Përballja e Shtetit me Biznesin e Toleruar të Naftës

Shkrimi fillimisht është publikuar më: 29.09.2014

Ka mbetur vetëm edhe një ditë deri në ditën e fundit të tolerancës shtetërore për kompanitë e derivateve të naftës. 

ATK-ja ka përcaktuar datën 1 tetor si afatin e fundit deri kur naftëtarët duhet të pajisen edhe me arka fiskale të specializuara për biznesin e karburanteve, përveç instalimit të arkave të zakonshme që përdoren edhe nga marketet e restorantet.

Por naftëtarët në një takim të mbajtur të premten më 19 shtator kanë bërë plane se si t’i kundërvihen ATK-së. 

Shoqata e Naftëtarëve vendosi që të dorëzojë në EULEX një kërkesë për nisjen e hetimeve lidhur me mënyrën e krijimit të monopolit në shitjen e arkave speciale. 

“Kjo kompani (Gekos) bashkë me ATK-në po bënë presion te ne për vendosje të arkave. Pra i bëjmë thirrje EULEX-it ta hetojë këtë rast”, tha për Gazetën Jeta në Kosovë Ramadan Maloku, përfaqësues i kompanisë “Racional”, me bazë në Prishtinë. 

Gjoba për mosvendosje të pajisjeve fiskale është 1 mijë euro për secilën pompë të shitjes së derivateve që e ka në pronësi kompania e naftës.

Fiskalizimi i 760 biznese të shitjes së derivateve me arka speciale, kishte filluar në mars 2012. Planifikohej të përfundonte në qershor të vitit 2012.

Por prej nisjes kanë kaluar 2 vjet e 6 muaj dhe ende nuk ka përfunduar ky proces.

Fiskalizimi me arka speciale është paraparë nga ATK-ja, pasi që ndihmon në vendosjen e pajisjeve brenda pompave të shitjes dhe mundëson bartjen e të dhënave në ATK në baza ditore. 

Arkat e zakonshme mundësojnë raportimin vetëm në baza javore.

Derisa ATK-ja pret datën 1 tetor për të parë se a po ndryshojnë mendje  naftëtarët, ekspertë të ekonomisë kritikojnë shtetin për krijimin e kësaj situate. 

Sipas tyre shteti nuk është dashur të tolerojë naftëtarët që të operojnë pa arka fiskale dhe po ashtu është  dashur që të hapë tregun për operimin e sa më shumë kompanive që shesin arka fiskale. 

Ekspertët: Shteti po toleron naftëtarët

Ibrahim Rexhepi thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se shteti, nuk guxon të hezitojë për implementimin e projektit për fiskalizim.

“Pa fare dyshim, nuk janë të barabartë subjektet e fiskalizuara, me ato që ende nuk kanë hyrë në këtë proces dhe këtë nuk duhet ta tolerojë shteti”, tha Rexhepi.

Sipas Rexhepit, kjo duhet te vlejë edhe për tregtarët me karburante.

“Tatimi askund nuk paguhet me dëshirë. Mirëpo, shteti duhet të gjejë mënyrën se si të vjelë tatimin – më lehtë dhe pa dëmtuar tatimpaguesin”, tha Rexhepi.

Rexhepi thotë se nëse nga tregtarët e natës shteti  kërkon të investojnë kaq shumë para në një pajisje, e cila është në interes të shtetit, atëherë duhet të ofrohen edhe forma stimuluese “Të subvencionojë çmimin e arkës fiskale, ose të futë në treg më shume operatorë, ku konkurrenca do ta ulë çmimin”, tha ai.

Venera Demukaj ligjëruese e ekonomisë në Universitetin Amerikan në Kosovë (AUK), thotë se shteti po i vendosë kompanitë e naftës në pozitë të pafavorshme duke zvarritur procesin e fiskalizimit me arka speciale fiskale.

“Nëse Administrata Tatimore ka qenë dukshëm e vendosur për të implementuar në terësi procesin edhe për mikrobiznese  që kanë një realizim tejet të ulët në baza vjetore, nuk ka asnjë justifikim për të kursyer nga ky proces tregtuesit e naftës, të cilët kanë nivel dukshëm me të lartë të qarkullimit vjetor”, thotë Demukaj. 

