Kuvendi Miratoi Planin Hapësinor për Sharrin

Me 47 vota pro, 12 kundër dhe 10 abstenime, deputetet e Kuvendit të Kosovës miratuan Planin Hapësinor për Parkun Kombëtar “Sharri”.

Pro votuan, grupi parlamentar i PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe grupet e tjera të koalicionit qeverisës, kurse, kundër votuan deputetet e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryetari i Komisionit për Bujqësi, Nait Hasani, edhe pse është deputet i PDK-së

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi, gjatë prezantimit të planit, tha se Parku Kombëtar Sharri ka territor prej 53 mijë e 469 hektarësh.

Ai tha se e gjithë sipërfaqja e këtij parku është ndarë në tri zona.

Sipas Gashit Zona e Parë Mbrojtëse përfshin 17.5 për qind te territorit të parkut, zona e dytë 75.4 për qind të tij, ndërsa zona e tretë 7.1 për qind.

Sipas planit, Zona e Parë e Mbrojtjes është zonë e mbrojtjes rigoroze, Zona  e Dytë është zonë e menaxhimit aktiv, ku përfshihen edhe pyjet dhe kullotat, ndërsa disa veprime si kositja e barit e të ngjashme mund të lejohen. Zona e tretë është zonë me më pak mbrojtje, ndërsa cilësohet si zonë për shfrytëzim të qëndrueshëm.

Plani i dërguar për miratim në Kuvend parashikon shndërrimin e një pjese të tij nga zona e parë në zonë të tretë mbrojtëse.

Pikërisht në këtë pjesë, në kuadër të Zonës së Tretë Mbrojtëse, pritet të implementohet edhe Plani Zhvillimor për Brezovicën. Ministri Gashi tha se hapësira e parkut së cilës do t’i ndërrohet destinacioni është e vogël.

“Ky Projekt i propozuar përfshin vetëm 3 mijë e 300 hektarë territor e nga kjo vetëm një pjesë e vogël, gjegjësisht 767 hektarëve u është nderuar destinimi nga zona e parë në zonën e tretë. Sipas informatave nga MTI-ja vlera e investimeve e projektit Brezovica sillet rreth 300 milion euro, pritet krijimi i qindra vendeve të punës, ndikim ekonomik afatgjatë në regjion, pritet të jetë jashtëzakonisht pozitiv”, shtoi Gashi.

Me këtë nuk u pajtua Nait Hasani, kryetar i Komisionit për Bujqësi, Pylltari dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor që kërkoi të mos ketë ndërrim të zonave, pasi sipas tij këtë e kërkonin punonjësit në terren që mbrojnë parkun. 

“Ata po kërkojnë që zonë e parë të mbetet zonë e parë dhe plani Brezovica të bartet në kodrën tjetër ku është kodër e zhveshur, sepse kjo [ku parashihet plani për Brezovicën] është një kodër ose një mal i natyrës që është për tërë vitin i gjelbër, prandaj ai ka biodiversitetin dhe vlerat e tij”, tha Hasani .

Hasani, po ashtu përmendi edhe kërkesën e 27 janarit që rrjeti i organizatave joqeveritare, pjesë e Konsorciumit Kosovar të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID), i kanë dërguar anëtarëve të Komisionit për bujqësi… që plani të dërgohet edhe njëherë në dëgjim publik.

Komisioni e pati refuzuar kërkesën, një ditë më vonë gjatë mbledhjes.

Edhe deputeti Faton Topalli në emër të Lëvizjes Vetëvendosje bëri thirrje që ky plan të mos votohet.

“Jam i befasuar që prapa fjalëve kaq të bukura për mbrojtjen e natyrës, fshihen qëllime për ta shkatërruar natyrën”, tha Topalli.

Kuvendi i Kosovës, po ashtu gjatë seancës,  me 50 vota pro ka emëruar anëtar në Bordin e RTK-së Aleksandër Janiçijeviqin, deputet nga komuniteti serb.

13:45

Nuk Dihet Nëse Kaluan Rekomandimet për UP-në

Edhe pse u hodhën në votim tetë pikat e propozuara nga LDK-ja për Universitetin e Prishtinës, nuk dihet nëse u miratuan në Kuvend. Deputetët e opozitës votuan për to, ndërsa ata të koalicionit qeveritar, edhe pse këtë radhë nuk lëshuan sallën, nuk morën pjesë në votim. Kuvendi do të kërkojë interpretim ligjor të kësaj çështjeje.

