Burg me Kusht Për Australianin që Kundërshtoi Daçiqin

Valbona Musliu-Selimaj, gjyqtare e Gjykatës Themelore në Prishtinë shpalli të premten aktgjykimin kundër Riza Nurës.

Kosovaro-australiani Nura u dënua me një vit burg me kusht që gjatë dy vjetëve të ardhshën të mos shkaktojë vepra penale, nëse dëshiron t’i ikë vuajtjes së dënimit prapa grilave.

Nura u shpall fajtor për kryerjen e veprave penale pengim i personit zyrtar në kryerje të detyrave zyrtare dhe sulm ndaj personit zyrtar.

Prokuroria e ngarkonte Nurën se ka tentuar të pengojë punën e zyrtarëve policorë dhe kur është afruar eskorta e kryeministrit Daçiq e ka marrë një gur dhe ka tentuar ta hedhë derejt kolonës së makinave.

Daçiq vizitoi Kosovën në nëntor të vitit të kaluar gjatë kohës së fushatës së zgjedhjeve lokale, ndërsa Nura ishte kthyer në atë kohë nga Australia në vendlindje. Ai ka edhe shtetësi australiane.

Prokuroria akuzonte Nurën edhe për sulm ndaj policit Lulzim Gashi në stacionin  e policisë në Obiliq, ku ai u dërgua pasi u prangos.

Nura gjatë seancave gjyqësore kishte rrëfim tjetër. Ai ankohej për dhunë brutale të policisë të shkaktuar ndaj tij, kur kundërshtoi ardhjen e Daçiqit.

“As në fashizëm nuk ka ndodhë kështu, unë kam qenë i rrahur edhe në vitin 1961, por ata nuk m’i kanë thy brinjët e eshtrat”, tha Nura për Gazetën Jeta në Kosovë, pasi mori lajmin për dënimin.

Ai nuk ishte i kënaqur me aktgjykimin.

“Jo nuk jam i kënaqur, kam pritur që do të ma japin pafajësinë e plotë”, shtoi Nura.

Ai tregoi se nuk ka përfunduar puna me kaq.

“Kjo nuk ka përfundu, do të shkoj atje (në Australi) dhe do t’i përgatiti gjërat e do të konsultohem me disa njerëz”, shpjegoi i dënuari.

Edhe mbrojtësi i Nurës përmendi ankesën.

“Do bëjmë ankesë  dhe në ankesë do të kërkojmë pafajësi për Riza Nurën, e jo zbutje të dënimit. Mua me intereson a ka, apo nuk ka faj Riza Nura?” tha avokati Ramiz Krasniqi.

Krasniqi mendon se një akgjykim i tillë nuk do të duhej të merrej në Kosovë.

“ Ky aktgjykim nuk i bën nder gjyqësorit kosovar, përkundrazi një akuzë dhe aktgjykim të tillë ka mund ta nxjerrë vetëm ndonjë gjykatë jashtë Kosovës”, tha Krasniqi.

Prokurori i Shtetit Armend Hamiti nuk u deklarua fare

Gjatë vizitës së Daçiqit vitin e kaluar qe bllokuar magjistralja Vushtrri-Prishtinë, derisa eskorta e kryeministrit serb të kalojë.