Kadri Veseli Fton Opozitën në Debat

Në një letër publike, Veseli u ka thënë deputetëve të Vetëvendosjes, AAK-së dhe Nismës për Kosovën se zhvillimet e fundit në Kuvend e kanë dëmtuar imazhin e Kosovës dhe kanë dërguar mesazh të keq në botë.

“Janë lëkundur edhe pozicionet tona të korrektësisë reciproke politike dhe fryma e bashkëpunimit, falë të cilës kemi arritur suksese të përbashkëta historike”, thuhet në letrën e kryeparlamentarit.

Institucioni që e udhëheq Veseli po mbahet i bllokuar pasi që grupet parlamentare të opozitës nuk po lejojnë mbajtjen e seancave për shkak të pakënaqësisë së tyre me marrëveshjet me Serbinë të arritura në Bruksel dhe marrëveshjen me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.

Ngjarjet kanë degjeneruar deri në gaz lotsjellës brenda seancës dhe dhunë ndërmjet protestuesve dhe policisë jashtë ndërtesës së Kuvendit.

Por Veseli mendon se “ajo çfarë e dallon demokracinë nga format tjera të qeverisjes është besimi tek vlerat e debatit parlamentar dhe sundimit të ligjit”.

“Parlamentet janë krijuar që vendimmarrja politike të arrihet përmes fuqisë së fjalës së argumentuar. Në thelbin e tyre ato nënkuptojnë përjashtimin e dhunës si akt politik”, ka thënë ai në këtë letër.

Duke synuar që ta heqë qafe këtë situatë brenda Kuvendit, Veseli u bën thirrje deputetëve të opozitës për një takim.

“Ju ftoj që këtë javë, ose në një datë tjetër të përcaktuar, të mblidhemi dhe së bashku në Kuvendin e Kosovës të debatojmë hapur dhe pa prejudikime për çështjet e ngritura nga Ju”, thuhet në letër.

“Ne nuk duhet  të harrojmë për asnjë moment se jemi zgjedhur përfaqësues të popullit të Kosovës. Ne kemi obligime ndaj qytetarëve të Kosovës dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës. Kemi edhe obligime të partneritetit me shtetet mike të vendit tonë”, thuhet në letrën e Kadri Veselit.