Rekomandimet për Universitetin e Prishtinës nuk dihet nëse kaluan në seancën e sotme të Kuvendit.

Ato u hodhën në votim dhe morën 53 vota pro, 4 abstenime, ndërsa deputetët e pozitës duke qenë të pranishëm në seancë nuk morën pjesë në votim. Në sallë në momentin kur po votohej ndodheshin 100 deputetë.

Kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi tha se rekomandimet nuk janë votuar, pasi sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin e  zgjedhjes president të Behgjet Pacollit, për t’u zhvilluar puna normale në Kuvend duhet së paku të jenë të pranishëm më shumë se gjysma e deputetëve.

Rekomandimet sipas këtij vendimi të Kushtetueses, pastaj do të kalonin, nëse për to do të votonin më shumë se gjysma e deputetëve votues.

Për rekomandimet votuan vetëm 57 deputetë, ndërsa deputetët e koalicionit qeveritar, nuk i futën fare në përdorim kartelat e tyre të votimit. Opozitarët pas fjalëve të Krasniqit ngritën zërin e protestës, ndërsa për rekomandimet u votua tri herë, duke u përsëritur situata e paqartë, nëse ato kanë kaluar.

Pas votimit të tretë çështja u mbyll, ndërsa për votimin e rekomandimeve kuvendi do të kërkojë interpretim ligjor.

Pas dorëheqjes së rektorit Gashi të shtunën dhe kryetarit e 3 anëtarëve të Këshillit Drejtues të UP-së të hënën, rekomandimi numër një u formulua ndryshe.

“Të vlerësohet përgjegjësia e ministrit dhe e Këshillit Drejtues të UP-së, për mospërcjelljen me kohë të zhvillimeve në UP dhe mosmarrjen e masave ligjore në kohë të duhur”, është përmbajtja e këtij rekomandimi. 

Rekomandimet i lexoi si edhe të premten e kaluar, Ismet Beqiri, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, ndërsa ato u përkrahën nga Visar Ymeri dhe Ardian Gjini, në emër të Vetëvendosjes dhe  AAK-së.

Por deputetët e pozitës përsëri kundërshtuan rekomandimin numër një, ngase ai i kërkonte përgjegjësi Ramë Bujës për situatën në UP.

“Për shkak të rrethanave të reja dhe realitetit të ri të krijuar në këtë institucion, ne duhet të ulemi me gjakftohtësinë më të madhe dhe me dashamirësinë më të madhe që të bisedojmë së bashku për t’i harmonizuar qëndrimet në të mirën e këtij institucioni”, tha Adem Grabovci.

Vetë Buja në seancë tha se në emër të nenit gjashtë të Ligjit për Arsimin e Lartë, i cili rregullon kompetencat e Ministrisë së Arsimit në arsimin universitar kosovar, do të kërkojë nga Senati i UP-së që për tejkalimin e situatës së krijuar pas dorëheqjes së rektorit dhe disave nga anëtarët e Këshillit Drejtues të universitetit, kryesuesi i Senatit ta ushtrojë detyrën e rektorit, deri në zgjedhjen e rektorit të ri.

Sipas nenit 20 të Statutit të UP-së, për të funksionuar Këshilli Drejtues, duhet të ketë një kuorum prej më së paku gjashtë anëtarësh. Aktualisht Këshilli ka mbetur me pesë anëtarë.

Sipas nenin 26 të Statutit të UP-së, rektori zgjidhet nga Këshilli Drejtues nga listat e kandidatëve të propozuar nga një komision profesional të themeluar nga Senati.

Pasi rekomandimet për UP-në nuk dihet nëse janë miratuar, ose jo, deputetët e opozitës dhe pozitës shfaqën mospajtimet e tyre para gazetarëve.

Deputeti Ramë Vataj nga PDK-ja tha se ne nuk u pajtuam me opozitën sa i përket rekomandimit të parë.

“Nuk zgjidhet situata e krijuar në universitet, siç po kërkojnë deputetët e opozitës që të vlerësohet përgjegjësia e ministrit”, shtoi Vataj.

Kurse, Ismet Beqiri dhe Ardian Gjini akuzuan pozitën për bllokim të universitetit.

“Unë kam kërkuar në foltore të Kuvendit që në fillim të plasjes së skandalit që Rektori Gashi të japë dorëheqje, por tash po duket se nuk i ka ardhur mirë Qeverisë që rektori ka dhënë dorëheqje dhe po provojnë me blloku sistemin kështu si është”, tha Gjini.