Ana e Errët e Bankës Botërore

“Ëndërrojmë të kemi një botë pa varfëri “– këtë moto e ka të vendosur Banka Botërore në hyrje të Zyrës Qendrore në Washington.

Por si është e mundur atëherë që përmes projekteve të tyre 3.4 milionë njerëz humbin tokën prej të cilës jetojnë?

Kundërthëniet e një institucioni

Haqif Shala qëndron në vendin ku më parë gjendej shtëpia e tij.

Por prej shtëpisë së tij kishte mbetur vetëm një gur mbi bar. Ai është rritur këtu dhe pas luftës e kishte rindërtuar shtëpinë e tij.

Vendi ku shtëpia e tij gjendej,tani duket sikur një gropë e madhe e zezë, e thellë dhe përplot me pluhur. Nën të tani nxirret ajo që konsiderohet pasuria e nëntokës së Kosovës .

Ajo nëntokë ngjason me skenat mbi katastrofat të filmit “2012” të Roland Emeriksit.

Hadja, vendlindja e Haqif Shalës‚ është depozita e pestë më e madhe në botë e qymyrit të zi, me 14,7 miliardë tonë që gjendet shumë afër sipërfaqes dhe ka përqendrim shumë të ulët të sulfurit.
Thënë më mirë është një dhuratë e natyrës.

Haqif Shala punon që nga viti 1974 në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK). Ai drejton një ekskavator. Ai gërmon gropa mu në vendin ku më parë gjendej shtëpia e tij.

Po të mbizotërojë një mot i mirë nga këtu mund të shihet tymi i madh në qiell që del nga dy tubat e mëdha prej betonit të dy termocentraleve A dhe B, të cilat prodhojnë më shume se 95% të energjisë së Kosovës.

Tymi që shpërndahet nga dy termocentralet duket sikur një mbulesë e ndytë mbi qiellin e Kosovës.
Grimcat e pluhurit i thithin njerëzit në mushkëritë e tyre si dhe prej tij mbi lëkurë mbetet një shtresë yndyre. Duhma e qymyrit mund të nuhatet kudo. Ajo qarkullon nëpër shtëpi, zyra, shkolla dhe lokale.
Banka Botërore e cilëson “Kosovën A” “ndotësin më të madh të ambientit në Evropë“.

Kosova B-Termocentrali pak më modern i Kosovës

Drejtori për shëndetësi në Obiliq thotë metaforikisht se “Ajri këtu ka një aromë speciale“.

Nga zyra e tij shihet “Kosova A”, një monstrum gjigant i ndërtuar në vitet’ 60 që para incidentit të fundit kishte kapacite prej 250 megavatëve.

Aty prapa gjendet një deponi e plehrave – më e madhja në vend, prej së cilës me dekada toka thith shumë substanca toksike.

Aty në mes po ashtu rrjedh një lumë me ujë me ngjyra të llojllojshme. Në anën tjetër të qytetit gjendet “Kosova B”, e cila është ndërtuar 20 vjet më vonë dhe ka kapacitet momental prej 540 megavatëve.

Drejtori i shëndetësisë shfleton listat e personave të vdekur nga shkaqet e sëmundjeve të organeve të frymëmarrjes, sëmundjeve të zemrës, astmës, kancerit të mushërive si dhe kancerit të fytit.
Në Obiliq janë regjistruar 30 deri ne 40% më shumë raste të personave me sëmundje të frymëmarrjes, sesa në të gjithë Kosovën.

Në këtë vend jetëgjatësia është 10 vjet më e ulët sesa në vendet e tjera të Evropës.

Sipas një raporti të Bankës Botërore të vitit 2010, në Kosovë ka pasur 835 raste të vdekjeve të njerëzve si pasojë e ndotjes së ajrit, prej të cilave 310 raste nga bronhiti serioz, te fëmijët janë paraqitur 22900 sëmundje të organeve të frymëmarrjes dhe 11600 raste emergjente, ku si pasojë e drejtpërdrejtë ishte ndotja e ambientit.

Banka Botërore kishte kalkuluar më shumë se 100 milionë euro shpenzime direkte nga ndotja e ambientit. “Ne nuk mund ta ndalojmë këtë“, u shpreh drejtori i shëndetësisë duke bërë me shenjë kah qielli.

A i dëmton Banka Botërore shpesh individët, të cilët faktikisht do të duhej t’u ndihmonte- të varfrit?

Ajo që është pozitive në Obiliq është se aty ofrohet punësim.

Kjo është një arsye për të qëndruar aty, në një shtet ku kuota e papunësisë është më e lartë se 35%, ndërsa tek të rinjtë deri në 55%.

Të tjerë thonë se qyteti duhet të evakuohet. Njëzëshëm të gjithë thonë që “Kosova A” duhet të mbyllet. Në të vërtetë, kjo do të duhej të ndodhte deri në vitin 2017, por më askush nuk beson se qeveria do ta mbyllë termocentralin kryesor i cili furnizon vendin me energji.

Plani është që të ndërtohet një termocentral i ri me standard evropian dhe me kapacitet prej 600 megavatëve, “Kosova e Re”. Më herët ishte quajtur “Kosova C”.

