Agjencia e Privatizimit Ndryshoi Rregullat “Gjatë Lojës”

Zyra e Auditorit të Përgjithshëm (ZAP) ka gjetur se dy ndërmarrjeve që ishin privatizuar me spin-off special, “IDGJ Tobacco” në Gjilan dhe “Miniera dhe Industria e Magnezit (MIM) Golesh”, u ishin ndryshuar pa bazë ligjore kushtet e kontratave, me ato që ishin nënshkruar fillimisht. 

Të dy ndërmarrjet ishin shitur nga ish-Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM), tash Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), në fund të vitit 2007 dhe në fillim të vitit 2008.

Zyra e Auditorit, në auditimin që i ka bërë AKP-së, ka gjetur edhe shkelje të tjera në kontratat e këtyre ndërmarrjeve që janë publikuar në raportin vjetor në fillim të korrikut. 

ZAP ka gjetur seAKP nuk kishte bazë ligjore edhe për vazhdimin e afatit për përmbushjen e investimeve lidhur me ndërmarrjet e privatizuara IDGj Tobacco dhe MIM Golesh pas kalimit të afatit për përmbushjen e kushteve të kontratës. 

Bordi i Drejtorëve të AKP-së gjatë vitit 2012  përbëhej nga Dino Asanaj, i cili ka qenë drejtor  i bordit, i cili më nuk jeton. Naser Osmani ka qenë zëvendës-kryesues dhe drejtor, ndërsa pjesa tjetër e Bordit përbëhej nga Bahri Shabani, Bernadette Roberts, Haxhi Arifi, Hubert Warsmann, Lisa Brodey, Mohammed Omran, dhe Slobodan Petrovič.

Gazeta për të kërkuar sqarime rreth të gjeturave të Zyrës së Përgjithshme të Auditorit u ka shkruar anëtarëve të bordit, pasi ata kanë marrë vendimet gjatë vitit 2012 por ata akoma nuk kanë kthyer përgjigje. 

Përgjigje nuk ka dhënë as Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Zëdhënësi i AKP-së, Ylli Kaloshi, shprehet se kjo agjenci nuk ka çka të thotë më shumë se në se në komentin që i është kthyer raportit të auditorit e në të cilin thuhet se këto vendime ishin marrë kur kjo agjenci kishte emër tjetër- AKM.

ZAP: AKP fali ndëshkimin 4 milionësh

Ndërmarrja “IDGJ Tobacco”, ishte privatizuar përmes metodës së Spin Off-it Special në valën e 11 të shitjes nga blerësi “McCroft Tobacco”, në vlerë prej 5 milionë e 550 mijë euro. Kjo kompani, sipas kontratës, do të duhej t’i punësonte 799 punëtorë.

“McCroft Tobacco”, sipas raportit të ZAP, nuk kishte arritur me kohë t’i përmbushte zotimet për investime dhe për numrin e të punësuarve. 

Ndonëse nuk ishin përmbushur zotimet me kohë, AKP-ja kishte bërë vazhdimin e afatit të përmbushjes së kushteve që ishin të parapara në kontratën fillestare. 

Por, blerësi “McCroft Tobacco”, sipas raportit të ZAP, nuk kishte arritur t’i përmbushë zotimet, edhe në dhjetor të 2011, tri vjet pas privatizimit, Bordi i AKP-së kishte vendosur për tërheqjen e aksioneve.

AKP-ja për mos përmbushje të zotimeve, në fund të vitit 2012 kishte dënuar “IDGJ Tobacco” në vlerë prej 4 milionë e 573 mijë 549 euro. 

Por ZAP ka gjetur se Bordi Drejtues pa bazë ligjore kishte falur të gjitha ndëshkimet financiare të shqiptuara. 

As AKP-ja, nuk  ka kthyer përgjigje rreth kësaj çështjeje, por në përgjigjen e menaxhmentit ndaj të gjeturave të ZAP, të cilat figurojnë në raportin e auditorit, thuhet se kontratat e shitjes me spin-off special janë nënshkruar në periudhën e ish-Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit (AKM).

“Këto kontrata janë përpiluar në bazë të ligjit anglez”, thuhet në përgjigjen e AKP-së për të gjeturat e ZAP. 

Por thonë se tash Agjencia Kosovare e Privatizimit të gjitha kontratat i nënshkruan në bazë të ligjeve të Republikës së Kosovës, pasi përdorimi i ligjit anglez ishte vendosur për shkak se në fillimet e funksionimit të AKM-së, Kosovës i mungonte infrastruktura ligjore për një agjencion të tillë.

“Për shkak të paqartësive ligjore në ligjin anglez lidhur me zbatimin e ndëshkimeve në rastet e moszbatimit të zotimeve për investime dhe numrin e punëtorëve, Agjencia ka angazhuar një kompani të jashtme ligjore për të dhënë opinion ligjor”, thotë AKP-ja. 

Por në opinionin ligjor, të kompanisë së jashtme, të datës 28 prill, opinion ky i shqyrtuar në mbledhjen e Bordit të Drejtorëve më 18 Maj 2011, thuhet se “sa i përket ligjit anglez, ndëshkimi nuk është i zbatueshëm”. 

Vendimi për tërheqjen e aksioneve në mars të vitit 2012, sipas ZAP, ishte ndryshuar nga Bordi Drejtues pa bazë ligjore dhe ishte vendosur të arrihet marrëveshje e re me “Premium Tobacco Group SHPK” bazuar në rekomandimet e likuidatorit të blerësit “McCroft Tobacco”, thuhet në raportin e ZAP. 