Sipas saj kundërshtimi i naftëtarëve për t’u mosfiskalizuar me arsyetimin se ka monopol në shitjen e arkave është pjesërisht i qëndrueshëm.

“Një argument i tillë do të kishte kuptim vetëm nëse i tërë komuniteti i biznesit do të reagonte i organizuar me synim që të thyejë këtë monopol”, tha ajo. 

Shoqata e Naftës: Ka monopol dhe arkat janë të shtrenjta 

Sipas mbledhësit të tatimeve (ATK-së) fiskalizimit me arka speciale nuk i janë nënshtruar një numër shumë i madh i pompave të derivateve.

Zyra për Informim e ATK-së, në një përgjigje dhënë Gazetës Jeta në Kosovë javën e kaluar tregoi se ende nuk janë pajisur 117 pika të shitjes së karburanteve që janë në pronësi të tatimpaguesve të mëdhenj, nga 181 pika të shitjes sa janë gjithsejtë.

“Kurse vetëm 64 prej tyre janë  pajisur me arkë fiskale të paraparë për karburante”, tha Valentina Bytyqi-Sefa, zyrtare informimi në ATK.

Ndërkaq Fadil Beriani, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës dhe pronar i “Dilloni Benz-it”, thotë se naftëtarët nuk do të pajisen me arka speciale derisa të mos zhbëhet monopoli.

“Kompania që i vendosë ato- ‘Gekos’ i ka çmimet shumë të larta, nga 15 mijë deri në 20 mijë euro janë shumë më të larta se në rajon”, tha Beriani.

Sipas Berianit, në disa takime që kishin zhvilluar gjatë muajve mars-prill edhe ministri Besim Beqaj e kishte pranuar se ekziston monopoli.

Ministria e Financave mohon pretendimet e Berianit.

“Asnjëherë gjatë takimeve me përfaqësuesit e Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës nuk kemi thënë se është krijuar monopol në tregun e fiskalizimit”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Megjithatë, kompanitë e naftës ankohen se po u bie që të shpenzojnë shumë nëse pranojnë të pajisen me arka speciale.

“Unë kam 6 dispanzerë, nëse llogaritet çmimi që ofron ‘Gekos-i’, rifiskalizimi do të më kushtoj deri në 20 mijë euro”, tha Fehmi Asllani, pronar i “Interas Petrol” në Kastriot.

Kompania “Gekos” përmes një përgjigjeje me shkrim tha se çmimet e arkave 

varen nga numri dhe specifikat teknike që kanë  dispenserët (aparatet prej të cilave mbushet automjeti me karburant).

“Çmimi real për 2 dispenserë është 5 mijë e 600 euro, për 3 dispenserë 7 mijë e 200, ndërkaq për 4 dispenserë 8 mijë e 700 euro“, thuhet në përgjigjen e kësaj kompanie.

ATK-ja mohon se ka monopol 

Ndërkaq Administratata Tatimore e Kosovës mohon se është vetëm një kompani që shet arka speciale. 

“…deri tash janë certifikuar pajisjet e dy kompanive, ‘Printec’ dhe ‘GEKOS’, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të Administratës Tatimore të Kosovës.

Por një gjë të tillë  mohohet nga Shoqata e Naftëtarëve.

 “Kompania ‘Gekos’ është për momentin e licencuar, është e vetmja deri tash që ofron arkat speciale për kompani të naftës”, thotë Fadil Beriani, kryetar i Shoqatës. 

Fisnik Mahmutaj, përfaqësues i Kompanisë ‘Printec’, tha se kjo kompani ka bërë fiskalizim të kompanive të shitjes së karburanteve. 

“Qëndrimi i naftëtarëve se në treg është vetëm ‘Gekos’ është qesharak”, tha ai.

Por kur tregoi se cilës kompani i ka shitur arka speciale deri më tash, numëroi vetëm tri të tilla. Ndërkaq janë mbi 60 kompani të naftës që janë pajisur me arka speciale fiskale.

Ndërkohë Beriani, kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve pretendon se qeveria qëllimisht nuk lejoi kompanitë tjera që të shesin arka fiskale duke krijuar kështu hapësirë për monopol të “Gekos-it”. 

