Kosova përballet me krizë të re energjetike gjatë dimrit

Guri Shkodra, një zëdhënës për kompaninë e furnizimit me energji elektrike, KEDS, tha se Kosova po përballet me një krizë energjetike këtë dimër si pasojë e një incidenti në qershor, në impiantin Kosova A të elektricitetit.

“Importimet janë rritur shumë ndërsa prodhimi ka rënë ndjeshëm,” tha ai. “Çmimi i energjisë së importuar është gjithashtu dy deri në tre herë më i lartë se energjia e prodhuar në impiantet e energjisë në Kosovë,” tha Shkodra për Balkan Insight.

Shpërthimi në impiantin Kosova A në qershor vrau dy persona, plagosi disa të tjerë dhe shkaktoi dëme të mëdha.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë vendosi të rrisë çmimin e energjisë me 5 për qind në mënyrë që të kompensojë dëmin e shkaktuar nga shpërthimi.

Mbi 30.000 persona firmosën një peticion që kundërshtonte rritjen e çmimit të energjisë, ndërsa grupe nga shoqëria civile paralajmëruan për protesta në rrugë.

Situata e furnizimit me energji u përkeqësua edhe më shumë të hënën si rezultat i një ndalese të papritur në një nga objektet e prodhimit të energjisë në vend. Pjesë të kryeqytetit, Prishtinës, dhe shumë zona të tjera mbetën për disa orë pa elektricitet.

Duke paralajmëruar se gjendja e energjisë do të bëhet më kritike, KEDS i ka bërë apel qytetarëve të përdorin me ekonomi energjinë.

Pothuajse e gjithë energjia e gjeneruar në Kosovë vjen nga dy impiante qymyri, Kosova A dhe Kosova B, që kanë një kapacitet rrjeti operativ nga 840 deri në 900 MW (megavat).

Kosova ka pasur vazhdimisht probleme me energjinë, veçanërisht gjatë dimrit, kur shumica e vendit nuk ka energji për disa orë në ditë.

Impianti Kosova A do të mbyllet në vitin 2018 për shkak se çlirimet e tij në atmosferë besohet se paraqesin dëme serioze për shëndetin. Megjithatë, pak presin që kjo të ndodhë në afatin e caktuar.