Nënshkrimi i Dyshimtë në Kontratën 3.3 Milionëshe

Nënshkrimi i ish-rektorit të Universitetit të Prishtinës, Mujë Rugova, figuron në një kontratë milionëshe të lidhur me një firmë maqedonase më 2 tetor të vitit 2012.

Përderisa te nënshkrimet e të gjitha palëve nënshkruese të kontratës figuron edhe data kur është bërë  nënshkrimi, kjo nuk ka ndodhur edhe te hapësira ku është nënshkruar Rugova.

Kontrata është nënshkruar nga përfaqësuesi i firmës maqedonase, ish-rektori Rugova, ish-ministri i arsimit Ramë Buja dhe Xhavit Dakaj, sekretari i kësaj ministrie.

Kontrata është  lidhur mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe të Teknologjisë (MAShT), Universitetit të Prishtinës (UP) dhe shtëpisë botuese Tabernakul Cvetan Ltd. & Co Import-Export nga Shkupi i Maqedonisë.

Kontrata  peshon 3 milionë e 385 mijë e 324 euro dhe obligon firmën maqedonase që të bëjë furnizimin me libra shkencorë të përkthyer në gjuhës shqipe për nevojat e Universitetit të Prishtinës.

Kjo kontratë parasheh që kjo shtëpi botuese t’ia sjellë UP-së 150 tituj librash shkencorë në gjuhën shqipe me nga një mijë ekzemplarë, apo gjithsej 150 mijë sosh.

Nënshkrimit të kontratës i parapriu nënshkrimi i një memorandumi mes MAShT-it dhe UP-së më datën 27 shtator të vitit 2012, katër ditë para përfundimit të mandatit të Mujë Rugovës.

Mujë Rugova dhe shënimi i datave

Ish-rektori Rugova jep arsyetimin e tij për mungesën e datës te nënshkrimi i tij.
Thotë se nuk e ka shprehi ta bëjë atë.

“Jo nuk i shënoj datat. Zakonisht çdo akt që më ka ardhur, ka ardhur me datë – diplomat, vërtetimet…, etj”, e arsyeton ai nënshkrimin e tij pa datë.

Por ai në një moment demanton veten për shprehinë për të mos vënë datë.

Ai më t’u ulur në tavolinë gjatë intervistës me ekipin e Gazetës Jeta në Kosovë nxjerr stilolapsin dhe një bllok të vogël dhe e shënon datën e takimit me pronarin e firmës.

Ishte 22 shkurti i vitit 2010 kur e takoi biznesmenin maqedonas.

Por prapëseprapë insiston se nuk shkruan datë kur nënshkruan diçka.

“Unë e kam shprehi të shkruaj data kur blej libra. Kudo që ta blej, ia shënoj qytetin dhe datën kur e blej”, shton ai. “E kam shprehi të vë datë, por në libër kur e blej, ndryshe jo”, thotë më tej ai.

Ish-rektori insiston se kontratën milionëshe e ka nënshkruar më 28 shtator 2012, dy ditë para se ta lë postin e rektorit.

“Më 28 shtator 2012 unë e kam nënshkruar këtë kontratë. E di që nuk kam vënë datë se nuk kam vënë datë në asnjë nënshkrim në atë universitet”, thotë ai.

Ndonëse palët tjera kontratën e kanë nënshkruar më 2 tetor, dy ditë pasi Mujë Rugova nuk i printe UP-së, ish-rektori e pranon se kontratën e ka nënshkruar në të njëjtën ditë bashkë me palët tjera.

“Po, po, kemi qenë të gjithë në tavolinë. Por nuk i kam shikuar datat e atyre”, shtoi ai.

Por kur i kërkuam atij që ta dëshmojë se e ka nënshkruar kontratën më 28 shtator 2012, ai dëshmi e konsideron deklaratën e tij.

“S’keni çka ta dëshmoni. Është me rëndësi që është nënshkrimi i rektorit dhe është me rëndësi fjala ime që unë e kam nënshkruar më 28 shtator 2012”, shprehet ai.

Kontrata me “Burimin e Dreqit”

Krejt historia e kontratës milionëshe për blerjen e librave nisi më 22 shkurt 2010, kur Rektoratin e viziton një njeri i moshuar me mjekër.

Ky njeri ishte Cvetan Vrazivirski – pronari i shtëpisë botuese “Tabernakul” nga Shkupi i Maqedonisë, i cili më vonë lidhi kontratë milionëshe me MAShT-in dhe UP-në.

