Limaj me Aktakuzë në Krye të Tavolinës Antikrim

Gazeta Jeta në Kosovë ka raportuar në mars të këtij viti se megjithëse është pjesë e aktakuzës për krim të organizuar dhe korrupsion, vëllai i Fatmir Limajt ish-ministrit të transportit, Florim Limaj vazhdon të punojë në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) si zyrtar kundër krimit dhe kishte udhëhequr vitin e kaluar grupin punues për hartimin e strategjisë kombëtare kundër krimit.

Limaj vazhdon të mbajë këtë pozitë edhe dy muaj më vonë dhe ndërkohë që ai gjendet në proces gjyqësor i akuzuar për krime ekonomike.

Në komunikatën për shtyp që ka dërguar ministria e brendshme të mërkurën (29 maj 2013), Florim Limaj shihet sërish në krye të tavolinës së grupit punues ndërinstitucional për implemtimin e strategjisë dhe planit të veprimit për parandalim të krimit.

Gazeta Jeta në Kosovë kishte marrë një qëndrim nga ministria në lidhje me situatën e Limajt në mars, ku thuhej: “Z.Limaj punon në MPB sepse ne nuk jemi të njoftuar zyrtarisht se është ngritur ndonjë procedurë gjyqësore ndaj tij”.

Të mërkurën ministria është kontaktuar sërish, por zyrtarët e saj ende nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje.

Florim Limaj është i akuzuar në procesin “ish-MTPT” për korrupsion, ku bashkë me vëllezërit e tij  Fatmir

Limaj e Demir Limaj, Endrit Shalën, Nexhat Krasniqi, Florim Zuka dhe Gani Zogaj akuzohen, mes tjerash, për manipulimin e procedurave të tenderëve, dhënien dhe marrjen e ryshfetit dhe pengimin e mbledhjes së provave dhe dëshmive në lidhje me tre tenderë në ministri për përfitime personale dhe/ose materiale. Prokuroria e EULEX-it pretendon se dëmi ndaj buxhetit llogaritet të jetë rreth dy milionë euro.

Në takimin e të mërkurës u raportua për të arriturat për parandalim të krimit, në tremujorin e fundit.

Zëvendësministri  Izmi Zeka tha se luftimi i krimit, me theks të veçantë në institucionet shkollore, kërkon angazhimin dhe bashkëpunimin e të gjithë akterëve vendorë dhe ndërkombëtarë.

“Faktor kryesor në për parandalim të krimit janë vetë institucionet pjesëmarrëse në strategjinë dhe planin për parandalim të krimit, së cilës duhet t’i përmbahemi me përpikëri. Nëse do të veprojmë kështu, atëherë do të kemi reduktim të të gjitha formave të krimit në vend”, tha ai.

Zeka tha se tashmë janë evidente rezultatet dhe të arriturat në luftimin e këtyre dukurive negative dhe nënvizoi se përpos diskutimit të planit të punës, në të ardhmen do të bëhet edhe një krahasim i të arriturave në luftën për parandalim të krimit, për periudha të ndryshme kohore.