Tenderi që Njollosi Pasaportën e Shtetit

Tenderi kryesor u hap në shkurt të 2011 dhe në maj të të njëjtit vit OeSD-ja u njoftua se kishte fituar tenderin.

Tenderi për prodhimin e pasaportave biometrikë të kosovarëve, me vlerë prej 14 milionë e 127 mijë e 3.24 euro u nënshkrua në datën 17 qershor 2011.

Në fillim dukej si një nga qindra tenderët tjerë që i japin institucionet e vendit për kompanitë e vendit dhe të huaja, por shumë shpejt u kthye në skandal që krijoi një lëmsh në qeveri e gjykatë.

Ishte paraparë të ishte njëri ndër hapat kryesorë që do të plotësonte kërkesën e Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave, por doli të jetë një nga skandalet më të mëdha dhe më të përfolura në Kosovën e pasluftës.

Ndonëse, një projekt i rëndësishëm për Kosovën, vëmendjen më të madhe mediatike e përfitoi tek pas arrestimit të shtetases gjermane, Natali Velija.

Ajo u arrestua me 12 nëntor 2012 dhe që nga ajo kohë është në paraburgim. Natali Velija pronare e kompanisë “Consulting Eu” ishte arrestuar nën dyshimin se ka marrë 1.4 milion euro dhe nuk i ka transferuar në llogarinë e kompanisë austriake “Osterreichische Staatsdruckerei” (OeSD), e cila ishte fituese e tenderit 14 milionë eurosh për prodhimin e pasaportave biometrike të Republikës së Kosovës.

Bashkë me Veliajn, ishin arrestuar edhe dy shtetasit kosovarë, Fisnik e Betim Blakaj.

Pas arrestimit të Natali Velijas mediat raportuan se ajo kishte thënë se këto para ishin dhënë mitë, por për të treguar se kujt ia kishte dhënë këto para kishte kërkuar mbrojte dhe kishte kërkuar rolin e dëshmitares bashkëpunuese.

Ajo pretendonte se të gjitha 1.4 milionët i ka transferuar në kontot e zyrtarëve të lartë në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe një zyrtari të Ambasadës Austriake në Kosovë, ashtu siç i kishte e kishte udhëzuar kompania austriake OeSD.

Avokati i Natali Veliajt në atë kohë, Tomë Gshi, kishte kërkuar që ky rast të gjykohet nga EULEX-i por kjo fillimisht ishte refuzuar.

Lidhur me rastin e Veliajt kishte pasur një debat me akuza e kundërakuza në mes të avokatit të Veliajt dhe prokurores së rastit, Drita Hajdari.

Prokurorja e rastit të Natali Velijat pati akuzuar avokatin Tomë Gashi se po pengonte procesin hetimor duke publikuar informata të cilat i ka mësuar si mbrojtës i Veliajt. Gashi pati reaguar duke e quajtur prokuroren “argat mbrojtës apo engjëll mbrojtës të zyrtarëve të MPB-së”. Ai gjithashtu ka paralajmëruar edhe rrjedhën e përgjimeve të ndërlidhura me MPB-në.

Disa ditë pas arrestimit të Veliajt, Ministri i asaj kohe i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi kishte shkarkuar këshilltarin e tij politik Sedat Gashi, dhe kishte pezulluar me pagesë kryeshefin ekzekutiv të Agjencisë për Regjistrim Civil, Blerim Camajn dhe drejtorin e Departamentit për Prodhim të Dokumenteve, Besnik Berishën.

 “Shkarkimi i këshilltarit Gashi, është bërë për shkak të mospërmbushjes së detyrave dhe përgjegjësive si këshilltar politik, ndërsa pezullimi për zyrtarët, Camaj dhe Berisha, për shkak të keqmenaxhimit dhe marrëdhënieve të këqija ndërnjerëzore me stafin”, thuhej në një komunikatë shpërndarë medieve nga MPB-ja.

Skandali i pasaportave vazhdoi dhe më tej kur Ministria e Brendshme e Kosovës shkëputi kontratën me kompaninë austriake OEsD, për furnizim me pasaporta biometrike. Shkëputja e kontratës ndodhi pasi të dyja palët nuk u morën vesh se kush duhet t’i paguajë 354 mijë euro taksa Doganës së Kosovës. Për 1.4 milion eurot që kompania austriake pretendon se nuk i kanë shkuar në llogari, e MPB-ja thotë se i ka paguar, u la të vendosë gjykata.

Për çka akuzohen?

Prokuroria Speciale e Kosovës, në këtë rast e përfaqësuar nga prokurori Andreë Hughes me datë 7 nëntor 2013 lexoi aktakuzën kundër të akuzuarve.