“Ky projekt e ka një histori që fillon më 22 shkurt 2010. Diku kah ora 10:30 – 11:00 paradite më lajmëron sekretaria dhe me thotë se ka ardhur një njeri nga Maqedonia, me mjekër, i moshuar, Cvetan Vrazivirski. Ai kishte sjellë si mostër nja 15 tituj të këtyre librave të përkthyera në gjuhën shqipe”, rrëfen ish-rektori Mujë Rugova.

Më pas rektori thotë t’i ketë premtuar  Vrazivirskit se do të interesohet për blerjen e këtyre librave.

Rugova nuk heziton që mbiemrin e “njeriut të moshuar me mjekër” ta përkthejë. Mbiemri i tij, sipas Rugovës i bie “Burim i Dreqit”.

Ardhja e Ramë Bujës në krye të Ministrisë së Arsimit (MAShT) bëri që Mujë Rugova të komunikonte dhe ta jetësonte projektin për librat shkencorë.

Mujë Rugova thotë se me Ramë Bujën janë shokë të ilegales përkatësisht Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK), paraardhëse e krahut politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ish-rektori thotë se me Bujën gjeti mirëkuptim lidhur me këtë projekt.

 “E thërras Vrazivirskin dhe i them se tash është ndërruar ministri. Besoj se ky djali (Ramë Buja), e njoh prej lëvizjeve të pajtimit si djalë të veprimit dhe për mua, është i kuptueshëm dhe atë çka e thotë edhe ka me e ba”, i kishte premtuar rektori Rugova “njeriut me mjekër dhe të moshuar”, me të cilin thotë se për herë të parë u pa më 22 shkurt 2010 në Rektorat.

Kjo kontratë ishte diskutuar edhe në Kuvendin e Kosovës më 20 dhjetor të vitit 2012.

Bazuar në transkriptin e kësaj seance, ministri i atëhershëm i Arsimit, Ramë Buja, kishte bërë të ditura detajet e kësaj kontrate, si përgjigje ndaj deputetit të “Vetëvendosjes”, Afrim Kasolli, rreth mungesës në UP të librave shkencorë bashkëkohorë, të përkthyera në gjuhën shqipe.

Ndër të tjera, ministri Buja, kishte konfirmuar se kontrata është nënshkruar më 2 tetor 2012.

“… Departamenti i Prokurimit i MAShT-it ka lidhur kontratë më 2.10.2012 me Shtëpinë Botuese “Tabernakul” të Shkupit, në vlerë prej 3 milionë e 385 mijë e 324 eurove. Furnizimi ka të bëjë me blerjen e titujve shkencorë, duke përfshirë fushat e mjekësisë, shkencave të natyrës, ekonomisë dhe shkencave shkencore më pak”, pati deklaruar Ramë Buja.

Meqë, 2 tetori 2012 ishte data e nënshkrimit të kësaj kontrate, që i bie të jetë nënshkruar në kohën e Ibrahim Gashit – pasardhësit të rektorit Mujë Rugova, Gazeta Jeta në Kosovë kërkoi përgjigje edhe prej tij.

Gashi u kontaktua nëpërmjet telefonit dhe diskutoi lidhur me problemin, por kërkoi që pyetjet t’i dërgohen me shkrim dhe premtoi se do të përgjigjej së shpejti.

Ai nuk e bëri këtë dhe nuk u përgjigj më në thirrjet telefonike dhe SMS-të e dërguara.

As shtëpia botuese “Tabernakul” nuk ka dhënë asnjë koment rreth kësaj kontrate, pavarësisht insistimit të gazetës.

Përgjigje ende nuk ka dhënë as Ramë Buja përkundër dërgimit të pyetjeve me e-mail, SMS-ve e thirrjeve telefonike të bëra nga ekipi i Gazetës Jeta në Kosovë.

Përgjigje nuk ka dhënë ende as Xhavit Dakaj, sekretar në Ministrinë e Arsimit dhe një prej nënshkruesve të kontratës me kompaninë maqedonase “Tabernakul”.

Mujë Rugova shënoi gol në minutën e fundit

Ish-rektori i Universitetit të Prishtinës, Mujë Rugova, shfaqet edhe dashamir i sportit. Sidomos i pëlqejnë golat që shënohen në minutat e fundit të lojës.

Kur Gazeta e pyeti atë se sa është etike që krejt në fund të mandatit-ashtu siç pretendon ai- të nënshkruhet një kontratë milionëshe, për ilustrim ai e përmend lojën e futbollit në të cilën shënohet gol në minutën e fundit të lojës.

