Një Muaj Paraburgim për Ukë Rugovën (TV)

Në një seancë me kohëzgjatje prej më shumë se dhjetë orësh , gjyqtarja e EULEX-it  Anna Adamska Galant i caktoi Ukë Rugovës masën e paraburgimit për një muaj.

Masë e njëjtë iu caktua edhe Florian Petanit dhe Izet Beqirit, ndërsa gjashtë të dyshuarve tjerë iu shqiptua masa e arrestit shtëpiak. Vetëm njëri nga të dyshuarit mund të mbrohet në liri.

Këtë informatë për Gazetën Jeta në Kosovë e konfirmuan avokatët Arianit Koci dhe Xhafer Maliqi.

Prokuroria speciale e udhëhequr nga Allen Cansick hedh dyshimet mbi:  Ukë Rugovën, Izet Beqirin, Florian Petanin, Fitim Beqirin, Visar Beqirin, Asad Beqirajn, Edison Idrizajn, Hamza Beqirin, Driton Vocën e Qefser Bahollin.

Ata dyshohen për krim të organizuar, ushtrim të ndikimit dhe mashtrim kundër ambasadës italiane në Prishtinë.

Ndërkaq, Bajram Tmava avokati i Ukë Rugovës tha për Gazetën Jeta në Kosovë se përgjatë seancës së djeshme prokuroria ka ngritur dyshimin e një vepre tjetër penale mbi Rugovën dhe atë kontrabandim me emigrantë.

Të lartpërmendurit dyshohen se në mënyrë të paligjshme kanë ushtruar ndikimin e tyre për të siguruar viza Schengen për qytetarët e Kosovës.