Anulohet Seanca e Rastit Muja (TV)

Gjykimi ndaj kryetarit të Prizrenit Ramadan Muja dhe pesë zyrtarëve tjerë komunalë, duhej të vazhdonte të martën, por seanca nuk është mbajtur.

Shkak për mosmbajtjen e seancës është bërë ankesa e mbrojtjes për hedhje poshtë të aktakuzës në Gjykatën e Apelit.

Gjykata e Apelit ende nuk ka marrë vendim rreth çështjes se a do të mbetet, ose do të hidhet poshtë aktakuza ndaj Mujës dhe të tjerëve. 

Zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi, e konfirmoi këtë duke thënë se seanca dëgjimore e 28 majit është anuluar, pasi që Gjykata Themelore është në pritje të vendimit nga Gjykata e Apelit.

“Posa të merret ky vendim do të ju informojmë për datat e seancave të ardhshme dëgjimore”, tha Krasniqi për Gazetën Jeta në Kosovë.

Gjykata e Apelit vendimet e tilla duhet t’i marrë në afatin më të shpejtë të arsyeshëm, por kjo varet edhe nga grumbullimet dhe prioritet e lëndëve. 

Kodi Penal i Kosovës nuk e përcakton saktësisht afatin e marrjes së një vendimi për një kërkesë të caktuar.

Gjatë muajit mars, kur nisi procesi gjyqësor ndaj Mujës dhe zyrtarëve tjerë komunalë të Prizrenit, mbrojtja i ishte drejtuar gjykatës me kërkesën për ta shpallur të pabazë aktakuzën.

Para nisjes së seancës së dytë dëgjimore, më 25 prill 2013,  gjykatësi Vladimir Mikulla njoftoi mbrojtjen se aktakuza do të mbetej në fuqi, nëpërmjet një vendimi me shkrim.

Në këtë seancë mbrojtja paralajmëroi ankesë në Gjykatën e Apelit për hedhje poshtë të aktakuzës, ndërsa kjo atëherë shtyri gjykatësin Mikulla që ta ndërprejë seancën dëgjimore. 

Gjykatësi Mikulla më 25 prill caktoi seancën e radhës të rastit Muja për të martën e 28 majit, por pasi Gjykata e Apelit ende nuk ka marrë vendim rreth fatit të aktakuzës, seanca e tretë dëgjimore u shty.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja akuzohet për shpërdorim detyre dhe të autorizimeve.

Me të njëjtën akuzë, bashkë me kreun komunal të Prizrenit, ngarkohen pesë zyrtarë të kësaj komune.

Sadik Paçarizi,drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, Avni Ademaj, Kadri Ukimeri,  Abdullah Tejeci, dhe Minir Krasniqi- drejtor i Drejtrorisë së Administratës.

Avni Ademaj, Kadri Ukimeri,  Abdullah Tejeci në periudha të ndryshme kohore për të cilat akuzohen, drejtuan Drejtorinë për Gjeodezi dhe Kadastër të Komunës së Prizrenit, ose ishin ushtrues detyre të saj. 

Gjashtë të akuzuarit me qëllim dhe për arsye të sjelljes së dobisë pasurore për të tjerët, nuk kanë zbatuar një vendim të Gjykatës Supreme, kanë dhënë në shfrytëzim tokën që ishte nën administrimin e Agjencionit Kosovar të Privatizimit dhe në një rast tjetër kanë dhënë në shfrytëzim pa pagesë tokën e komunës, pa përfillur procedurat ligjore.

Kjo ka ndodhur gjatë një periudhe kohore prej vitit 2008 deri në vitin 2012, kur zyrtarët komunalë kanë penguar edhe ekspertët tjerë të gjeodezisë për të dëshmuar nëpër seancat gjyqësore të të dëmtuarve nga këto keqpërdorime me toka, në së paku shtatë raste.

Për rastin e pengimit të punës së gjykatës emisioni “Drejtësia në Kosovë” kishte shfaqur një reportazh më 11 shtator 2011.

Vlera e disa prej tokave për të cilat zyrtarët komunalë prizrenas akuzohen se kanë keqpërdorë detyrën zyrtare kap shumën prej rreth 200 mijë eurosh.

Për këtë ata rrezikojnë të kalojnë deri pesë vjet në burg.

Gazeta Jeta në Kosovë ka siguruar përmbajtjen e pikave të aktakuzës kundër Mujës dhe të tjerëve, të lëshuar të mërkurën më 27 shkurt 2013.