Banka Botërore do të marrë përsipër sigurimin e një pjese të të hollave, mbi 58 milionë dollarë për financimin e termocentralit të ri. Por gjithnjë e më shumë njerëzit pyesin se përse këto para nuk investohen në ndërtimin e energjisë alternative, apo në minimizimin e humbjeve në rrjetin energjetik, ku 37% e energjisë humb. Pyetja është se a do të sigurojë Banka Botërore përmes “Kosovës së Re”  të ardhmen energjetike për breza të tërë?

A dëshiron institucioni financiar më me ndikim në botë ta dëmtojë si njerëzimin ashtu dhe mjedisin, duke investuar në siguruesit e energjisë të cilët ndotin ambientin– pra, në qymyr?

Në një nga zyrat ku ka ajër të pastër në rrethinë të Prishtinës, rri i ulur Jan-Peter Oltersi, një nga drejtuesit e zyrës së Bankës Botërore në Kosovë, një njeri i shkurtër.

Ai është i njohur me këtë pyetje. Që kur Banka Botërore ka vendosur ta përkrahë një central të qymyrit, ai duhet të qëndërojë pas atij vendimi, duhet ta mbrojë atë, si brenda ashtu dhe jashtë.

E fuqishmja, e madhja, e pasura Banka Botërore është financuesja dhe vendimarrësja më e madhe në projektet zhvillimore, përkatësisht është një nga faktorët më të rëndësishëm në politikën e zhvillimit, e cila nuk është një bankë në kuptim të ngushtë, por një nga agjencitë e specializuara të Kombeve të Bashkuara, e cila është themeluar në vitin 1944 në Bretton Woods që t’i ndihmojë njerëzit.

Qendra e Bankës Botërore gjendet disa minuta larg nga Shtëpia e Bardhë, në hyrje të të cilës gjendet sllogani “Ëndrra jonë është një botë pa varfëri“.

Pra, është një bankë që ka për detyrë para së gjithash: luftimin e varfërisë përmes zhvillimit të qëndrueshëm.

Ajo u jep kredi të lira shteteve në zhvillim për ndërtimin e shkollave dhe spitaleve. Kjo është ideja. Por gjithmonë e më shumë po vihet në pikëpyetje legjitimiteti i kësaj Banke.

Hans Magnus Enzensberger e kishte quajtur Bankën njëherë“përbindëshe të butë“.

Ka kritikë që thonë se kjo Bankë po e përkeqëson varfërinë në vendet në zhvillim, pos kësaj edhe ekologjikisht duke financuar projekte të diskutueshme ku shpesh po shndërrohen në një instrument për shkatërrimin e mjedisit.

Ka disa vite që Banka Botërore po e përsërit se i ka ndërruar politikat e saj duke i vënë vetes gjithnjë prioritete të reja, duke marrë masa mbrojtëse të reja, plane të tjera të veprimit si dhe duke ofruar transparencë më të lartë.

Sociologu Jean Sigler, i cili në librin e tij të ri “Ndrysho botën“, përshkruan satelitët funksional të Bankës Botërore në Wallstreet, përkatësisht thotë: “Në kohën e Rogoffit do të duhej që ajo tanimë të përmirësohej, këtë e ka premtuar presidenti i Bankës Botërore, Wolfensohni. Ky është thjesht një ritual, të cilin po e ndëgjojmëme breza të tërë”.

Grupi i reporterëve të Konsorciumit Ndërkombëtar për Gazetarët Hulumtuese (ICIJ), të cilit i përkasin gazetarë të NDR-së, WDR-së, Süddeutsche Zeitung-ut dhe më shumë se 50 gazetarë nga 21 vende, për një vit kanë hulumtuar më shumë se 6600 dokumente.

Të gjeturat janë: Banka Botërore gjithmonë dështon në mbrojtjen e atyre që fuqishëm do të duhej t’i mbronte : të varfërve. Përmes Bankës Botërore dhe degëve të saj janë mbështetur projekte si zhvendosja e detyruar, marrja e tokës, madje edhe vrasje.

Në dekadën e kaluar përmes 972 projekteve të Bankës Botërore afërisht 3,4 milionë njerëz kanë humbur tokën e tyre, apo një pjesë të mjeteve të tyre të jetesës.

Ndoshta ka edhe më tepër të prekur nga kjo dukuri përmes projekteve të Bankës Botërore e për të cilat ajo fare nuk ka shifra.

Dhjetëra mijëra janë përzënë nga shtëpitë dhe vendi i tyre. Në shumë projekte të miratuara nuk kishte as edhe një plan të zhvendosjes, ndërsa masat mbrojtëse shpesh nuk janë respektuar.

Banka Botërore pranon se për shumë raste nuk ka dokumentacion të mjaftueshëm, apo nuk ka fare të dhëna. Në shumë raste nuk ka informacione si janë zhvendosur shumë persona, si dhe si kalojnë ata në vendbanimin e tyre të ri. Një raport i brendshëm shfaq se punonjësit e bankës në 60% të rasteve nuk bëjnë dokumentimin lidhur me zhvendosjen e njerëzve.

A i dëmton kështu shpesh Banka Botërore njerëzit, të cilët faktikisht do të duhej t’i ndihmonte?

Të sfiduar nga hulumtuesit e ICIJ-it, Banka Botërore pranoi se ka bërë gabime të rënda duke bërë që shumë projekte të mbesin të pa dokumentuara mirë e një pjesë e projekteve të mbesin të pa dokumentuara.

