Thaçi: Kuvendi- Opsioni i Vetëm për Tribunalin

Kryeministri Hashim Thaçi, pak para se çështja e tribunalit të dalë për diskutim e votim para deputetëve të Kuvendit, tha fjalët e tij për gjykatën speciale që pritet të themelohet, ndërsa do të hetojë krimet e pretenduara të UÇK-së dhe akuzat e Dick Martyt të bëra publike në raportin e tij para Këshillit të Evropës në vitin 2010.

Qëndrimin për tribunalin ai e bëri të ditur të enjten në një prononcim për media pas vizitës së tij në Fabrikën e barnave “Tre Pharm”.

“Kurdo që e procedon Kryesia e Kuvendit, partitë politike do të jenë prezente në Kuvend dhe do të shqyrtohen të gjitha mundësitë që t’i japim një përgjigje adekuate dhe meritore dhe të përgjegjshme në raport me shtetin dhe interesat e qytetarëve, në bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian”, tha Thaçi.

Zyrtari për informim i Kuvendit të Kosovës Sherif Konjufca i tha Gazetës Jeta në Kosovë se nesër mund të mbahet mbledhja e Kryesisë ku mund të diskutohet për tribunalin.

“Na kanë thënë se nesër Kryesia do të mbajë mbledhje lidhur me tribunalin. Deri më tani nuk na ka ardhur ende asgjë më shkrim”, tha Konjufca.

I pari i ekzekutivit nxjerrjen në Kuvend të gjykatës e cilësoi opsionin e vetëm.

“Mes dy opsioneve, tani ka mbetur një opsion. Edhe pse kjo çështje është plotësisht e padrejtë dhe fyerje për shtetin e Kosovës, Kuvendi i Kosovës duhet ta marrë vendimin”, tha Thaçi.

Ai shtoi se lidhur për tribunalin është takuar dhe ka biseduar me spektrin politik kosovar dhe partnerët ndërkombëtarë.

Të mërkurën liderët e vendit u takuan me ambasadoren amerikane Jacobson, ndërsa më 11 prill presidentja Jahjaga u takua me shumicën e kryetarëve të partive politike.

Edhe anëtarët e Kryesisë së Kuvendit të hënën pas mbledhjes thanë se lidhur me themelimin e tribunalit janë vetëm dy opsione.

“Gjykatën që pritet të hetojë krimet e pretenduara të UÇK-së dhe akuzat e Dick Martyt të Këshillit të Evropës nga viti 2010, ose duhet ta themelojë Kuvendi i Kosovës, ose Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, tha Ismet Beqiri.

Ardian Gjini i AAK-së pas kësaj mbledhjeje tha se tribunalin dëshirojnë ta themelojnë në Kuvend jo për ndonjë individ të caktuar për për Kosovën, edhe pse nuk ishte i sigurt nëse ky tribunal është në të mirë të vendit

Kundër themelimit të tribunalit është vetëm Lëvizja Vetëvendosje.

“Do të duhej të ndodhte koordinimi i të gjitha subjekteve politike në Kosovë për t’ia thënë një jo të fuqishme, një kundërshtim të koordinuar i gjithë spektri politik kundër krijimit të kësaj gjykate speciale”, tha Konjufca të hënën.