Sipas aktakuzës, grupi i udhëhequr nga Natali Velija dhe Fisnik Blakaj akuzohet se shpërndante paratë nëpër një rrjet të kompanive private të ndërtimit që nuk paguanin obligimet ndaj shtetit. Aktakuza e ngritur ndaj grupit përshkuan se si qindra mijëra euro shpërndaheshin nëpër rrjetin e kompanive të tyre për të fshehur origjinën e parave.

Sipas akuzës, qëllimi i tyre ishte që”ta fshehin natyrën dhe origjinën e parave të vjedhura”.

Në aktakuzë thuhet se Natali Veliaj dhe Fisnik Blakaj themeluan e udhëhoqën grupin kriminal ku bënin pjesë edhe Betim Blakaj, Nazmi Thaçi, Ergyn Dogan dhe Imer Fazlia. Jakup Blakqori, Sefedin Shala dhe Hashim Shala.

Grupi akuzohet për përfshirje në krim të organizuar në rastin e skandalit të kontratës së furnizimit me pasaporta të Ministrisë të Punëve të Brendshme nga kompania austriake OESD.

Shtetasja gjermane Natali Velija, e pandehura kryesore në këtë çështje fillimisht akuzohej për nëntë vepra të ndryshme penale duke përfshirë krimin e organizuar, pastrimin e parave, vjedhjen e rëndë, mashtrimin, shmangien nga tatimi, shpërdorimin, keqpërdorimin e besimit, falsifikimin dhe rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve.

Por më pas trupi gjykues i kryesuar nga Malcolm Simmons vendosi më 3 shkurt 2014 që disa pika të aktakuzës të mbeten, e disa të bien.

Mbrojtja e të pandehurve kërkonte që të hidhen poshtë të gjitha akuzat ndaj grupit dhe lirimin e tyre.

Sipas vendimit të trupit gjykues, shtetasja gjermane Natali Velija u gjykua për krim të organizuar, pastrim të parave, mashtrim dhe shmangie nga tatimi.

Gjykata rrëzoi pretendimet e prokurorisë se Velija ka kryer edhe veprat penale: vjedhje të rëndë, shpërdorim, keqpërdorim të besimit, falsifikim dhe raste të posaçme të falsifikimit të dokumentit.

Akuzat për pranim të mallrave të vjedhur ndaj Fisnik Blakaj, Betim Blakaj, Ergyn Dogan, Imer Fazlija dhe Nazmi Thaçi u hodhën poshtë. Ndërsa akuza për krim të organizuar, pastrim parash dhe shmangie nga tatimi do të mbeten.

Po ashtu, Jakup Blakqorit, Sefedinin dhe Hashim Shalës, u mbeten akuzat e njëjta-pranim të mallrave të vjedhura dhe shmangie nga tatimi, për të cilat dyshoheshin edhe nga prokuroria

Fisnik Blakaj, Ergyn Dogan, Imer Fazlija dhe Nazmi Thaqi akuzoheshin për krim te organizuar, shpëlarje parash, pranim të mallrave të vjedhura, dhe evazion fiskal. edhe Betimi Blakaj po akuzohej për këto vepra pos evazionit fiskal.

Jakup Blakqori, Sefedin Shala dhe Hashim Shala akuzoheshin për pranim te mallrave të vjedhura dhe evazion fiskal.

Të gjithë të akuzuarit u patën deklaruar të pafajshëm pas leximit të aktakuzës.

Veprimet e të akuzuarve sipas aktakuzës

Natali Velija akuzohet se nga data 13 dhjetor 2011 deri në nëntor 2012 me vetëdije nuk ka transferuar përafërsisht 1 milion e 420 mijë e 255 euro, që ajo në mënyrë të kundërligjshme ka pranuar në xhirollogarinë e sajë bankare nga ana e MPB-së, e që duhej transferuar kompanisë OeSD.

Velija, sipas aktakuzës tërhoqi 470 mijë e 900 euro, nga këto para në bankomat (ATM).

Velija sipas aktakuzës me ndihmën e Fisnik Blakajt, transferoi 669 mijë euro të këtyre parave në disa të ashtuquajtura “kompani”.

Gjithashtu sipas aktakuzës Velija në bashkëkryerje me Fisnik Blakajn transferoi 342 mijë euro, për të përmbushur shpenzimet dhe borxhet e veta dhe të Fisnik Blakajt, përfshirë edhe blerjen e një apartamenti në vlerë prej 77 mijë euro për të pandehurën Velija, 39 mijë euro për kompaninë “Fimex” të të pandehurit Fisnik Blakaj dhe 20 mijë euro për kompaninë e derivateve “FIB Oil” të Betim Blakajt.

