‘Privatizuesi i Sukseshëm’, Gjysmë Viti Prapa Grilave

Biznesmeni Jeton Sadiku po hyn në muajin e gjashtë të qëndrimit në paraburgim.

Ai gjendet në qeli që nga dhjetori i vitit të kaluar kur u kap nga policia dhe iu caktua masa e parë prej një muaji e paraburgimit nga Gjykata Themelore në Mitrovicë.

Më pas gjyqi ia ka vazhduar masën e paraburgimit për çdo dy muaj.

Vendimi i fundit është marrë në maj dhe parasheh që Sadiku të mbahet në paraburgim deri kah fundi i muajit korrik të këtij viti.

 “I pandehuri (Jeton Sadiku), nga data 25 dhjetor gjendet në paraburgim të cilit i është vazhduar në bazë të kërkesës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë”,  thuhet në përgjigjën e Gjykatës Themelore të Mitrovicës dhënë Gazetës Jeta në Kosovë.

Sipas gjykatës ende nuk është ngritur aktakuzë ndaj Sadikut dhe procedura gjendet ende në fazën paraprake.

Ismet Ujkani, prokuror i rastit, tha për Gazetën Jeta në Kosovë se janë duke bërë përpjekje që hetimet të përfundojnë sa më shpejt.

“Nuk e dimë kur përfundojnë pasi që është lëndë shumë voluminoze”, tha ai.

Ndërkohë Bajram Tmava, avokat i Jeton Sadikut, tha se ka bërë ankesa kundër vendimeve të gjykatës për zgjatje të paraburgimit.

“Duhet të përfundohen hetimet dhe të mos mbahet në paraburgim për kohë të gjatë”, thotë ai.

Sipas tij në arsyetimin e mbajtjes në paraburgim gjykata po i referohet faktit se Jeton Sadiku është shtetas i Britanisë së Madhe dhe mund të arratiset nga Kosova gjë që mund të pamundësojë zhvillimin e procedurave hetimore në Kosovë.

“Por unë u kam thënë që ai (Jeton Sadiku) ka banesë në Prishtinë dhe nuk arratiset”, tha ai.

Dyshimet ndaj Sadikut

Gazeta Jeta në Kosovë ka siguruar kallëzimin penal kundër Sadikut që Njësia e Hetimeve për Krime Ekonomike dhe Korrupsion në Mitrovicë e ka dorëzuar në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës.
Kallëzimi penal tregon për veprimet e Sadikut, blerës i “Llamkosit”, që sipas hetuesve policorë dëshmojnë se ai ka kryer veprat penale -mashtrim dhe dëmtim i kreditorëve.

Jeton Sadiku, pronar i “Corestell Sh. P.K” në Vushtrri më datën 26 shkurt 2014 në Bankën Ekonomike në Vushtrri ka lidhur marrëveshje kreditore në vlerë prej 480 mijë eurove.

“Kjo është bërë duke lënë në hipotekë pronën e cila më parë në mënyrë të kundërligjshme përmes dokumenteve të falsifikuara me një aktvendim për lirimin e hipotekës të datës 10 janar 2013 në Zyrën Kadastrale në Vushtrri është liruar nga hipoteka e disa marrëveshjeve të mëparshme kreditore në vlerë prej 13 milionë  e 982 mijë eurove me “Standard PLC Bank” nga Londra, obligimet ndaj së cilës ende nuk i kishte kryer”, thuhet në kallëzimin penal të Policisë Rajonale në Mitrovicë.

Sipas hetuesve policorë, “Standard Bank” me bazë në Londër asnjëherë nuk kishte marrë vendim që të lirohen nga hipoteka ngastrat e lëna në hipotekë nga Sadiku.

Njësia për Krime Ekonomike dhe Korrupsion në Mitrovicë gjatë hetimeve në këtë rast kishte kërkuar raport nga “Standard Bank”.

Raporti i Jonathan David Gordon Holmes, menaxher në “Standard Bank” në Londër, që citohet nga hetuesit policorë në Mitrovicë, thotë se pronat që Sadiku më pas i kishte lënë në hipotekë në Bankën Ekonomike ende janë të regjistruara si hipotekë në marrëveshjet kreditore mes “Standard Bank PLC” dhe “Corestel Sh.p.k”.

Menaxheri i bankës thekson në raport se “Hipoteka është në fuqi dhe me efekt të plotë”.

