Kufiri Shqipëri-Kosovë, një shteg për kontrabandën e cigareve dhe ilaçeve

Përgjatë vijës së gjelbërt të kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës, shtigjet e rrahura nga këmbësorët dhe gjurmët e kafshëve tradhtojnë kontrabandën që lulëzon mes dy vendeve.

Degëzimet “ilegale” që lidhin fshatin Morinë të Kukësit me Vërmicën e Prizrenit ndodhen jo më larg se 600 metra nga dogana; një vend i mbushur me policë dhe i pajisur me teknologji të lartë amerikane për monitorimin e vijës kufitare.

Megjithatë, përmes këtyre shtigjeve kalojnë thuajse çdo natë njerëz dhe kuaj të ngarkuar me cigare, ilaçe apo produkte kozmetike kontrabandë.

Një banor i Morinit, i përfshirë prej 10 vitesh në trafikun e cigareve mes dy vendeve i tha BIRN-it në kushte anonimiteti se kontrabandistët ndjekin më së shumti dy prej rrugëve për t’i shpëtuar policisë.

“Në rrugën e parë mbi doganë kalojnë kafshët e gjalla, të ngarkuara me cigare,” thotë burri në mesin e të 40-ave, teksa pret ngarkesën e tij të mbërrijë nga ana shqiptare e kufirit.

“Shtegu i dytë, ai që kalon nga Foleja e Shqiponjës përdoret për mallrat me vlerë si ilaçe, kozmetikë apo konfeksione,” shton ai.

Kontrabandisti shpjegon se transporti bëhet me krahë ose me kuaj, në orët e vona të natës. Ai shton se rreziku merret përsipër nga një person, i cili shoqëron mallin. Të tjerët shërbëjnë për të kontrolluar rrugën, për të mbledhur kafshët apo për të çuar drejt destinacionit final mallin e kontrabanduar.

Përmes intervistave me zyrtarë të policisë dhe personave të përfshirë në trafik, BIRN mësoi se volumin më të madh të kontrabandës nga Shqipëria në drejtim të Kosovës e përbëjnë cigaret dhe medikamentet mjekësore.

Me të mbërritur në tregjet e Kosovës, paketave të cigareve u vendosen pulla fiskale të falsifikuara. Ndërsa ilaçet shiten pa ndërhyrje nëpër farmacitë e Kosovës.

Megjithatë, lista e mallrave që kalojnë kontrabandë është shumë më e gjatë. Sipas policisë kufitare të Vërmicës në Kosovë, nga Shqipëria kontrabandohen gjithashtu municione gjuetie dhe armësh, marijuanë si dhe produkte kozmetike.

Rruga e kundërt, nga Kosova drejt Shqipërisë përshkohet zakonisht nga mallrat e akcizës. Ndër to, kafeja është produkti më i preferuar për t’u kontrabanduar.

Kufiri Shqipëri-Kosovë ka shërbyer prej vitesh si një nyjë e kalimit të mallrave kontrabandë mes dy vendeve. Megjithatë, forcimi i masave në doganë i ka detyruar kontrabandistët të hapin shtigje të reja përgjatë kufirit të gjelbërt.

Toger Shaban Osmanollaj, që drejton stacionin e policisë kufitare të Vermicës në Kosovë pranon për BIRN se kontrabanda mes dy vendeve bëhet përmes shtigjeve në afërsi të fshatrave kufitare të Shqipërisë.
Por ai ngulmon se policia kufitare ka vullnetin dhe mjetet për ta luftuar kontrabandën.

“Në pikat ku dyshojmë se realizohet kontrabanda kemi vendosur kamera termike dhe fotoaparate, të cilat na sjellin imazhe në bazë brenda 5 sekondash,” thotë Osmanollaj për BIRN. Sipas togerit kosovar, aparaturat moderne përcjellin në kohë reale të dhëna për dhunimin e kufirit dhe kjo vë në lëvizje Togun V për mbikqyrjen kufitare.

Përveç policisë kufitare të Kosovës, aparaturat moderne ndihmojnë edhe policinë shqiptare për të luftuar kontrabandën. Gjatë vitit 2014 dhe në fillim të 2015, policia e Kosovës i ka përcjellë Shqipërisë materiale fotografike të personave që kryejnë kontrabandë në kufi, të cilët janë në proces hetimi.

BIRN ka siguruar disa fotografi të fiskuara nga kamerat e policisë kosovare, të cilat tregojnë një person të ngarkuar me çantë shpine teksa kalon kufirin e gjelbërt. Në fotografinë e dytë shfaqet një kalë i ngarkuar me thasë të mëdhenj, që kryen të njëjtin veprim.

Drejtori i Policisë së Kukës, Alban Çela thotë se materialet fotografike të ardhura nga Kosova po trajtohen me seriozitet. “Mbi këtë problem po heton sektori i Luftës kundër Krimit Ekonomik,” pohon ai.

Edhe pse përpjekjet për kontrabandë mallrash janë të shpeshta, policia e Kosovës beson se ka vullnetin dhe mjetet moderne për të luftuar këtë fenomen dhe çdo lloj tjetër abuzimi që ndodh në kufi.

“Ne po zbatojmë praktikat më të mira të ruajtjes së kufirit në kuadër të liberalizimit të vizave,” thotë Osmanollaj për BIRN.

Gjatë vitit 2014, policitë kufitare të dy vendeve kanë zbuluar 38 raste të kontrabandës së mallrave nga Shqipëria drejt Kosovës dhe anasjelltas. 65 persona kanë rënë në pranga, pasi akuzohen për kontrabandimin e cigareve, ilaçeve, produkteve kozmetike apo municioneve.

“Pjesa më e madhe e të arrestuarve kanë qenë banorë të Kukësit dhe persona të minoritetit rom, të cilëve u është ndaluar hyrja në Kosovë,” thotë Osmanollaj.

Një fakt të tillë e pranon edhe kryetari i doganës së Morinit, Edvin Kepi. Ai thotë se policia e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës kanë kryer disa patrullime në terren dhe kanë realizuar operacione të përbashkëta.

“Bashkë me togerin Osmanollaj kemi inspektuar shpesh shtigjet prej nga bëhet kontrabanda,” thotë Kepi për BIRN.

Megjithatë, shefi i doganës së Morinit nuk është i kënaqur sa homologu i tij kosovar për mundësitë që ka në luftën kundër kontrabandës. Ai pohon se Shqipërisë i mungojnë pajisje të tilla moderne, të cilat janë instaluar në anën tjetër të kufirit.

“Do t’i kërkojmë edhe ne ndihmë ambasadës amerikane, që pajisje të tilla të vendosen edhe në pjesën e Shqipërisë,” përfundon Kepi.