“Kemi shikuar punën tonë me sy kritikë në këtë aspekt dhe se ajo çfarë kemi gjetur na bën të ndihemi keq“, tha presidenti i Bankës Botërore Xhim Yong Kim, ndërsa zëdhënësi i tij tha se “Ne duhet dhe duam ta bëjmë këtë punë më mirë.“

Në Lagos, Nigeri, qeveria rrënoi me buldozerë një lagje të varfër pa paralajmërim.  Policia e armatosur rëndë me 23 shkurt të viti 2013 sulmoi lagjen Badia e Lindjes, duke britur “Kush do të jetojë, le të zhduket nga këtu“.

Njerëzit morën atë që patën para duarve dhe panë se si pronat u shkatërroheshin para syve. Nëntë mijë njerëz rrinin në mes të gërmadhave të kasolleve tyre, pa çati mbi kokë, pa vendbanim, shumë prej tyre jetonin nëpër rrugë, e shumë u sëmurën nga malaria apo tifoja.
Askush nuk dha paralajmërim, kompenzimet u dhanë  (në qoftë se u dhanë ndonjëherë) tek disa muaj më vonë.

Ky renovim urban, për të luftuar varfërinë u financua nga Banka Botërore? Kjo nuk ishte hera e parë që Këshilli i Qytetit të Lagosit rrënoi lagje të tëra të qytetit.
Banka Botërore kishte ndarë 200 milionë dollarë për projektin “Zhvillimi dhe Qeverisja e Metropolit Lagos“. Banka nuk ishte pjesë e shkatërrimit dhe ata i kishin këshilluar drejtuesit e vendit lidhur me kompenzimet në projektet e ardhshme.

Në qytetin e vogël bregdetar Jalë në Shqipëri, në një mëngjes të prillit 2007 janë rrënuar dhe spastruar shtëpitë e të varfërve. Banka Botërore kishte përkrahur projektin e restaurimit të plazhit me një kredi prej 17.5 milon dollarëve. Për të kryer këtë punë, qeveria përcaktoi dhëndrin e kryeministrit të atëhershëm- Sali Berishës. Autoritetet rregulluan plazhin me paratë e Bankës Botërore, për ta restauruar vendin dhe për ta bërë një vendpushim turistik.

Restaurim plazhi?

Presidenti i Bankës Botërore i asaj kohe, Robert Zoellick tha: “Një gjë të tillë banka nuk duhet ta lejojë kurrë më të ndodhë.

“Në një raport të Bankës Botërore thuhet se në mes të viteve ‘90, për tetë vjet 2,5 milionë njerëz si pasojë e projekteve të Bankës Botërore duhej t’i linin shtëpitë e tyre, shumë prej tyre edhe kundër dëshirës së tyre. Shumë njerëz të varfër mbetën “më keq se më parë“.

Por kur drejtori ekzekutiv i Bankës Botërore aprovoi ndërtimin e “Kosovës C”, a nuk ishte ky veprim i Bankës kundër standardeve të saj për mbrojtjen e mjedisit?

„Jo“, tha Jan Peter Olters, “Pikërisht për këtë arsye është duke u bërë një studim mbi ndikimin e tij në mjedis, për të siguruar se ky nuk është një rast i tillë”, thotë ai.

Në thelb Banka Botërore mbështet produktet e qymyrit vetëm në raste të veçanta, shtoi Olteri.

Kjo, sipas tij, bëhet vetëm atëherë kur nuk ka alternativa ekonomike të realizueshme për ta garanatuar sigurinë e energjisë.

Banka Botërore thotë se gjithashtu do të ketë edhe shumë projekte të tjera të cilat do të përkrahen

“Deponitë e hirit të hapur në Obiliq janë zhdukur, Banka Botëore financion projekte mbi efikasitetin e energjisë, projekte në bujqësi, në infrastrukturë, projekte në kadastër, në sektorin financiar, në shëndetësi dhe do të bëhen studime opcionale, mjedisore dhe sociale”, thotë ai.
Olteri flet po ashtu për Vlerësimin e Ndikimit Social si dhe për Kornizën Strategjike në Zhvillim dhe në Ndryshimet Klimatike (SFDCC), ku të gjashtë përjashtimet i defionon saktësisht. Nganjëherë Olteri ngatërron termet të cilat vetë i përdorë.

Banka Botërore do të mund që të përkrahë centralet e qymyrit atëherë kur nuk ka alternativa të tjera energjike dhe energjia të luajë një rol të rëndësishëm në zhvilllimin e përgjithshëm të vendit.
Gjithashtu kur qeveria dhe popullsia e vendit të jetë e këtij mendimi, u shpreh Olteri. “Nuk do të ndërtojmë këtu një termocentral tjetër, por ne përpiqemi që centralin aktual të vjetër, që ndot shumë mjedisin ta zëvendësojmë me një të ri, i cili përmbush standardet e mbrojtjes së mjedisit. Ky është një dallim i vogël.“

Jan Peter Olteri merr një broshurë shumëngjyrëshe nga dollapi: Grupi i Bankës Botërore në Kosovë, tetor 2014. Në tabelat dhe statistikat bien në sy veçanërisht dy gjëra që janë në rritje, numri i të papunëve dhe kërkesat e energjisë. Ah po, edhe mbështetja e Kosovës në zbatimin e Planit të Veprimit për Zhvendosjen.

