PTK-ja Shpall Fituesin për 3G

PTK-ja e cila ka mbetur shumë prapa konkurrentit të saj privat “IPKO” për lansimin e gjeneratës së tretë për telefoninë mobile më në fund ka shpallur fituesin që do të ngrejë platformën e “Valës” në 3G.

Fitues të tenderit “Avancimi dhe Implementimi i Teknologjive Mobile Brez-gjera-Faza 3G dhe LTE” janë: “Alcatel-Lucent Deutschland AG” & “Cacttus sh.a” – për pjesën e parë dhe “Nokia Solutions and Networks Oy”, Finland.

Pjesa e parë do ‘ti kushtojë PTK-së 27,989,999 euro, ndërsa pjesa e dytë 3,934,924 euro.

Me afër 32 milionë euro,” Vala” ka në plan që konsumatorëve të saj t’u ofrojë internet me cilësi të lartë e shpejtësi të madhe në telefona të mençur mobilë që ofron edhe shërbimet si -telefonata me video dhe TV në celular. 

Këtë shërbim operatori mobil “IPKO” ka lansuar që nga 1 dhjetori 2013 kur edhe është dhënë leja nga Autoriteti Rregullator i Komunikimeve elektronike dhe Postare (ARKEP).

PTK-ja në atë kohë nuk ishte e gatshme për të filluar me 3G-në për shkak se ndërmarrja ishte në proces të privatizimit. Qeveria e Kosovës në dhjetor 2013 deklaroi se procesi i privatizimit të PTK-së nuk do të përfundojë.

Ndërmarrja publike është përballur tri herë me ankesa të operatorëve të ndryshëm që nga dhjetori të cilët ankoheshin se PTK-ja nuk duhej të përfillte procedura të negociuara për avancimin e saj në 3G.

PTK-ja nuk arrinte të shpallte fituesin dhe të nënshkruante kontratën, përkundër se kishte mundësi ligjore ta bënte këtë. 

Ejup Qerimi në një emision në “Jeta në Kosovë” të datës 15 maj 2014, e arsyetonte këtë me faktin se grupi punues për këtë tender duhet të bëjë analizë të detajuar lidhur me procesin dhe se kontratat e tilla marrin kohë. 

Në dhjetor dukej se PTK-ja lëvizi me shpejtësi për të zhvilluar infrastrukturën për shërbimet e saj në 3G dhe 4G për të qenë në konkurrencë me “IPKO-n”, por ajo u godit nga një ankesë misterioze.

Në dhjetor, kompania “Infinite Solutions-KAD” ka bërë ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OShP) duke u ankuar se PTK-ja  duhet të aplikonte procedurë të hapur të tenderit për të cilën do t’i lejonte pjesëmarrje edhe kompanive të tjera. OShP-ja refuzoi ankesën e tyre.

Kompania në fjalë nuk doli të ishte me përvojë në fushën e telekomunikacionit. Gazeta Jeta në Kosovë ka raportuar në mars për “Infinite Solutions”, e cila doli të jetë në pronësi të “GV Consulting”, pronar i të cilit është një oxhakfshirës nga New Jersey. 

PTK-ja arsyetoi përdorimin e procedurës së negociuar – duke kërkuar një kontraktor e jo të pranojë oferta nëpërmjet tenderit të hapur – sepse ato ishin kompanitë që kanë ngritur platformën e telefonisë mobile dhe do të ishin më të përshtatshëm për të kryer punën.

Ankesa e dytë është bërë nga kompania “Brookeside International LLC” me bazë në British Virgin Islands, që ndryshe njihet si “parajsë tatimore”, ka deponuar ankesë më 17 prill të këtij viti në OShP.

Kompania ka pasur vërejtje të njëjtë për procedurat e tenderit. OShP-ja përsëri refuzoi këtë ankesë.

Ankesa e tretë e bërë më 5 qershor 2014 është bërë nga “Huawei Technologies Albania” me arsyetimin e njëjtë se PTK-ja ka shkelur Ligjin për Prokurimin Publik për shkak të procedurave të negociuara.

OShP-ja ka hedhur poshtë ankesën si të palejuar kompanisë kineze duke vlerësuar se tashmë kanë gjykuar të njëjtin rast – nga ankesat e mëhershme, ose siç njihet ndryshe “res judicata”.