Dosja F

Në qershor të vitit 2014 Ministria e Shëndetësisë hapi ofertat e këtij tenderi.

Oferta e Kompanisë NTP “Friends” edhe pse u vlerësua e dyshimtë për falsifiim dokumentesh kaloi të gjithë filtrat shtetërorë të prokurimit për ta fituar zyrtarisht tenderin me dokumentacion jovalid.

Kjo ofertë “përbiroi” nëpër prokurimin e Ministrisë së Shëndetësisë, Organit Shqyrtues të Prokurimit, Agjencisë Kundër Korrupsion, Njësitit për Luftim të Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës dhe Agjensionit Kosovar për Produkte dhe Pajisje Medicinale.

Keqpërdori mi do të mbetej i pavërejtur sikur për këtë tender të mos vinte një informatë në platformën për raportim të korrupsionit, KALLXO.com dhe emisioni “Drejtësia në Kosovë” i transmetuar të premten të mos hulumtonte rastin.

Në këtë dosje të tenderit të MSh-së kompanitë duhej të garantonin se materiali dhe pajisjet medicinale do ishin cilësore dhe të prodhuara apo të regjistruara në në Amerikë, Kanada, Japoni, Izrael,  Australi, Turqi, vendet e BE-së dhe ato të Shengen-it.

Për ta dëshmuar se malli do vinte nga një vend i BE-së, kompania N.T.P. “Friends” në Ministrinë e Shëndetësisë kishte dorëzuar një autorizim i cili dëshmonte se pajisjet që do silleshin në Kosovë ishin të prodhuara nga kompania Johnsons & Friends. Sipas dokumenteve të dorëzuara në ministri, kjo kompani ishte e regjistruar në Londër.

Kriter tjetër i tenderit ishte që kompanitë tenderuese duhej ta dëshmonin kualitetin e materialeve dhe produkteve të ofruara përmes certifikatës së cilësisë të lëshuar nga TUV-gjerman, një organizatë që kujdeset për cilësinë e produkteve mjekësore. Kompania “Friends” kishte dorëzuar në Minstrinë e Shëndetësisë tri certifikata të TUV-it.

Pas hapjes dhe gjatë analizimit të dosjes, zyrtarët e prokurimit në MSh, kishin pasur dyshime rreth dokumenteve të kompanisë N.T.P. “Friends”. Autorizimi nga prodhuesi nuk kishte vulë dhe prodhuesi ishte regjistruar si fabrikë kineze.

Këto dyshime mjaftuan që zyrtarët e prokurimit në Ministrinë e Shëndetësisë ta shpallnin ofertën e “Friends”-it të papërgjegjshme.

Mirëpo, ishte Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik, ai i cili pak kohë më vonë vendosi se ankesa e kompanisë N.T.P. “Friends” ishte e bazuar.

Së paku në 18 nga 40 lotet për të cilat ishte paraqitur ankesa nga “Friends”, OshP-ja kishte konsideruar se nuk ka falsifikim dokumentesh.

Përpos që 18 lote u kthyen për rivlerësim në  Ministrinë e Shëndetësisë, OshP-ja e kishte dërguar edhe kërcënimin se: “nëse nuk zbatoheshin vendimet e saj, Ministria do dënohej me 5 mijë euro dhe zyrtarit të prokurimit do t’i merrej licenca”.

Pas kësaj, zyrtarët e prokurimit në MSh i ishin bindur urdhrit të OshP-së dhe ministri Ferid Agani e kishte nënshkruar kontratën me kompaninë N.T.P. “Friends”.

Pronarët e Kompanisë “Friends” mohuan dyshimet për falsifikim dokumentesh.

 “Dëshirojmë të ju konfirmojmë se i gjithë dokumentacioni i FRIENDS Medical i dorëzuar pranë Ministrisë së Shëndetësisë është original, valid dhe lehtë i verifikueshëm”, thuhet në përgjigjen e kthyer nga N.T.P. “Friends”.

Pronarë të kësaj ndërmarrjeje janë Irena dhe Armend Selimi. Selimi edhe më parë ka pasur probleme me ligjin, pasi qe arrestuar nën dyshimet për keqpërdorime në tenderin e furnizimit me armë për policinë.

Pajisje kineze “të veshura” me prejardhje angleze

Ekipi i “Drejtësisë në Kosovë” për të verifikuar vlefshmërinë e certifikatave të lëshuara nga TUV-i gjerman për produktet medicinale me të cilat N. T. P. “Friends” do ta furnizojë M. Sh-në, kërkoi qasje në dosjen e këtij tenderi.