Banka Botërore e ka harruar Haqif Shalën

Haqif Shala qëndron në Hade para gërmadhave të shtëpisë së tij. Ai e ndjen veten të tradhtuar nga Banka Botërore njëlloj sikur nga qeveria dhe KEK-u. Hadja nuk ka më supermarket, nuk ka furrë, as shkollë, të gjitha janë zhvendosur.

Hafif Shala nga fshati Hade kritikon Bankën Botërore në Kosovë (Foto: Karin Steinberger)

Shtëpitë e mbetura kanë çarje të mëdha në mure, autobusi qarkullon rrallë. Vendi nuk është as i vdekur, por as i gjallë.

Disa njerëz janë zhvendosur, por disa jo. Po të vazhdohet me “Kosovën e Re”, kjo zbrazëti do të rritet.
Shala jeton me familjen e tij disa kilometra më tej, në Haden e Re. Por as ky vend nuk është plotësisht i gjallëruar.

Shala mban në duar kontratën e tij të zhvendosjes të datës 17 mars 2011. Ai e ka nënshkruar atë, ngase ekskavatorët vetëm se ishin sjellë në afërsi për ta rrënuar shtëpinë e tij.

Po ashtu secili kishte marrë një broshurë, në të cilën shtëpitë e reja, xhamia e re, shkolla e re dhe rrugët e asfaltuara portretizoheshin. Një vend ideal, me gjelbërim, i pastër me qiell të bukur e të kaltër: Hadja e re.

Më 15 janar të vitit 2012 ai me gruan dhe pesë fëmijët e tij braktisi shtëpinë e prindërve të tij.

Ai qesh ende kur mendon për të gjitha premtimet që i ishin bërë. Po Banka Botërore? “Banka i ka besuar asaj që u ka thënë qeveria dhe KEK-u“.

Pastaj shkon Shala te shtëpia e një ish-fqinji të tij, shtëpia ka çarje muresh, por ende qëndron.
Fqinji thotë se ata kanë përçarë njëri-tjetrin kështu, në mënyrë që të luftojnë me ta individualisht dhe jo si grup të bashkuar.

Po ashtu edhe fqinji i tij punon në KEK. Punëdhënësi i tij prodhon rrymë, por në shtëpinë e tij nuk ka gjithmonë rrymë, por vetëm disa orë në ditë. Edhe familja e tij është lodhur nga kjo mënyrë e jetesës.
Popullsia e Hades e di se nuk duhet pritur asgjë nga qeveria. Por që edhe Banka Botërore nuk u ndihmon, këtë nuk mund ta kuptojnë.

Në vitin e kaluar, buxheti i grupit të Bankës Botërore ishte 65,6 milionë dollarë. Banka Botërore do të mund ta luftonte varfërinë këtu në Hade, thonë banorët e saj. Dhe kur ajo mbështet Kosovën në implementimin e Planit të Veprimit të Zhvendosjes, përse ajo nuk brengoset që të bëhet respektimi i saj?
Çfarë plani është ai, kur ata nuk e dinë se sa persona do të duhej të zhvendosen? 6000 apo 7000?
Shala e ka parë nga largësia njëherë Jan Peter Olterin.

Para pak kohësh Shala ka parashtruar pyetje se përse Olteri nuk vjen t’i takojë ata dha t’ua sqarojë se përse marrëveshjet nuk po zbatohen. Asnjëri prej tyre nuk ka kushte të mjaftueshme financiare për të angazhuar avokat për këtë çështje, por a nuk është Banka Botërore avokat i të varfërve?

Tre vjet Haqif Shala kishte pritur që t’i ndërtohet shtëpia në Haden e Re.

Në kontratë parashihej që atij do t‘i sigurohej ushqimi, do t’ia paguhej qiraja deri sa t’u ndërtohet shtëpia e re, por pesë muajt e fundit atij asnjëra nuk i është paguar.

Atij i është thënë se çdo gjë do të rregullohet kur të bartet në shtëpi.  Kur më 1 nëntor 2014, ai u zhvendos në shtëpinë e re aty kishte vetëm mure, ai bëri vetë instalimin e ujit dhe rrymës me shpenzimet e tij. Këto janë shpenzime të mëdha, për dikë që ka pak të holla. Disa nga shtëpitë fqinje janë pothuajse të zbrazëta.

“Ndërsa shkolla, spitali, xhamia ku janë? Unë nuk po i shoh askund”, thotë ai.

Disa trafo të betonuara qëndrojnë në mes të hyrjes së shtëpisë dhe vetura nuk mund të futet në garazhë.

Shala e di një gjë, “Banka Botërore nuk na ka ndihmuar neve fare“ thotë ai.

Përveç Haqif Shalës ankesa të ngjashme kanë edhe banorët tjerë të fshatit Hade. Gazeta Jeta në Kosovë raportoi në shkurt të vitit 2013 se banorët e zhvendosur të fshatit të qymyrit thonë se qeveria i la në rrugë duke ua ndërprerë kontratat e shpenzimeve ndonëse ende nuk u janë ndarë trojet në Shkabaj dhe kanë kritika për infrastrukturën e ndërtuar që ministria e mjedisit e vlerëson të punuar “me standardet më të larta”.

A nuk ka dështuar ky sistem?

