 3.000 eurosh. Me të njëjtën shumë u dënua edhe Pashk Lasku për veprën keqpërdorim i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar.
 
Adem Kçiku, Arsim Halimi, Pjetër Kola dhe Fisnik Qyska u dënuan po ashtu me nga 300 euro për falsifikim të dokumentit.

Ndërsa për të akuzuarit Bekim Tafaj, Liridon Dula, Sadik Koci dhe Artan Shehu gjykata solli aktgjykim lirues.

Të gjithë të dënuarit, si ata që u dënuan me burg, dhe ata që u dënuan me të holla u shprehën të pakënaqur me ketë vendim.