“Ju i shihni lojërat e futbollit, në minutën e fundit të lojës shtesë shënohet goli dhe ra pipi, u  kry kjo punë”, e arsyeton ai veprimin e tij që thotë ta ketë bërë më 28 shtator të vitit 2012.

 “Baba i librave”

Ish i pari i UP-së, Mujë Rugova, nënshkrimin e kontratës milionëshe për librat shkencorë e arsyeton edhe ndryshe.

Thotë se e nënshkroi kontratën për  ta çuar në vend mundin e tij gati 2-vjeçar për blerjen e 150 mijë ekzemplarëve të librave.

Madje nuk heziton që veten ta quajë edhe si “baba i librave”.

“Baba i këtyre librave jam unë”, thotë ai.

Edhe pse asokohe ministri i Arsimit, Ramë Buja, i doli në fjalë dhe kontrata për këtë projekt u nënshkrua, ka diçka që ia ka prishur qejfin Mujë Rugovës.

Ai thotë se askush nuk e ka ftuar as në ceremoninë kur ka arritur kontingjenti i parë i këtyre librave.

“Mua askush nuk më ka ftuar në konferenca për shtyp, veç çka kam parë në televizor dhe e kam ndier veten shumë të fyer”, thotë “baba i librave”.

Kontrata me “Tabernakulin” ishte e negociuar

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe e Teknologjisë, si autoritet kontraktues, kishte lidhur kontratë me shtëpinë botuese “Tabernakul” nga Shkupi i Maqedonisë në vlerë prej 3,385.324 eurove me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë.

MAShT-i thotë se procedura e negociuar u zhvillua për shkak se nuk kanë pasur mundësi tjetër t’i sigurojnë këta tituj.

“Duke qenë se Shtëpia Botuese ‘Tabernakul Cvetan & Co Import- Export’ nga Shkupi, e ka pasur të drejtën e përkthimit autorial  të librave shkencorë (titujve) të kërkuar nga UP-ja, MAShT-i nuk ka pasur mundësi tjetër për të siguruar këto tekste, prandaj ka zhvilluar procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë me këtë shtëpi botuese”, thuhet në përgjigjen e MAShT-it.

Kontrata parasheh që obligimi financiar ndaj “Tabernakulit” të bëhet gjysma nga Ministria dhe gjysma nga UP-ja.

MAShT-i thotë se hisen e saj e ka paguar. Tashmë ka mbetur pjesa që i takon UP-së.

“MAShT i ka kryer të gjitha obligimet financiare që ka pasur në bazë të marrëveshjes mes MAShT-it dhe UP-së për blerjen e këtyre librave shkencorë, ndërsa pjesën tjetër, sipas marrëveshjes, duhet ta paguajë UP-ja”, thuhet në përgjigjën e Zyrës për Media të Ministrisë së Arsimit.

Ndërsa UP-ja e pranon se deri më tash vetëm Ministria e Arsimit ka paguar obligimet ndaj kësaj kontrate.

“Sa i përket kompensimit financiar, deri më tani ato janë mbuluar nga MAShT-i për shkak të situatës financiare në të cilën është gjetur UP-ja”, thotë Durim Berisha, zëdhënës i UP-së.

Kontrata ka qenë 2 vjeçare – që do të thotë se është dashur të përmbushet deri më 2 tetor të vitit 2014.
Për shkak se nuk është kryer obligimi financiar ndaj shtëpisë botuese “Tabernakul”, furnizimi me libra ka mbetur në gjysmë.

Sipas Ministrisë së Arsimit, deri më tani janë pranuar 83 tituj të librave me nga 1 mijë ekzemplarë për secilin – me gjithsej 83 mijë copë, kurse kanë mbetur pa u pranuar edhe 67 tituj librash apo 67 mijë ekzemplarë.

MAShT-i e pranon se afati për përmbushjen e kësaj kontrate ka kaluar dhe këtë ajo mendon ta vazhdojë me një aneks kontratë, në mënyrë që furnizimi me libra shkencorë të përfundojë ashtu siç është paraparë.

“Afati për realizimin e kësaj kontrate ka qenë 2-vjeçar. MAShT-i po pret negocimin për aneks-kontratë, në mënyrë që të përmbyllet furnizimi me këto libra ashtu sikur është paraparë. Kontrata nuk është përmbushur ende, sepse MAShT-i nuk ka pasur mjete të mjaftueshme për pagesat e faturave në tërësi dhe për këtë çështje furnizuese (kompania) ka sjellë vetëm aq tituj sa ka pasur mundësi të paguajë MAShT-i”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Media të Ministrisë së Arsimit.