Knud Vokingu nga Organizata për të Drejtat e Njeriut hulumton që 13 vjet të bëmat e Bankës Botërore, thotë: ”Banka Botërore ka standarde të mira të zhvendosjes, por çka u duhen ato kur nuk zbatohen?“

Kamboxhia

Në Kamboxhia dhe Laos, ku Banka Botërore përmes Korporatës Ndërkombëtare Financiare (IFC), që është degë e saj, ka financuar organizata private të cilat nuk janë shtetërore, si Koncernin vietnamez “Hoang Anh Gia Lai” me 16,4 milionë dollarë. Më mijëra hektarë tokë janë rrënuar në mënyrë të paligjshme dhe banorët janë larguar nga pronat e tyre. Këta banorë kanë bërë një ankesë te Banka Botërore në vitin 2014. “Ne duam t’i tregojmë Bankës Botërore se me paratë e tyre kanë shkatërruar jetën tonë,“ u shpreh një nga të prekurit në këtë ngjarje, Sal Hneui nga Kamboxhia.
“Ne kemi frikë se së shpejti nuk do të ketë më fare vend në këto toka për ne dhe kështu do të humbasim identitetin tonë. A e sheh Banka Botërore këtë si arritje?“

Honduras

Gjithashtu në Honduras ku IFC-ja po përkrahte ndërmarrjen gjigante të vajit të palmës, edhe pse gjatë dhënies së 30 milionë eurove kredi, kishte njohuri se pronari i ndërmarrjes Miguel Barjumi, një ndër personat më të pasur në Honduras, do të përvetësonte padrejtësisht tokën e shumë familjeve nga Garifuna.
Më shumë se 100 njerëz janë vrarë padrejtësisht gjatë kontesteve në Baxho Aguan Tal. Kështu, 15 milionë dollarë ishin paguar, ndërsa 15 milionët tjerë nuk i ishin dhënë.

Etiopi

Në Etiopi po ashtu, ku Banka Botërore që nga viti 2006 financonte, me saktësisht me dy miliardë dollarë një projekt mbi zhvillimin dhe shëndetësinë. Një pjesë e parave të destinuara për projektin e zhvendosjes ishte përdorur për qëllime të tjera nga qeveria etiopiane.
Personat të cilët refuzonin ishin rrahur, përdhunuar apo edhe vrarë. Me mijëra persona nga populli anuak ikën dhe ka ende prej tyre që jetojnë në kampet e refugjatëvë në Sudanin Jugor.
Banka Botërore kishte mohuar se ka lidhje mes këtyre projekteve, por një hulumtim i brendshëm kishte vënë në pah “një lidhje operative“ mes projekteve.

Indi

Rasi tjetër në Indi,  ku një Ombudsperson i IFC-së deklaronte se, nuk është bërë sa duhet për të mbrojtur një grup pakicë të peshkatarëve, të cilët jetojnë në pjesën më të madhe të Tata Mundra termocentralit të qymyrit të Kutqit. Për shkak tëderdhjes së ujërave të zeza të kontaminuara, sasia e peshqve u zvogëlua shumë. Mjetet e jetesës së peshkatarëve ishin shkatërruar. IFC-ja i kishte huazuar njëres prej koroporatave më të mëdha të energjisë në Indi – Tata Poëer – 450 milionë dollarë për ndërtimin e termocentralit. Me pëlqimin e presidentit të Bankës Botërore Xhim Jong Kimit, menaxhmeti i IFC-së ka refuzuar shumë prej ankesave të Ombuspersonit dhe ka mbrojtur veprimet e klientit të tyre.

Kosovë

Jan Peter Olteri nga zyra e tij në Kosovë thotë se: “Ekipet tona të ekspertëve monitorojnë se a po përmbushen obligimet e kontratës për zhvendosje në Hade.
Familjet e prekura duhet të zhvendosen në vende më të mira.

Banka Botërore po ashtu bën biseda të rregullta me personat përgjegjës dhe me familjet e prekura.
Haqif Shala qesh dhe thotë: “Ne asnjëherë nuk jemi takuar me ta“.

Banka Botërore përkrah termocentralin e qymyrit, ngase thotë se e ka pëlqimin e qeverise dhe të qytetarëve? ”Ah“, thotë Jeta Xharra, e vogël, e zëshme, e gatshme për të sulmuar.

Në zyrën e saj në Prishtinë, pranë universitetit, janë të ulur një grup qytetarësh,  pëlqimin e të cilëve Banka Botërore nuk e ka për të ndërtuar një termocentral të ri me qymyr.

Me vite të tëra Konzorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim  të Qëndrueshëm, KOSID  mundohet ta pengojë ndërtimin e “Kosovës C”.

Ata kërkojnë që “Kosova B” të modernizohet dhe janë të bindur se me masa efikase dhe rigoroze për kursimin e energjisë kjo do të mund të arrihej. Këta janë disa të rinj, seriozë, shumë të informuar dhe shumë të zemëruar. Në anën e tyre janë argumente të shumta.

Për shembull, hulumtimi i Daniel Kamenit, profesor në Universitetin e Kalifornisë, ka kalkuluar se 34% e nevojave të energjisë së Kosovës do të mund të mbulohej nga energjia e ripërtërishme. Me anë të saj do të hapeshin 60% më shumë vende të punës sesa me ndërtimin e një termocentrali të qymyrit. Ndërsa Profesori nga Berklli shton se “Kosova C” do të ishte një “trashëgimi katastrofale“ për këtë vend të ri.

