I Akuzuari Për Vrasje Shfajëson Veten (TV)

Fadil Shala, pjesëmarrës i rrahjes te dajallarët e tij në Reshtan të Suharekës më 2 gusht të vitit 2012 dha versionin e tij të ngjarjes së rëndë të hënën në gjykatë.

Atë ditë, djemtë e dy vëllezërve që janë edhe fqinjë, u përleshën ndërmjet vete me mjete të forta, ndërsa si pasojë e kësaj rrahjeje, Burim Kryeziu vdiq pas një jave në spital, ndërsa shumë nga të rrahurit mes vete pësuan lëndime serioze. 

Shala që te Kryezinjtë bashkë me babanë e tij Izetin shkoi ditën kritike si nip ndër dajallarë për ta marrë anën e Jonuz Kryeziut gjatë përleshjes, tha se babë e bir janë ftuar nga halla e tij (gruaja e Jonuzit) për të shkuar në Reshtan.

Shala tha se halla i kishte thënë në telefon që vëllai i tij Beqiri ishte në rrezik nga djemtë e Nuhi Kryeziut dhe ai e kishte thirrur policinë para se të nisej me babanë drejt shtëpive të Kryezinjve.

Ai tregoi se vetë shkoi te daja Jonuz Kryeziu, ndërsa babai i tij hyri në oborrin e Nuhi Kryeziut, ku u sulmua nga djemtë e tij.

Fadil Shala edhe pse e pranoi në gjykatë se edhe djemtë e Jonuz Kryeziut ishin të pranishëm aty ku ndodhi rrahja, tha se ata nuk knaë pasur mjete të forta me vete dhe nuk kanë sulmuar askënd.

Edhe vetë mohoi të jetë përfshirë në përleshje, por tregoi se në një moment ia mori njërit nga të përfshirët në rrahje një copë druri, për të mbajtur larg ata që ia sulmonin babanë.

Por Hajrip Krasniqi, mbrojtësi i së dëmtuarës-bashkëshortes së të ndjerit Burim Kryeziu, tha se Fadil Shala nuk e ka thënë të vërtetën.

“Deklarata nuk përputhet me të gjitha ato deklarimet e dhëna në prokurori, në një farë mënyre len të dyshon se përgjigjet kanë qenë paraprakisht të menduara se si të jepen, me qëllim të bishtnimit të tregimit të së vërtetës në lidhje me ngjarjen e ndodhur”, tha Krasniqi për Gazetën Jeta në Kosovë.

Fadil Shala po akuzohet për vrasje dhe lëndim të rëndë trupor.  Për vrasje në këtë rast ngarkohen edhe Jonuz, Enver e Artan Kryeziu.

Et’hem Rugova, mbrojtësi i Fadil Shalës, duke marrë për bazë telefonat e klientit të tij me hallën dhe policinë kërkoi  në seancën e fundit të shkurtit që të nxirret si provë hartografia dhe lista e telefonatave të të akuzuarit Fadil Shala në ditën kritike prej kompanive Vala dhe IPKO.

Këto kompani i kthyen përgjigje gjykatës, duke thënë se nuk i kanë këto telefonata, pasi serveri i tyre ruan hyrjet dhe daljet vetëm për një vit.

Më pas gjatë seancës avokatja e Enver Kryeziut, Kosovare Kelmendi propozoi që të hidhen poshtë deklaratat e klientit të saj në hetuesi, si dhe të gjitha deklaratat e dëshmitarëve, sepse i pandehuri këto deklarata i kishte dhënë nën dyshimin kryerjes së veprës penale pjesëmarrje në rrahje.

Enver Kryeziu është duke u akuzuar për veprën penale të vrasjes në bashkëkryerje, pas zgjerimit të hetimeve, për të cilat avokatja Kelmendi tha në seancë se asnjëherë nuk kanë ndodhur.

Prokurorja Ervehe Gashi ia kujtoi mbrojtëses Kelmendi se zgjerimi i hetimeve kundër klientit të saj është bërë më 12 shtator 2012, ndërsa gjykata refuzoi propozimin e avokates që deklaratat të hidhen poshtë.

Seanca e ardhshme do të mbahet të mërkurën, me marrjen në pyetje të të akuzuarve tjerë.