Berishaj: Publikimi i Doktoraturave Çështje Ditësh (TV)

Ushtruesi i detyrës së rektorit të UP-së, Anton Berishaj gjatë debatit “Jeta në Kosovë” tha se i ka duart e lira për të vepruar në rregullimin e shumë çështjeve që kanë të bëjnë me UP-në. Kjo sipas tij meqë nuk ka kurrfarë presioni politik.

“Unë i kam duart e lira për atë mandat, për aq sa është e paraparë me Statutin e UP-së”, tha ushtruesi i detyrës së rektorit, Anton Berishaj.  “Unë nuk kam pasur asnjë presion në përzgjedhjen e ekipit”, shtoi ai.

Por për njohësin e çështjeve arsimore, Dukagjin Pupovci, menaxhmenti i tashëm do ta ketë problem ta vë në binarë UP-në, sepse sipas tij në të ka shumëçka të rregullohet.

“Kjo strukturë menaxhuese këtë gjendje nuk mund ta përmirësojë, sepse këtu vërtet ka shumë kufizime”, tha ai. “Kjo e do një kohë më të gjatë dhe problemet emergjente janë aq të pranishme saqë vështirë që kanë me arritë deri këtu”, ka shtuar Pupovci.

Erblin Hoxha, student në Departamentin e Shkencave Politike, i cili është në përfundim të vitit të tretë, konsideron se përgjatë këtyre viteve nuk ka studiuar, por ka mësuar. Ai thotë se asgjë nuk e dallon mësimin e shkollave të mesme nga ai i studimeve në UP.

“Unë për këto tre vjet mendoj se nuk kam studiuar. Unë ende e kam mendimin se për këto tre vjet kam mësuar, ku e kam pasur një ligjërues i cili e ka mbajtur një orë dhe na e ka dhënë një libër në të cilin duhet të lexojmë dhe në fund ka ardhur një provim me 15 pyetje”, tha Erblini.

Sipërmarrësi Armend Malazogu, po ashtu pjesëmarrës në këtë debat, tha se po ka telashe për të gjetur kuadro nga UP-ja që do të mund t’i punësonte në ndërmarrjen e tij. Ai thotë se kuadrot në UP zakonisht mësojnë programe informative që tashmë janë tejkaluar dhe janë zëvendësuar me teknologji të re.

“Ne ballafaqohemi me kuadro të cilat vijnë prej teknologjive të tejkaluara deri në 10 vjet”, tha ai gjatë debatit.

Publikimi i diplomave të Masterit, Doktoratës dhe CV-ve

Ushtruesi i detyrës së  rektorit, Anton Berishaj, premtoi se publikimi i punimeve të masterit, doktoratave dhe i CV-ve i të gjithë stafit akademik në UP është çështje ditësh.

“Unë mendoj se brenda ditëve do të kompletohen”, tha Berishaj.

Ai tha se nëse dikush nga stafi akademik nuk i sjell punimet e tij, ai nuk ka mekanizma që t’i largojë nga puna, por premton se do t’i publikojë emrat e atyre që nuk i kanë sjellë.

Sipas tij, kjo është mënyra e vetme që t’u bëjë presion stafit akademik që t’i sjellin punimet.

Ulja e pagesave për studentë, ishte politike

Gjithashtu, në debat është diskutuar edhe për vendimin e fundit të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili vendosi që t’ua ulë pagesën e semestrit, banimin në konvikt dhe ushqimin në mensë studentëve.

Anton Berishaj tha se qeveria nuk ka pasur pse ta pyeste atë rreth vendimit.

“Pse është dashur të më pyes mua qeveria? Ajo e ka marrë vendimin dhe kaq”, tha Berishaj.

Mendim ndryshe ka njohësi i çështjeve arsimore, Dukagjin Pupovci, i cili thotë se qeveria është dashur gjithsesi të konsultohet me UP-në.

“Qeveria është dashur të konsultohet me UP-në, madje të konsultohet fort, sepse bëhet fjalë për fondet e UP-së”, tha Pupovci. “Vendimi i qeverisë për uljen e pagesave është politik”, ka shtuar Pupovci.

Në debatin “Jeta në Kosovë” gjithashtu mund të ndiqni edhe detaje të tjera që kanë të bëjnë me gjendjen e UP-së dhe propozimet për tejkalimin e situatës së krijuar deri më tash.

Për të gjitha këto çështje në emisionin “Jeta në Kosovë” debatojnë: U. d. i rektorit të UP-së, Anton Berishaj, njohësi i çështjeve arsimore, Dukagjin Pupovci, sipërmarrësi Armend Malazogu dhe Erblin Hoxha, student në Shkenca Politike në UP

Problemet e shkollimit të fëmijëve me aftësi të kufizuara

Pas debatit për UP-në, në emisionin “Jeta në Kosovë” mund të ndiqni reportazhin rreth problemeve kryesore që hasin fëmijët me aftësi të kufizuara gjatë shkollimit.

“Jeta në Kosovë” ka vizituar disa prej familjeve në komuna të ndryshme të Kosovës të cilat kanë fëmijë me aftësi të kufizuara dhe ka gjetur se ka fëmijë të cilët fare nuk ndjekin mësimin, fëmijë që e kanë lënë mësimin dhe të tillë që kanë probleme pasi kanë shkuar në shkollë.

Ndërsa institucionet përgjegjëse për  fëmijët me aftësi të kufizuara, rastet e tilla i quajnë diskriminuese dhe të lëna anash nga shteti.

Afrim Maliqi, drejtor i “Handikos”-it, thotë se këta fëmijë kanë qasje të kufizuar për t’u arsimuar në shkolla.

“Fëmijët me aftësi të kufizuara janë me të vërtetë të kufizuar në qasjen e arsimit në shkolla”, thotë Maliqi.

Dukagjin Pupovci nga Qendra e Arsimit në Kosovë (KEC), thotë se kur flasim për trajtimin e këtyre fëmijëve, e kemi gojën plot, a në të vërtetë ata diskriminohen.

“Ne themi që po kujdesemi për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe në fund i diskriminojmë këta të fundit”, thotë Pupovci.

Kurse Arbër Morina, këshilltar dhe zëdhënës në Ministrinë e Arsimit (MAShT), thotë se janë duke punuar që këta fëmijë të pranohen sa më mirë.

“Ne  i inkurajojmë edhe shkollat që të pranojnë sa më shumë fëmijë me aftësi të kufizuara”, tha ai.

Përfaqësuesja e prindërve në shoqatën “Down Sindrom”, Leonora Shabani, thotë se edhe ata fëmijë që shkojnë në shkolla nuk po arrijnë të mësojnë shkrim dhe lexim.

“Edhe pse ka fëmijë që shkojnë në shkolla, fatkeqësisht mund të them që shumica prej tyre janë analfabetë”, thotë ajo.

Emisioni “Jeta në Kosovë” emetohet në RTK të enjten në orën 20:20.