“Kjo do të na lidhte këmbët neve edhe per 40 vjet të tjera me këtë lloj energjie të pistë“, u shpreh Visar Azemi, drejtor i KOSID-it, një i ri shumë i zgjuar që fliste rrjedhshëm gjuhën angleze.

“Çmimet e rrymës do të rriten drastikisht, pas ndërtimit të ‘Kosovës C’, e që si pasojë do të ketë pakënaqësi të qytetarëve, ngase ata nuk do të kenë më mundësi financiare ta paguajnë rrymën. Përdorimi i qymyrit thjesht nuk është më zgjedhja më e arsyeshme”, shton ai.

Basen qymyri që e përdor Korporata Energjetike e Kosovës (Foto: Karin Steinberger)

Banka vendos vetë se kur do t’u përmbahet rregullave, e kur jo. Kjo tingëllon pak despotike.

Jeta Xharra tund kokën, ajo e di cilat janë shpenzimet apo dëmet e anshme që i sjell investimi në qymyr.

Ajo është gazetare, nënë e dy fëmijëve dhe jeton në Prishtinë, 10 kilometra larg nga termocentrali.

Presidenti i Bankës Botërore Xhim Yongu gjatë fjalimit të tij për ndërtimin e ‘Kosova C’, ka thënë se arsyeja e ndërtimit të tij është se ne nuk mund t’i lejojmë njerëzit aty të vdesin nga të ftohtit në Kosovë.
Xharra do të dëshironte ta kishte presidentin në emisonin e saj televiziv dhe ta pyeste se ku janë pra këta njerëz, për të cilët po flet?

“Ata nuk po na marrin neve seriozisht. Na trajtojnë si fëmijë të vegjël. Ka shumë të paqarta, më nuk dihet se sa kandidatë janëpër ndërtimin e termocentralit, momentalisht ndoshta është një: “Contour Global”. Kjo është gjithashtu në kundërshtim me Ligjin mbi Prokurimin Publik, thotë Azemi.
Ndërsa teknologjia që ata duan ta përdorin është e një efikasiteti optimal 37%, si dhe është një teknologji shumë e vjetër.

Gazeta Jeta në Kosovë ka raportuar lidhur me tenderin e Qeverisë për ndërtimin e termocentralit të ri që u procedua me shpalljen fitues të vetëm një operatori në garë. Artikulli “Kosova e Re- Ligji Shpërfillet për Ofertën Amerikane”, u publikua më 19 janar të këtij viti.

Lidhur me këtë çështje ka shumë pyetje. Janë pyetje që po ashtu në muajin mars janë parashtruar në një seancë të vogël në parlament: A po e përkrah parlamenti projektin për ndërtimin e “Kosovës së Re”?
Mbi të gjitha, Gjermania është dhuruesja e katërt më e madhe e parave pas Britanisë së Madhe, ShBA-së dhe Japonisë. Tatimpaguesit gjermanë subvencionojnë Bankën Botërore çdo tri vjet, e së fundmi në vitin 2014 me 1,6 miliard euro. Instituti për Dhënien e Kredive (KfË) dhe Shoqëria Gjermane për Investime dhe Zhvillim (DEG), ndajnë çdo vit shumë miliona për projektet e Bankës Botërore.

Llogoja e tyre: Bankë me Përgjegjësi

Gjermania ka një ulëse në Drejtorinë Ekzekutive të Bankës Botërore, një organ që voton më shumë se 600 projekte në vit. Ministri i Zhivillimit potencon se Gjermania ka një “pozitë të rëndësishme“ dhe një “ndikim të madh“ në vendimet e grupit të Bankës Botërore. Megjithatë vetëm disa vota negative nuk mund ta pengojnë atë, por janë një simbol i rëndësishëm. Që nga fundi i vitit 2013, Gjermania ka refuzuar disa projekte.

Natyrisht ka shumë projekte të Bankës Botërore ku asnjë person nuk duhet të zhvendoset, por numri i projekteve ku shumë njerëz duhet të zhvendosen po rritet shpejt.

Gjithnjë e më shumë janë duke u përkrahur projekte të mëdha të digave dhe të tubacioneve të naftës, si pasojë e të cilave shumë njerëz humbin të gjitha pronat, vendlindjet e tyre, punën, madje edhe shëndetin e tyre.

Në udhëzimet e Bankës Botërore thuhet se njerëzit duhet të zhvendosen vetëm atëherë kur atyre t’u ofrohen mjete të jetesës po aq të mira sa kishin, apo edhe më të mira. Standardet shoqërore dhe mjedisore duhet t’i mbrojnë banorët vendasë dhe t’u ofrojnë siguri gjatë procesit të zhvendosjes.

Që tre vjet Banka Botërore po ripërpunon ato që i quan “Safeguards“, apo masat mbrojtëse. Ky proces filloi në vitin 2012, menjëherë pasi Xhim Jong Kim mori postin e presidentit të Bankës Botërore, i cili më parë i takonte Robert Zollik-ut.

Pritjet për Kimin ishin të mëdha. Më në fund  në krye të këtij institucioni erdhi një burrë që nuk është politikan, por një doktor që angazhohej në luftën kur AIDS-it në Afrikë dhe i cili po ashtu vetë kishte protestuar kundër Bankës Botërore.

