Milionat Derdhen Te Kompania e Njeriut të Besueshëm

Blerja e tri autoblindave të blindura nga Ministria e Forcës së Sigurisë nuk kaloi nëpërmjet një procedure të hapur. Ministria vendosi të “blindojë” tenderin që peshon mbi 1 milionë  e 490 mijë euro duke aplikuar procedurë të negociuar. 

MFSK-ja arsyetoi veprimin duke thënë se blerja e tyre “përbenë një  çështje kompleksive dhe shumë  të ndjeshme në lidhje me aspektet e sigurisë në nivel të Ministrisë së FSK-së”. 

Dhe në fund të korrikut të këtij viti shpalli fitues Poligonin e Shenjëtarisë “Katana”, një kompani e themeluar nga kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi. 

“Katana”, do të furnizojë ministrinë me tri autoblinda të tipit Cobra të standardizuara me pajisjet përcjellëse për nevojat e FSK-së. 

E njëjta kompani para dhjetë muajve kishte fituar ngjashëm. Nëpërmjet tenderit të mbyllur kishte fituar 1 milionë e 200 mijë euro nga e njejta ministri.

Gazeta Jeta në Kosovë pati raportuar vitin e kaluar se kontrata e ndjeshme ushtarake e furnizimit me uniformë rezistente ndaj ujit ishte fituar nga miku i krerëve të ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës. 

Gashi që i përket AAK-së kreu punë të besueshme e të ndjeshme për Agim Çekun, ministrin e FSK-së nga radhët e PDK-së.  Ai para tetë vitesh ishte përgjegjës për sigurinë e Çekut, kur ky i fundit ishte kryeministër i vendit dhe ishte anëtar i AAK-së.

Themeluesi i këtij biznesi që fiton kontrata të ndjeshme nga MFSK-ja, përveç me ministrin, ka punuar edhe me Bejtush Gashin, numri dy në këtë ministri.

Zv/ministri Gashi ishte vartës i Xhafer Gashit pasi që kishte qenë drejtor i Institutit për Studime të Sigurisë “Katana”, gjatë viteteve 2007-2011.

Vendimi i Çekut që favorizon kompaninë e themeluar nga miku i tij

Autoblindat e blinduar janë blerë të llojit Cobra.  Ibrahim Shala, zëdhënës në MFSK, i tha Gazetës Jeta në Kosovë se një vendim i ministrit Çeku ka përcaktuar tipin e automjeteve ushtarake që duhet të blejë FSK-ja.

Vendimi ishte nënshkruar nga Çeku më 23 tetor 2013 dhe në të thuhej se   “standard i automjeteve të blinduara – autoblindave për njësit e FSK-së caktohen Autoblindat e tipit Cobra”.

Ministria pasi kishte caktuar tipin e autoblindave Cobra, i kishte bërë ftesë kompanisë 

Otokar, prodhues i këtij lloji të autoblindave që të nënshkruajnë kontratë publike nëpërmjet procedurës së negociuar që është e lejueshme bazuar në ligjin  e prokurimit publikë. 

Më pas Katana u bë përfaqësues për Kosovë i Otokar nga Turqia, sipas MFSK-së.

Vetë ministri Agim Çeku, konsideron se me dhënien e kësaj kontrate ka shkuar gjithçka në përputhje me ligjin e prokurimit.  

“Unë i fundit e nënshkruj kontratën, pasi këtë e bëjnë shefi i prokurimit dhe sekretari, kur ata  më sigurojnë mua që gjithçka është në rregull unë atëherë nënshkruaj”, ka thënë Çeku për Gazetën Jeta në Kosovë. 

Çeku shtoi se para aktit të nënshkrimit nuk i intereson  se kush e ka fituar tenderin-Katana apo dikush tjetër. 

Megjithatë Çekut, që thotë se nuk i intereson fituesi,  i ka rënë të nënshkruajë dy tenderë milionësh të negociuar të fituar nga Katana përgjatë kohës sa udhëhoqi MFSK-në.

Ndërkaq ministria e FSK-së… në një përgjigje për Gazetën Jeta në Kosovë tha se kjo ministri nuk e ka përzgjedhur kompaninë “Katana”, por prodhuesin e autoblindave Otokar nga Turqia. 

Sipas  MFSK-së ishte kompania turke Otokar që e autorizoi kompaninë Katana që të zhvillonte negociatat me MFSK-në.

Ndërkohë Agron Jusufi,  që është hisedar në Katana dhe që mban pozitën e drejtorit ekzekutiv,  nuk i është përgjigjur gazetës kur është pyetur se si kompania e tij u përfaqësues i Otokar për Kosovë. 

Ai nuk ka dashur të komentoj as lidhur me mënyrën se si kompania e fitoi tenderin duke thënë se “të gjitha këto pyetje drejtoni tek institucionet përgjegjëse”.

Edhe kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi nuk deshi të komentoi lidhur me furnizimin me autoblinda të MFSK-së. 

“Konsideroj se nuk mundem me u përgjegj në pyetjet e juaja, pasi nuk jam më në rrjedha çka po ndodhë atje [Poligonin e Shenjtarisë “Katana”], i ka thënë gazetës, Gashi.  

Ndonëse Gashi thotë se ka thënë dorëheqje prej se u bë kryetar në nëntor të vitit të kaluar emri i tij figuron ende si një prej dy aksionarëve në Poligonin e Shenjtarisë “Katana”. Aksionarë tjetër është Agron Jusufi.

Ndërkaq  Gashi veten si aksionarë e kishte deklaruar edhe në formularin e pasurisë së dorëzuar në Agjencinë Kundër Korrupsion në maj të vitit 2014. 

Ka shënuar aty se ka 50 për qind të aksioneve në “Katana”. 

I pyetur nga Gazeta Jeta në Kosovë, për aksionet, ai ka thënë se “aksionet janë në proces të bartjes”, duke mos dhënë shpjegime më shumë. 

Një koment lidhur me tenderin ende nuk e ka dhënë as zv/ministri Bejtush Gashi që ka punuar më herët për Xhafer Gashin.

Derisa Ministri është autoriteti më i lartë, bazuar në Ligjin e Prokurimit, që ka mandat të vendosë për tenderët posti i zv/ministrit nuk është ligjërisht përgjegjës lidhur me ta.

Lidhur me tenderin për furnizim me autoblinda mund të nisin hetime.

Ndërkaq Hasan Preteni, drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsion i tha Gazetës Jeta në 

Kosovë se do të analizohet ky rast dhe do të nisin hetimet nëse gjenden elemente të dyshimta. 

“..disi kjo kompani [Poligoni Katana] ka fituar monopol”, tha Preteni