“Ik Se e Thërras Policinë”

Një kamerier i bërtiti lypëses që “shqetësonte” mysafirët në kopshtin e një restoranti ku drekoja me miqtë. Britma ma zuri në fyt ushqimin. Lypësja nuk ishte as e para, as e fundit që në atë ditë me diell m’u afrua dhe më tërhoqi nga mëngët duke kërkuar t’i ndihmoj, t’i jap ndonjë para. Ishte me plot plagë të hapura, e patrajtuar, me jargë dhe flokë të puthitura për koke. 

Atë e mbajta mend më së miri. Nuk ishte një lypëse e zakonshme, por ajo seriozisht dhe padyshim ishte e sëmurë. Kjo më çoi te pyetja: kush është kompetent të ndihmojë në raste të tilla? Dhe çka nëse kamerieri do ta thirrte vërtet policinë? A thua ai polic përveç mbajtjes së rendit dhe qetësisë është i obliguar t’i ndihmojë asaj, ta dërgojë në ndonjë institucion mjekësor ose social ku dikush do ta ushqejë, lajë, do t’ia pastojë rrobat, do t’i ofrojë ndihmë dhe kujdes mjekësor? 

Në rrugët e Prishtinës ka gjithnjë e më shumë njerëz që kërkojnë lëmoshë. Përveç romëve te semaforët, për mua lypës janë edhe njerëzit që ulen në beton para një peshoreje për matje. Ata presin që dikujt teksa shëtit nëpër qytet ose kthehet nga puna t’i bie ndërmend dhe të ndalet për ta matur peshën e tij. 

Ky është një lloj tjetër i lypësisë ku krahas lëmoshës ofrohet edhe një shërbim-matja e peshës trupore. 

Mund të thuhet se një person i arsyeshëm më parë do t’u japë lëmoshë atyre që mundohen ta meritojnë atë: këngëtarëve të rrugës, zhonglerëve, artistëve… 

Ende pyes veten kush është përgjegjës t’u ndihmojë këtyre njerëzve? Sepse edhe ata janë njerëz, apo jo? Njerëz që dikur ishin fëmijë, për të cilët nënat u gëzuan kur lindën, ndërsa dëshiruan që ata të bëhen pilotë, mjekë, politikanë…, por të tillët u shndërruan në dëm kolateral. 

A është turp të jesh jonormalisht i pasur në një vend të varfër? A është pasqyrë e një shteti pikërisht raporti i tij ndaj të varfërve? A thua jemi bërë njerëz të tillë që gjithmonë shohim vetëm më të pasurit e më të suksesshmit se ne dhe asnjëherë nuk kthejmë sytë nga më të pafatët dhe më të pikëlluarit? A është më lehtë që të kthejmë kokën mënjanë derisa lypësit të largohen, ose të trokasin në xhamin e ndonjë veture tjetër? Çka nëse me kalimin e kohës më shumë duar do të shtrihen drejt nesh? Problemi nuk zgjidhet me injorim, ai vetëm rritet. 

Mund të shtroj edhe pyetje tjera derisa zemra më dhemb sa herë më kujtohet shikimi i lypëses së lodhur dhe të sëmurë, e cila klith: “më ndihmo”.

Erdhi pranvera, periudha kohore që e duam më së shumti, kur edhe qyteti lulëzon. Do të isha shumë e lumtur sikur shumë nga ju që ktheni kokën anash kur keni punë me ndonjë lypës, të thirrni në ndonjë numër të telefonit dhe të alarmoni ndonjë institucion. Një thirrje mund t’ia shpëtojë jetën dikujt. 

E di që problemi i lypësve nuk mund të zgjidhet duke ua dhënë 50 centë dhe me ndërgjegje të qetësuar të shkojmë në punë, ose ta marrim fëmijën në çerdhe, duke shpresuar se do të shkojmë në parajsë. Nuk do të kryejë punë as kjo kolumne e imja, por shpresoj se një ditë polici që mund të thirret nga kamerieri për ta përzënë të padëshiruarën, do t’i ndihmojë lypëses së sëmurë duke e dërguar  në ndonjë institucion shëndetësor.

Deri në shkrimet dhe leximet e radhës ju përshëndet e juaja D.