I lindur në Korenë Jugore e që është rritur në ShBA, Kim Jongu fliste me pasion për metodat e reja të bashkëpunimit me njerëzit. Ai premtoi kontrolle të ashpra dhe se si shumë kredi të dhëna do të duhet të shkurtoheshin. Me t‘u paraqitur drafti i parë i Masave Mbrojtëse (SafeGuards), 318 organizata ngritën ankesa. “Oxfam” dhe “Amnesty International “shkruan se: “Rregullat e reja do e kthejnë politikën e mbrojtjes 30 vjet prapa“.

Masat mbrojtëse përbëjnë vetëm një pjesë të projekteve, të drejtat e popujve vendas mund të  cenohen, bordi mund të miratojë projekte në të cilat ende është e paqartë se kush do të duhet të zhvendoset.

Dokumentacionet janë të përpiluara me plot mangësi.

Miratohen ato projekte të cilat janë teknikisht dhe financiarisht të mundshme. Kjo lë hapësirë të madhe për lojëra. Banka vendos vetë se kur do që të zbatojë rregullat dhe kur jo. Kjo duket të jetë mjaft despotike. Ndërsa përgjegjësinë e merr marrësi i kredisë.

Knud Vokingu nga Urgeëaldi në lidhje me këtë tha: “Përjashtimet e shumta e kanë dëmtuar këtë rrjet të sigurt. Banka Botërore duke holluar në këtë formë rregullat, ka bërë që edhe bankat e tjera zhvillmore të zbusin masat e tyre mbrojtëse, ngase ato e marrin Bankën Botërore si orientim“. Pastaj e gjithë kjo i prek miliona njerëz.

Organizatat joqeveritare prej kohësh kritikojnë strukturat e Bankës Botërore, duke thënë se ato janë të ndërtuara mbi baza profitabile.

Konkurrenca po forcohet gjithnjë e më tepër, duke shtyrë në treg banka të tjera zhvillimore, të cilat kanë standarde sociale shumë më të ulëta. Çështja ka të bëjë me ”Race to the bottom“ – (Garë për t’i ulur standardet), një garë që shpie drejt humnerës.

Madje edhe në një raport të vitit 1992 ekzistonte çështja e presionit për të dhënë hua. Paratë duhet patjetër të qarkullojnë. “Punëtorët e Bankës nuk do të vlerësohen pastaj në bazë të asaj se sa të mira janë projektet, por si të lëshohen në qarkullim sa më shumë para dhe sa më shpejt që është e mundur“, thotë Knud Vokingu.

Uwe Kekeritz, zëdhënësi për politikën zhvillmore nga Aleanca 90/Partia e Gjelbër thotë: “Unë shoh aty një problem struktural. Banka Botërore ka shumë para. Ajo duhet që ato para t’i investojë, ndërsa në anën tjetër konkurrenca rritet. Në treg ata thjesht janë të detyruar që paratë e tyre t’i heqin qafe.“
Jean Sigleri potencoi se: ‘Mes Bankës Botërore dhe Ëallstreet-it ekziston një simbiozë totale.“

Jean Sigleri shpesh Organizatën Botërore të Tregtisë, Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankën Botërore i emëron si “Tre kalorësit e apokalipsit të urisë. Ka një simbiozë totale mes Bankës Botërore dhe Ëallstreet-it. Kjo Bankë, në asnjë mënyrë nuk është një bankë e të varfërve, por është një bankë e cila financon infrastrukturën në vendet e varfëra për korporatat e mëdha.“

Është e ditur se shumë projekte nuk u ndihmojnë as të varfërve e as ekonomisë vendore, por më së shpeshti përfitojnë korporatat e mëdha, gjithashtu edhe ekonomia gjermane.

Vitin e kaluar të hyrat e korporatave gjermane në projektet e Bankës Botërore arrinin shumën e më tepër se 300 000 dollarëve. Shumë persona të cilët kishin ngritur padi në organet kompetente, u kthyen pas duarbosh.

Menaxhmenti vendos vetë se a do të pranojë të gjeturat e organeve kontrolluese si dhe a do të paguajë kompenzimet apo jo. Për këtë çështje 77% e punëtorëve të grupeve të Bankës Botërore shprehen se menaxhmenti vlerëson se a janë respektuar rregullat e masave mbrojtëse apo jo.

Në po atë vend ku gjithashtu duhma e tymit nuhatet, veprojnë aktivistët e KOSID-it. Ata kanë të dhëna e argumente, ata duan të bisedojnë për të ardhmen e Kosovës. Atyre askush nuk u ka treguar se çfarë teknologjie do të përdoret për ndërtimin e “Kosovës C”. Frymëmarrja e rënduar e Jeta Xharrës u bë e dukshme.

Lidhur me teknologjinë që do të përdoret për “Kosovën C”, ata u kishin thënë: “Më e mira që ekziston dhe ju duhet të jeni të lumtur. Më lejoni t’ua sqaroj se si ndjehem kur flas me këta persona. Më duket sikur ne jemi llomat e Evropës dhe se ne, idiotët e botës së tretë thuajse duam një ferrari, por ishim dashur të jemi të lumtur me çkado që ata na sjellin neve”, thotë Xharra.

Jeta Xharra, para katër vitesh e gjysmë, shkroi në Gazetën Jeta në Kosovë kolumne ku alarmonte se dështimi i një projekti të Bankës Botërore për një termocentral të madh qymyri në Afrikën e Jugut është shembulli që tregon se përse nisma e Bankës Botërore në Kosovë nuk duhet të përkrahet.