Procesi Gjyqësor

Pas ngritjes së akuzës dhe leximit të saj, të gjithë të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm. Mbrojtja kërkoi hedhjen poshtë të akuzës ndërsa gjykata vlerësoi se vetëm disa nga pikat e akuzës (të përshkruara më lartë) të hidhen poshtë, ndërsa të tjerat qëndruan.

Numri i madh i të akuzuarve dhe pikat e akuzës me të cilat ata ngarkohen, qysh në fillim bënë me dije se ky do të ishte një proces i gjatë, dhe tejet i mundimshëm për të gjithë të involvuarit.

Qysh në fillim mbrojtja e të akuzuarve u ankua se materialet e dorëzuara nga Prokurori i rastit në CD nuk po hapeshin, ndërsa Prokurori u arsyetua me faktin se bëhet fjalë për material voluminoz me 44 dosje dhe mbi 15 mijë faqe dokumente.

Në këtë rast dëshminë e tyre e dhanë akterët kryesorë të përfshirë në këtë rast, duke filluar nga ish-ministri i MPB-së e deri te drejtori i OeSD-së.

Reinhart Gausterer, drejtori i përgjithshëm i kompanisë austriake OeSD dëshmoi më 3 qershor 2014.

Gausterer në dëshminë e tij tregoi se si pas vonesave të pagesave në vazhdimësi kishte kontaktuar dhe pyetur të dyshuarën Velijaj lidhur me vonesat dhe në vazhdimësi kishte marrë përgjigjen se këto ishin vonesa normale dhe se të gjitha detyrimet ndaj OeSD-së do të përmbusheshin.

Gausterer tregoi se pas vonesave të pagesave i kishte telefonuar ambasadorit austriak në Kosovë, për t’ia aranzhuar një takim me ministrin e Punëve të Brendshme Bajram Rexhepin.

Gausterer në dëshminë e tij fajësoi Natali Velijan se ka falsifikuar edhe faturat në emër të OeSD-së, duke paraqitur si prova para prokurorit këto fatura. Ai tha se faturat origjinale që OeSD-ja ia kishte dërguar Velijas, ndryshonin prej faturave false.

Gausterer pastaj tha se Fisnik Blakaj asnjëherë nuk kishte punuar për OeSD-në.

 “Jo ai asnjëherë nuk ka qenë i angazhuar nga OeSD-ja, ai në të shumtën e rasteve që jam takuar me Natalinë ka qenë i pranishëm, por unë kam menduar se është shoferi i saj”, tha Gausterer.

Me rastin e dëshmisë së tij avokati i Natali Veliajt e pyeti Gaustererin se pse i kishte paguar një pagesë prej 200 mijë eurove Natalisë para se të nënshkruhej kontrata.

Gausterer tha se ishte normale që para se të shpallej fituesi i tenderit të dihej se kush ishte fituesi potencial dhe pastaj ishte një periudhë në të cilën tenderuesit tjerë mund të ankoheshin.

Në këtë rast nuk kishte se si të mungonte as dëshmia e njeriut të parë të MPB-së, Ministrit Bajram Rexhepi.

 “Ka pasë spekulime nga mediat se buxheti i Kosovës është dëmtuar 1.4 milionë euro. Kjo nuk është e vërtetë, sepse ne i kemi marrë pasaportat dhe i kemi pagu, por paratë nuk kanë shkuar në destinacion final”, tha Rexhepi në dëshminë e tij.

Ai tregoi në gjykatore se sa ka paguar ministria për pasaportat.

 “3.7 milionë janë paguar nëpërmjet nënkontraktorit dhe në fillim nuk ka pasur reagime nga OeSD-ja, por kur kanë filluar të mungojnë paratë e kanë kontestu autorizimin që OeSD-ja ia ka dhënë Natali Veliajt”, shpjegoi Rexhepi.

Rexhepi tregoi edhe për suspendimet pas plasjes së skandalit.

 “Unë e kam suspendu drejtorin e Agjencisë së Regjistrimit Civil, Camaj, ndërsa suspendimin e drejtorëve të Departamentit të Prodhimit dhe Prokurimit e ka bërë sekretari [i ministrisë]. Unë i kam suspenduar edhe tre këshilltarë për shkak të performancës”, shtoi Rexhepi.

Dëshminë e tij e kishte dhënë edhe shefi i shitjeve ndërkombëtare të OeSD-së Gerhard Vastl, ai tha se kompania austriake ishte tronditur dhe tradhtuar nga shumat që në emër të OeSD-së kishte marrë Natali Velija.