Ai tha për Gazetën Jeta në Kosovë se “Global Trade” nga Ferizaj ka bërë përpjekje të pasuksesshme për t’u futur në tregun e fiskalizimit në Kosovë. Kompania ka më shumë se katër muaj që pret një përgjigje në kërkesën e saj.

Në kërkesën e Global Trade që mban datën 17 prill 2014, të cilën e posedon Gazeta Jeta në Kosovë kompania informon institucionet përgjegjëse se sistemi i saj kompjuterik është i aftë për të menaxhuar pikat e shitjes së karburanteve.

Shpejtim Hasani, zyrtar i kësaj kompanie thotë se qeveria nuk ka qenë e interesuar për licencim të kompanive të reja në projektin e fiskalizimit. 

Sipas Hasanit, një gjë të tillë i kishin thënë edhe zyrtarët për Arkat Fiskale në Ministrinë e Financave, Rifat Hyseni  dhe Agim Qela, gjatë takimeve që kishin pasur.

“Sepse as qeveria nuk ka interes për shtimin e operatorëve, më thanë në takime”, tha Hasani t’i kenë thënë zyrtarët për Arka Fiskale Rifat Hyseni  dhe Agim Qela.

Por akuzat e Hasanit i mohuan zyrtarët e Komisionit të Arkave Fiskale që përbëhen nga përfaqësues të ATK-së dhe MF-së.

“Në asnjë moment nuk është përmendur se qeveria nuk ka interes për shtimin e operatorëve”, thuhet në përgjigjen e zyrtarëve të Komisionit për Arka Fiskale.

Ndërsa sa i përket kërkesës së “Global Trade-it”, Komisioni për Arka Fiskale thotë se kompanisë i janë prezantuar kriteret dhe kushtet specifike që duhet të plotësohen.

“Përfaqësuesve të kompanisë u është shpjeguar se për t’u certifikuar një sistem fiskal, ai duhet të kompletohet si sistem në tërësi, jo vetëm si komponentë apo si një softuer“, ka qenë përgjigjja e komisionit. 

“Produkti i kësaj kompanie mund të këtë mundësi të inkorporohet në zgjidhjet e operatorëve të tjerë”, vazhdon përgjigjja e komisionit.

Por “Global Trade”, njoftoi se morën një përgjigje me shkrim nga Komisioni i Arkave Fiskale me datën 23 shtator 2014. Përgjigja është e ngjashme me deklarimet që ky komision i kishte dhënë për Gazetën Jeta në Kosovë me datën 12 shtator.

Global Trade tha se këtë javë do të këtë një reagim të tyre rreth përgjigjes së arkave fiskale. 

Të premten me 25 shtator reaguan edhe shitësit e arkave. 

Përfaqësuesit e katër kompanive që shesin arka fiskale “Gekos”, “Printec”, “Dukagjini” dhe “R&T”, në një konferencë të mbajtur në Odën Ekonomike të Kosovës e kanë mohuar monopolin në tregun e fiskalizimit.  Sipas tyre edhe çmimet, për të cilat janë ankuar naftëtarët janë të arsyeshme.

Anti Monopoli nuk mund të hetojë 

Por pretendimet se ka monopol nuk ka kush t’i hetojë. 

Komisioni Kosovar i Konkurrencës në vitin 2012 pati dënuar kompanitë e licencuara për shitjen, instalimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve elektronike fiskale “Gekos” dhe “Dukagjini”.

Dy kompanitë ishin ndëshkuar me nga 100 mijë euro.

 “’GEKOS’ ndëshkohet për shitjen e arkave fiskale dhe krijimin e monopolit dhe për abuzimin me pozitën dominuese në gjithë tregun, kurse ‘DUKAGJINI’ për shkak që i kishte mundësuar ‘GEKOS-it’ të krijojë monopolin”, thuhej në njoftimin për ndëshkimin.

Gani Asllani, anëtari i vetëm i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, tha për Gazetën Jeta në Kosovë se nga nëntori i vitit 2013 ky komision është jofunksional për marrjen e vendimeve apo fillimin e hetimeve.

“Përbërja jo e plotë e komisionit pamundëson ndërmarrjen e çfarëdo veprimi në këtë drejtim”, tha Asllani.