Deklarata e Jeton Sadikut në hetuesi

Më datën 26 dhjetor 2014 në cilësinë e të dyshuarit është intervistuar Jeton Sadiku, pronar i kompanisë “Corestel DMCC” me seli në Dubai, ku deklaroi se në gusht të vitit 2011 ka bërë privatizimin e “Llamkosit” në bazë të procesit të likuidimit të aseteve të “Llamkosit” në vlerë prej 6 milionë e 400 mijë eurove dhe se ka marrë përsipër borxhet e “Llamkosit” në vlerë prej 900 mijë eurove.

Gjithnjë, sipas të dyshuarit, para participimit në procesin e tenderit kanë marrë një aprovim nga “Standard Banka” për marrjen e kredisë në shumë deri 25 milionë euro.

Sipas tij kjo kredi i është aprovuar kompanisë me seli në Dubai.

Kompania e tij kishte tërhequr katër shuma milionëshe nga kjo bankë.

Në gusht të vitit 2011 kishte tërhequr dy herë. Një herë 9 milionë e 457 mijë euro dhe një herë tjetër 3 milionë euro. Në nëntor të vitit 2011 kishte tërhequr 1 milionë e 25 mijë euro dhe në janar të vitit 2012 kishte tërhequr  500 mijë euro.

Sadiku ka thënë para hetuesve policorë se e ka nënshkruar personalisht marrëveshjen për kredi me Bankën Ekonomike në mënyrë që t’ua paguajë pagat e punëtorëve.

Sadiku, gjatë intervistimit në polici, ka thënë para hetuesve se ka nënshkruar pa e lexuar dokumentin bazë të kredisë që tregon për pronat e lëna hipotekë në Bankën Ekonomike.

Sipas Jeton Sadikut, vënia nën hipotekë e këtyre parcelave nuk ishte pjesë e marrëveshjes me Bankën Ekonomike.

Në kallëzim penal shkruan se Sadiku ka deklaruar se kanë ngritur padi për kontestimin e dokumentit që fut këto parcela në hipotekë në Bankën Ekonomike.

Sadiku u referohet parcelave që aktualisht janë nën hipotekë në Bankën në Londër.

Sadiku të njëjtën deklaratë e dha edhe para trupit gjykues në seancën e mbajtur më 27 dhjetor 2014 në Gjykatën Themelore të Mitrovicës.

Sadiku ka deklaruar se nuk e ka lexuar draftin e marrëveshjes me Bankën Ekonomike që i vë në hipotekë pesë parcelat që janë të hipotekuara edhe në “Standard Bank” në Londër.

“Tek më vonë e kam kuptuar se ekziston klauzola se kanë mbetur në hipotekë katër parcelat”, ka thënë Sadiku.

Fakte për Llamkos

1.    Jeton Sadiku në gusht të vitit 2011 bleu Ndërmarrjen “Llamkos” nga Agjencia Kosovare e Privatizimit. 6 milionë e 400 mijë euro ishte shuma me të cilën Sadiku bleu këtë ndërmarrje. Sadiku mori përsipër edhe borxhet e “Llamkos”-it në vlerë prej 900 mijë eurove.

2.    Gazeta Jeta në Kosovë pati zbuluar në shkurt të vitit 2012 se Sadiku lidhi marrëveshje me AKP-në si drejtor i “Corestel DMCC” me bazë në Dubai, por një kompani tjetër e tij, “Corestel Ag” me seli në Zvicër, ishte në procedurë të falimentimit. Në vitin 2009, “Fortis Bank”, e cila kësaj firme ia ka huazuar një shumë të panjohur parash, kishte kërkuar pranë Gjykatës së Lartë të Londrës falimentimin dhe mbylljen e kësaj firme dhe shpagimin e borxheve ndaj saj. Sipas rregullave të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, pjesëmarrja në tender u ndalohet “personave fizikë dhe juridikë të cilët gjenden në procedura të falimentimit ose likuidimit”. Por AKP-ja mbronte shitjen e bërë duke thënë se janë kryer të gjitha kontrollet përkatëse.

3. Gazeta Jeta në Kosovë pati raportuar në shkurt të vitit 2012 se Sadiku ishte i përfshirë në një biznes që afaronte në mënyrë të parregullt dhe se ishte i lidhur me një prej oligarkëve më të pasur rusë- Andrey Dobrov-in.

4.  Në dhjetor të vitit 2013  menaxhmenti i “Llamkos”-it  njoftoi se kishte ndërprerë prodhimin, por nuk kishte cekur se cilat ishin arsyet që e kishin shtyrë ta bënte këtë.

5. Mbi 500 punëtorë janë ankuar se menaxhmenti i “Llamkos”-it u ka borxh nga gashtë paga.