Natali Velija dhe të akuzuarit tjerë gjatë shqyrtimit kryesor vendosën të mbroheshin në heshtje, duke ja lënë barrës e provës Prokurorisë.

Fjalët Përfundimtare

Prokurori – Prokurori i rastit Andrew Hughes, para trupit Gjykues elaboroi një fjalë përfundimtare mjaft voluminoze, me gjithsej 65 faqe, e që prezantimi i kësaj fjale përfundimtare mori tri ditë e gjysmë.

Prokurori gjithashtu të gjithë aktakuzën e paraqiti me anë të diagrameve duke u munduar që ta bëjë sa më të thjeshtë gjithë skemën e grupit të organizuar kriminal, veprimet e tyre, rrjedhën e parave, që ai pretendon ta kenë bërë të akuzuarit në këtë rast.

Prokurori Hughes, në një rast i quan “tren që s’ndalej” , mënyrën e shpenzimit të parave nga të akuzuarit.

Prokurori kërkoi që të gjithë të akuzuarit të shpallen fajtor dhe të dënohen në mënyrë meritore.

Mbrojtja

Pafajësinë e klientëve, përmes fjalëve përfundimtare e pretenduan të gjithë avokatët mbrojtës të të akuzuarve.

Mbrojtja e Natali Veliajt, e përbërë nga avokatët Ali Beka dhe Nuhi Paqarizi deklaruan se u shfrytëzua naiviteti i të mbrojturës së tyre.

 “Kjo me të vërtetë ka qenë një punë e orkestruar nga vetë përfaqësuesit e OeSD-së, por e realizuar nëpërmjet Natali Veliajt. Duke shfrytëzuar naivitetin e saj nuk janë lënë gjurmë të dhënies së mitës fillimisht për fitimin e tenderëve dhe më pas për mosrealizimin e saj konform kontratës“, u tha nga mbrojtja e Veliajt

Ata këtë situatë figurativisht e argumentuan me këtë thënie “Natalisë ia lanë këmbët e arushës në dorë”.

Mbrojtja thotë se Natalia shumën e mjeteve prej 1 milion e 420 mijë euro nuk i ka pranuar në mënyrë të kundërligjshme, sepse kjo ka qenë e përcaktuar në autorizimin e OeSD-së dhe varësisht nga rrjedha e punës autorizimi është ndryshuar/zgjeruar”, tha mbrojtja e Veliajt.

Për ta mbështetur këtë fakt, avokatët e Veliajt thanë se ajo qenë përgjegjëse edhe për pagesat e MPB-së për OeSD.

 “Se Natalia ka qenë përgjegjëse e dëshmon edhe fakti se në autorizim është përcaktuar ‘të gjitha obligimet financiare të OeSD në Kosovë do të shqyrtohen nga përfaqësuesi ynë zyrtar “, tha mbrojtja e Veliajt.

Mbrojtja kërkoi nga gjykata që Natali Velija të lirohet nga akuza.

 “Kërkoj që Natali Veliajn ta lironi nga akuza dhe t’ia ndërprisni masën e paraburgimit, sepse nuk është provuar se i ka kryer veprat penale për të cilat është akuzuar”, thuhet në fjalën përfundimtare të mbrojtjes.

Mbrojtja e Natalisë në fund pati edhe një dedikim për Prokurorin e rastit.

 “Drejtësia me të vërtetë na qenka një ‘rrjet i merimangës që i lëshon buajt e i ndal mizat’ e kjo vlen për prokurorin i cili hetimet i çoi deri në një pikë dhe i ndali”, përfundon fjalën e saj përfundimtare mbrojtja e Veliajt.

Pafajësinë e të mbrojturve të tyre e proklamuan edhe avokatët e të akuzuarve tjerë, atë kërkuan hudhjen e akuzave që ngarkojnë të mbrojturit e tyre edhe lirimin e tyre.

Verdikti

Pas një procesi gjyqësor maratonik, që zgjati gati dy vjet, me një numër të madh të akuzuarish, secili prej tyre me nga disa pika të akuzës, një procesi ku u dëgjuan me dhjetra dëshmitarë, ndër ta edhe ministri Rexhepi, verdikti final i këtij rasti shumë të përfolur i cili Kosovës i qiti një hije të keqe dhe e largoi atë nga procesi i liberalizimit të vizave, pikërisht e kundërta e asaj që synohej të arrihej me këtë tender. Data e shpalljes së aktgjykimit do të jetë 18 dhjetori.