Vazhdon Maratona Gjyqësore e Kapitit

Ditën e hënë u mblodh kolegji i Gjykatës së Apelit për të shqyrtuar ankesën që ka ushtruar Azem Vllasi avokati i tretë me radhë i Kapitit.

“Ky rast është unik, i paprecedent në Kosovë”, tha Vllasi.

Abdurrahman Kapiti akuzohet se në nëntor të 1999-ës në fshatin Lupç i Poshtëm të Podujevës në orët e hershme të mëngjesit privoi nga jeta Ismet Rrahmanin dhe Mehmet Osmanin duke gjuajtur 29 fishekë në drejtim të tyre.

Vllasi theksoi se vrasjet në fjalë janë bërë nën afekt, pa paramendim dhe se 6 vjet paraburgim kanë ushtruar efektet e duhura te i mbrojturi i tij. Ai kërkoi nga kolegji që të prishet aktgjykimi i shkallës së parë dhe të ricilësohet vepra në fjalë.

Vllasi kërkoi lirimin e Kapitit, ose ndonjë dënim më të butë dhe ricilësim të veprës penale nga vrasje, në vrasje nën afekt.

Vrasja nën afekt ose nën tronditje të rëndë mendore, të shkaktuar nga keqtrajtimi, ose fyerja e rëndë e të vrarit ndaj kryesit të vrasjes, me Kodin Penal të Kosovës, dënohet me burgim nga 1 deri në 10 vjet.

Rasti i Abdurrahman Kapitit është gjykuar gjithsej 4 herë dhe ka rezultuar me katër aktgjykime të ndryshme.

Aktgjykimi i parë lidhur me këtë rast u mor në maj të vitit 2000, me ç ’rast gjykata e shkallës së parë e liroi atë nga akuza duke arsyetuar aktgjykimin lirues se një vepër e tillë ishte kryer në vetëmbrojtje.

Kapiti me të ndjerët ka pasur një lidhje miqësie, meqë motra e tij Lendita ka qenë e martuar në familjen Rrahmani, gjegjësisht e martuar me djalin e Ismetit të quajtur Rrahman Rrahmani. Në arsyetimin e aktgjykimit të parë thuhet se Lendita ka qenë e keqtrajtuar nga kjo familje, e sidomos nga xhaxhai i burrit Mehmet Osmani “i cili sillej si burri i saj.”

Konflikti mes familjeve ishte iniciuar disa ditë më herët kur Mehmet Osmani e kishte goditur me shuplakë Kapitin kinse për një borxh që ia kishte ai Mehmetit.

“Abdurrahmani goditet fytyrës me shuplakë nga axha i dhëndrit Mehmeti, pa e ditur arsyen për këtë. Ndez makinën dhe niset të largohet nga banesa e tyre [bashkë me motrën e tij], Mehmeti merr një revole dhe i përcjell deri në qytet,  kur i akuzuari ndal makinën dhe lajmëron rastin te ushtarët e KFOR-it dhe në polici të Prishtinës”, thuhet në arsyetimin e aktgjykimit të parë.

Dy ditë më vonë, dhëndri Rrahmani, vjehrri Ismeti dhe xhaxhai i dhëndrrit Mehmeti shkojnë në orët e mëngjesit në shtëpinë e Kapitëve dhe duke refuzuar mikpritjen e tyre kërkojnë nga ata që ta nxjerrin Lenditën.

Familja u thotë se Lendita nuk është aty, por te vëllai tjetër në Obiliq. Megjithatë të tre të ardhurit dëshirojnë të futen në dhomën e gjumit Abdurrahmanit duke thënë se do ia marrin gruan peng derisa nuk e lëshon motrën.

Ismet Rrahmani dhe Mehmet Osmani mbeten të vrarë pranë shtëpisë së mikut të tyre.

Kundër këtij aktgjykimi ka ushtruar ankesë prokuroria, me ç ’rast më 2008 lënda është kthyer për rigjykim. Në gjykimin e dytë, pason aktgjykim dënues për Kapitin prej 14 vjetësh burg. Për këtë vendim mbrojtja parashtron ankesë, e kjo rezulton me kthimin e lëndës për herë të tretë në rigjykim që mbaron me një vendim ku Kapiti dënohet me 12 vjet burg.

Edhe për aktgjykimin e tretë parashtrohet ankesa dhe bëhet përsëritje e historisë me vitin 2013, me ç’rast jepet një dënim që gjen mesin e dy dënimeve të fundit prej 13 vjetësh burg.

Abdurrahman Kapiti ndodhet në paraburgim të pandërprerë që nga viti 2008 dhe duke ia llogaritur dhe paraburgimin përgjatë gjykimit të parë kjo rezulton me një total prej 6 vjetësh.

Gjatë gjykimit të parë në vitet 1999-2000 Kapiti qëndroi në paraburgim prej shtatë-tetë muajsh, për sa kohë që zgjati procesi gjyqësor, që atëherë e liroi të pandehurin. Më vonë kur rasti u rishqyrtua në vitin 2008, ai nuk doli më nga burgu.

Gjatë seancës së të hënës prokurori Sabri Ademi mbështeti plotësisht aktakuzën, kundërshtoi ankesën e mbrojtjes, ndërsa njoftoi palët se njoftimin për seancën e radhës do ta marrin me shkrim.