Certifikata e parë e deponuar në Ministri të Shëndetësisë thotë se titullar i saj është “Johnsons & Friends Group Corporation” me seli në Londër dhe është valide deri në vitin 2015. Por, në TUV-in gjerman  shpjegojnë se e njëjta certifikatë kishte skaduar që në vitin 2012.

 “Kjo certifikatë ka skaduar në tetor të vitit 2012, ndërsa sot, kjo certifikatë mban emrin e kompanisë kineze Enxhi Spenq”, thonë zyrtarët e TUV-it gjerman të kontaktuar nga “Drejtësia në Kosovë”.

Certifikata e kompanisë angleze  në të vërtetë është zëvendësuar më një të re, e cila përpos numrit të ri serik tash e ka pronare kompaninë me seli në Kinë.

Edhe certifikata e dytë me të cilën kompania N.T.P. “Friends” e ka fituar tenderin për furnizim me material dhe pajisje mjekësore për listë esenciale, ka rezultuar të jetë e falsifikuar.

Ndërsa certifikata e tretë e “Friends”-it, për dallim nga dy të parat të cilat rezultuan të falsifikuara, ka dalë të mos ekzistojë fare. Përgjigjja e TUV-it për të  është: “Not Valid”.

Kompania  “Johnsons & Friends Group Corporation” me bazë në Londër nuk iu përjigj interesimit të “Drejtësisë në Kosovë” për punën e certifikatave.

Falsifikimin e certifikatave e mohuan edhe pronarët e N. T. P “Friends” në Kosovë, duke thënë se kështu u kanë ardhur nga prodhuesi në Londër.

 “Në MSH kemi dorëzuar dokumentacionin e plotë të pranuar nga prodhuesi “Johnsons&Friends” për aktivitetin në fjalë, përfshirë certifikatat në të cilat referoheni”, thanë në “Friends”.

Tash ish-ministri i Shëndetësisë Agani, edhe pse vetë nënshkroi kontratën premtoi hetime të reja rreth saj.

 “Tani më kjo është çështje e cila po merr dimensione të reja. unë si ministër do ta shfrytëzoj mundësinë time ligjore, meqenëse tenderi veç është nënshkruar që t`i drejtohem Komisioni Rregullativ të Prokurimit Publik, i cili është i vetmi organ që heton zbatimin e kontratave dhe do të kërkoj nga ta një këshillë se si do të procedohet më tutje në situatën konkrete”, tha Ferid Agani.

Arianit Jakupi, U.D. i kryeshefit të Agjencisë Kosovare për Produkte dhe Pajisje Medicinale – AKPPM, bëri me dije se kompania N.T.P “Friends” ka leje të importit të pasijeve medicinale nga Kina.

 “Deklaratat e kësaj komopanie janë se prodhuesi nga i cili do t`i sjellë mallrat është “Johnsons & Friends” me origjinë nga Kina. Po ashtu të gjitha certifikatat e analizës dhe të kualitetit janë nga Kina, dhe ka hyrë në Kosovë si mall me origjinë nga Kina”, tha Arianit Jakupi .

Jakupi deklaroi se certifikatat e TUV-it gjerman të përdorura nga N. T. P. “friends” për ta fituar tenderin, mund të jenë të falsifikuara.

 “Ne i kemi verifikuar dhe përgjigjet që i kemi marrë, janë se ka dyshime të bazuara se mund të ketë certifikata të falsifikura, për të cilën gjë ne do të vazhdojmë bashkëpunimin me Policinë e Kosovës”, tha Jakupi.

Për Hysni Hoxhën, kryetarin e Organit Shqyrtues të Prokurimit autorizimet e Kompanisë “Friends” ishin në rregull.

 “Ne nuk kemi dyshu në autorizimin e operatorit ekonomik ankues, sepse i njëjti i ka plotësu të gjitha kërkesat që ka kërku autoriteti kontraktues. Dhe pikërisht për këtë dyshim ne konform ligjit të Prokurimit e kemi kthyer lëndën në rivlerësim dhe ne kemi vërtetu ankesën e Operatorit Ekonomik vetëm ëpr 18 lote, jo për aq sa është ankuar”, tha Hoxha.

Ekipi i “Drejtësisë në Kosovë” ka hulumtuar edhe bazën e të dhënave “Company House” ku regjistrohen bizneset e Britanisë së Madhe për të mësuar më shumë për Kompaninë “Johnson & Friends”.

Kjo kompani, sipas shënimeve në këtë bazë, është regjistruar tre muaj pasi që ka aplikuar në tender përmes partnerit të vet kosvoar “Friends”, në pronësi të Irena dhe Armend Selimit.