Rastet e Shkeljes së të Drejtave të Njeriut nga Banka Botërore

1: Brazil

Banka investoi në një digë. 35 familje u detyruan ta braktisin vendin e tyre tek lumi Mundau. Për dallim nga vendi i tyre në Gamelerira, te vendi i ri ku ata u vendosën, nuk kanë qasje në ujë të pijshëm dhe vendi karakterizohet me thatësira. Deri më sot, katër vjet pas zhvendosjes, çdo familje jeton me 36 litra ujë në ditë. Fondi i dhënë: 237 milionë dollarë amerikanë.

2. Nigeri

Banka Botërore ka financuar një projekt për zhvillimin e qytetit në Lagos, ku në Lagjen Badia e Lindjes me qindra shtëpi u rrënuan. Rreth 9000 persona u dëbuan pa paralajmërim. Banka ka pranuar një pjesë të fajit.
Fondi i dhënë: 200 milionë dollarë amerikanë.

3. Honduras

Kompania më e madhe e naftës “Dinant” pranoi një kredi nga dega e Bankës Botërore IFC-ja. Ajo kishte njohuri se ekzistojnë konflikte për pronën mes popullit dhe kompanisë “Dinant”. Në këto konflikte deri më sot kanë vdekur rreth 100 persona.
Fondi i dhënë: 15 milionë dollarë amerikanë, ndëra 15 milionë të tjerë janë anuluar.

4. Ugandë

IFC-ja degë e Bankës Botërore kishte përkrahur një projekt për plantacionin e pyjeve, ku 20000 individë të kompanisë “Neë Forest” ishin dëbuar nga puna. Ata kishin bërë një ankesë pastaj palët kishin rënë dakord për një plan të kompenzimit. Fondi i dhënë: 7 milionë dollarë amerikanë.

5. Keni

Banka Botërore në vitin 2007 ka përkrahur një program të mbrojtjes së resurseve të pyjeve në Keni (KFS). KFS-ja dëboi me qindra banorë të Sengverit në kodrat e Qerenganit, më shumë se 500 shtëpi janë djegur dhe 45 banorë të Sengverit janë arrestuar. Fondi i dhënë: 68,5 milionë dollarë amerikanë.

6. Indonezi

IFC-ja degë e Bankës Botërore kishte investuar në kompaninë e vajit të palmës në Vilmar. “PT Asiatic Persada” kishte shkelur masivisht të drejtat e njeriut. Në vitin 2011, në Jambi u dëbuan 83 njerëz nga plantazhet si dhe shtëpitë e tyre u rrënuan.
Fondi i dhënë: 62.5 milionë dollarë.

7. Shqipëri

Konflikti: Me dhjetëra banorë të regjionit të Jalës në vitin 2007 u dëbuan me dhunë për një projekt të pastrimit të bregdetit. Një komision shqyrtues i Bankës pranoi të këtë pasur “lidhje të drejtëpërdrejtë“ në procesin e rrënimit të shtëpive. Palët e prekura në këtë rast nuk kanë marrë ende asnjëlloj kompenzimi për dëmin e shkaktuar.
Fondi i dhënë: 17,5 milionë dollarë.

8. Indi- IFC-ja, degë e Bankës Botërore i ka dhënë një kredi siguruesit më të madh të energjisë në Indi, Tata Poëer-it, për të financuar ndërtimin e një centrali të qymyrit në Gujarat. Ujërat e derdhura të zeza kanë ndotur mjedisin përreth. Sasia e peshqve, prej së cilës peshkatarët varen, është zvogëluar dukshëm. Fondi i dhënë: 450 milionë dollarë.

9.Etiopi- Banka Botërore kishte përkrahur një projekt për zhvillim dhe shëndetësi për banorët e Anuakit. Komisioni i brendshëm për rishikim kishte gjetur një “lidhje të drejtpërdrejtë“ mes parave të investuara dhe dëbimit të dhunshëm të dy milionë qytetarëve të Anuakit. Shumë individë janë rrahur, dhunuar dhe vrarë.
Fondi i dhënë: 2 miliardë dollarë

Në këtë hulumtim gati njëvjeçar punuan gazetarë të Konsorciumit Ndërkombëtar për Gazetarët Hulumtues (ICIJ). Në këtë tekst kontribuan Giulia Afiune, Jeanne Baron, Ben Hallman, Michael Hudson, Jacob Kushner, Anthony Langat, Besar Likmeta, Friedrich Lindenberg,Musikilu Mojeed, Cécile Schilis-Gallego, Shane Shifflett, Elisabeth Weydt, Barry Yeoman.

 

Artikulli u botua fillimisht në gazetën gjermane “Süddeutsche Zeitung”.Artikulli është përkthyer nga Forumi për Iniciativë Qytetare (FIQ).

 

Më poshtë mund të lexoni artikuj të Gazetës Jeta në Kosovë lidhur me ndërtimin e termocentralit Kosova e Re.

 

Kosova e Re- Ligji Shpërfillet për Ofertën Amerikane

Ambasadori Holandez Hedh Dyshime Mbi Tenderin për “Kosova C”

“Zarfi” i Bankës Botërore për Termocentralin “Kosova e Re”

Mësimet e Afrikës së Jugut për Energjinë

Zhvendosja e Zbatuar nga Qeveria Zgjat 9 Vjet