Malisheva Shpëton nga Zgjedhjet e Jashtëzakonshme (TV)

Pas tri seancave të bojkotuara, këshilltarët opozitarë malishevas qëndruan në sallën e asamblesë komunale, duke zgjedhur kryesues të kësaj asambleje Enver Hotin nga Iniciativa Qytetare e Malishevës, që njëherësh është edhe fituese e zgjedhjeve lokale në këtë komunë.

Kundërkandidat të Enver Hotit ishin: Jonuz Kastrati nga LDK-ja dhe Adem Berisha nga PDK-ja.

Hoti doli fitues, pas raundit të tretë të votimit, duke marrë 15 vota, karshi 14 votave sa mori Jonuz Kastrati.

Asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk votuan asnjërin prej kandidatëve, pasi sipas kësaj lëvizjeje asnjëri prej tyre nuk janë alternativa e duhur.

Në një atmosferë të relaksuar, pas zgjedhjes së kryesuesit, kundërkandidatët ia uruan fitoren atij dhe me propozimin e Jonuz Kasatratit, kryetari i Malishevës Ragip Begaj, i ftoi për kafe të gjithë asamblistët.

Partitë opozitare në Malisheve kishin bojkotuar mbledhjet e asamblesë me kërkesën që IQM-ja të ndante pushtetin ekzekutiv me ndonjërën nga partitë tjera, por këtë gjë e kishte hedhur poshtë vazhdimisht kryetari i Malishevës.

Nëse edhe këtë herë do të dështonte zgjedhja e kryesuesit, Malisheva do të duhej të zgjidhte edhe njëherë tërë asamblenë, pasi Ligji për Vetëqeverisje Lokale parasheh që nëse një muaj pas konstituimit të asamblesë komunale, nuk zgjidhet kryetari i saj, asambleja shpërndahet dhe organizohen zgjedhje të reja.

Instituti Demokratik i Kosovës, që e kishte quajtur papërgjegjësi bojkotin e opozitës malishevase, pas zgjedhjes së kryesuesit tha se subjektet politike me këtë rast treguan  seriozitetin që duhet ta kenë karshi interesit të përgjithshëm qytetar dhe mbajtjes së përgjegjësisë institucionale.