Gardianët e Akuzuar Kërkojnë Dëshminë e Ish-Ministrit

Në Departamentin e Përgjithshëm  të Gjykatës Themelore të Pejës nisi të mërkurën shqyrtimi gjyqësor  kundër pesë pjesëtarëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Ata në vitin 2007 nga ish-Prokuroria e Qarkut në Pejë ishin akuzuar se në cilësinë e gardianëve në Burgun e Dubravës më 15 dhe 18 tetor të këtij viti kishin ndihmuar disa të burgosur të arratisen nga objektet e këtij burgu.

Atëherë kishin ikur nga burgu shtatë të dënuar për vepra penale të rënda, si vrasje, terrorizëm, grabitje e rrëmbim.

Të akuzuar në këtë rast janë Imer Shala, Izet Ahmetgjekaj, Driton Dakaj, Asllan Fetahaj dhe Shefqet Ahmetaj.

Katër nga këta të pandehur Gjykata e Qarkut në Pejë më 1 dhjetor 2012 i kishte dënuar me nga tre vjet burg, ndërsa Asllan Fetahajt atëherë i ishte shqiptuar dënimi prej dy vjetësh qëndrim prapa grilave.

Të pakënaqur me këtë vendim të ish-gjykatës, gardianët ishin ankuar në Gjykatën Supreme të Kosovës, e cila ktheu rastin në rigjykim.

Tash me procesin kundër tyre po merret Gjykata Themelore e Pejës. 

Të mërkurën prokurori Ardian Hajdaraj ua lexoi të pandehurve aktakuzën.

Sipas aktakuzës Imer Shala dhe Izet Ahmetgjekaj ngarkohen se më 15 gusht 2007 në orët e mbrëmjes në kopshtin e Pavijonit 1 të Burgut të Dubravës kishin futur një revole, të cilën disa të burgosur e kishin shfrytëzuar pas tre ditësh për t’u arratisur.

Driton Dakaj, Asllan Fetahaj dhe Shefqet Ahmetaj akuzohen se më 18 gusht 2008 ne orën 16:10 ua kanë mundësuar arratisjen të burgosurve Faton Hajrizi, Burim Basha, Astrit Shabani, Ramadan Shyti, Xhavit Morina dhe Lirim Jakupi nga ky pavijon i burgut.

Kur u krye leximi i aktakuzës, gjyqtari Kreshnik Radoniqi, pasi i pyeti të pandehurit nëse e kishin kuptuar se për çka ngarkoheshin, kërkoi deklarimin e secilit për fajësinë, ose pafajësinë. Të pandehurit u deklaruan të pafajshëm.

Më pas u dhanë edhe fjalët hyrëse të prokurorisë dhe mbrojtjes. 

“Gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor me administrimin e provave materiale dhe personale, kjo gjykatë do te bindet se aktakuza është e përpiluar konform ligjit dhe do te vërtetohen veprimet diskriminuese të secilit të akuzuar”, tha prokurori Ardian Hajdaraj.

Por mbrojtja e tha të kundërtën, se aktakuza është e pabazuar, duke kërkuar që ajo të hidhet poshtë.

I pandehuri i parë Imer Shala, e kërkoi dëshmitar ish-ministrin e Drejtësisë Jonuz Salihajn, që drejtoi këtë sektor në vitet 2006-2008.

“Dy javë para se të arrestohem, i njëjti më ka thënë se armën e ka shti brenda burgut nëna e të dënuarit Burim Basha”, tha Shala në gjykatë.

Për këtë rast janë edhe dy të pandehur ndaj të cilëve është ndarë procedura, pasi sipas gjyqtarit Kreshnik Radoniqi, ata të dy janë të paarritshëm për gjykatën.

Seancat e radhës kundër gardianëve janë paraparë të mbahen më 2, 3 dhe 4 qershor.