Ndërmarrja është blerë nga aksionarët Gazmend Abrashi, Shkëlzen Bashota, Genc Bashota, dhe Dardan Stublla.

Marrëveshja ishte nënshkruar nga personi i njëjtë që ishte përfaqësues i “McCroft Tobacco” poashtu dhe likuidator. Ajo parashihte të punësohen 90 persona dhe të ketë investime prej 4 milionë euro për dy vite.

“Kjo kompani, i kishte hyrë procesit të likuidimit dhe personi nënshkrues i marrëveshjes ishte caktuar si administrator i ndërmarrjes në likuidim”, tha Gazmend Abrashi, njëri prej aksionarëve të “Premium Tobacco Group SHPK”.

Gazmend Abrashi, cilësimin e Zyrës se Auditorit se vendimi për tërheqjen e aksioneve ishte ndryshuar pa bazë ligjore, e cilëson si të pa saktë. 

“Baza ligjore për ndryshimin e strukturës së aksionarëve është marrëveshja e zotimeve, në të cilën thuhet se “AKP do ta aprovojë pa shtyrje të arsyeshme ndryshimin e strukturës së aksionarëve, apo kalimin e të drejtave dhe obligimeve nga marrëveshja e zotimeve tek ndonjë palë tjetër”, thotë Abrashi për Gazetën Jeta në Kosovë.  

Ai thotë se ai ndërmarrjen e ka blerë nga McCroft Tobacco ndërsa obligimet e tij karshi AKP-së thotë të jenë vetëm ato që dalin nga marrëveshja e zotimeve e cila është nënshkruar në muajin prill të vitit 2012.

“Unë nuk e kam blerë Ndërmarrjen nga AKP-ja dhe rrjedhimisht nuk kam negociuar me AKP-në. Unë ndërmarrjen e kam blerë nga McCroft Tobacco e cila është pjesë e një ndër kompanive më të mëdha botërore Price Waterhouse Coopers (PWC)”, thotë Abrashi. 

Ndërmarrja McCroft Tobacco ishte në pronësi të Internacional Tobacco Holding Limited.

ZAP: Ndëshkimi prej 8 milionësh i është falur edhe “MIM Golesh”-it

Në fundin e vitit 2007, Hysni Zogaj, pronar i kompanisë “Iming” kishte blerë nga ish- Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM) minierën kosovare të magnezit në Golesh për 16 milionë euro. Ai kishte premtuar edhe punësimin e 355 punëtorëve deri në dhjetor 2009. 

Katër vjet më pas Zogaj kishte rrezikuar t’i humbas minierat e privatizuara për shkak të dështimit në realizimin e investimeve dhe punësimeve, ashtu siç kishte premtuar më herët. 

Por AKP i kishte dhënë atij afat deri më 15 mars 2012 që t’i përmbushë këto zotime, në të kundërtën do t’ia tërheqë aksionet e minierave dhe të njëjtat do t’i ritenderojë.

Zyra e Auditorit të Përgjithshëm ka gjetur se këto zotime nuk ishin përmbushur edhe në afatin e dytë që e kishte caktuar AKP. 

“Një auditim kishte konstatuar se përqindja e investimeve të realizuara nga blerësi ishte 41 përqind nga zotimi sipas kontratës”, thuhet në raportin e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm.

Bordi Drejtues i AKP-së, kishte vendosur fillimisht për tërheqjen e aksioneve të minierës së magnezit, pasi investitori nuk i kishte përmbushur zotimet. 

Por, Bordi Drejtues kishte ndryshuar vendimin paraprak dhe në muajin maj të vitit 2012, siç thuhet në raportin e ZAP, pa bazë ligjore për arsye të mos përmbushjes së zotimeve të investimeve ka vendosur zgjatjen e afatit për përmbushjen e investimeve edhe për dy vite shtesë.

“AKP ende nuk e kishte nënshkruar Marrëveshjen e re për vazhdimin e përmbushjes së investimeve me blerësin e “MIM Golesh” të vendosur në mbledhjen e BD të AKP-së të mbajtur në maj 2012”, thuhet në raportin e ZAP. 

“Vonesat në vendimmarrje për tërheqje të aksioneve për arsye të mos përmbushjes së zotimeve të kontraktuara rrezikon vazhdimin e afarizmit”, thuhet në raportin e ZAP-it të publikuar në korrik. 

Bordi Drejtues kishte shqiptuar dënime prej 8 milionë e 447 mijë e 812 euro për arsye të mos përmbushjes së zotimeve të kontraktuara në Marrëveshjen e Zotimeve. 

Por ZAP ka gjetur se Bordi Drejtues pa bazë ligjore kishte falur të gjitha ndëshkimet financiare të shqiptuara. 

Për mos ndëshkimin e kësaj kompanie AKP në përgjigjen e menaxhmentit ndaj të gjeturave të ZAP është e njejtë me atë që i është dhënë edhe kompanisë “McCroft Tobacco”.

Në raport thuhet se Bordi Drejtues i AKP-së nuk kishte bazë ligjore për faljen e borxheve të shqiptuara si ndëshkime për mos-përmbushjen e kushteve të kontratës të premtuara nga këto dy ndërmarrje. 

 ZAP thotë se mos aplikimi i ndëshkimeve financiare rritë rrezikun se objektivat e kontraktuara të privatizimit nuk janë arritur dhe krijon shprehi që edhe blerësit e ardhshëm të mos konsiderojnë ndëshkimet e kontraktuara financiare nëse nuk i përmbushin zotimet e kontraktuara.

Zogaj, ende nuk ka kthyer përgjigje, i pyetur rreth këtyre çështjeve.