Milionëshi i Negociuar

Një kompani private e udhëhequr nga djali i një partneri biznesi të Ejup Qerimit, kryeshefit të Postë-Telekomit të Kosovës, mori besimin nga kjo ndërmarrje publike që të fitojë një tender të negociuar që peshon 992 mijë euro.

Besnik Terziu është person i autorizuar për Kosovë i kompanisë kroate “Altimo d.o.o” dhe është i biri i Hysni Terziut që bashkë me Ejup Qerimin e patën  të përbashkët nga viti 2003 deri në mbylljen e saj më 2010, kompaninë “Kosova Union”. 

Kjo kompani ishte e regjistruar për tregti me material të drurit, transport të mallrave dhe për punë që lidhen me kontabilitet, revizion dhe këshilla për tatime. 

Por tash tetë vjet më pas, ndërmarrja publike e drejtuar nga Qerimi ka raporte kontraktuale me djalin e ish-ortakut të tij që është angazhuar të zgjerojë sistemin për përkrahje të biznesit dhe depon e të dhënave/databazën.  Zgjerimi i sistemit nënkupton shtrirjen e tij edhe në telekom e internet.

PTK-ja njoftoi më 17 qershor të këtij viti për angazhimin e kompanisë kroate për kryerjen e kësaj pune. 

E njëjta kompani në shkurt të vitit të kaluar ka fituar tenderë nga PTK-ja për ndërtimin e këtij sistemi për operatorin e telefonisë mobile “Vala”. 

Më 2013 gara ishte e hapur dhe më 1 shkurt të vitit 2013 PTK-ja njoftoi se oferta prej 825 mijë eurosh e kompanisë “Altima” është përzgjedhur për të ndërtuar sistemin për përkrahje të biznesit dhe depon e të dhënave.  

Oferta e saj ishte vlerësuar si më e ulëta dhe e favorshmja në mesin e katër konkurrentëve në tenderë.

Konkurrentët tjerë ishin: “Intracom” (Greqi) oferta prej 1,3 milionë eurosh, “Asseco” (Poloni) me 1.8 milionë euro dhe “Computers International LIM”.( England) & “ALBVision” (KS) me ofertë prej 2.2 milionë eurosh.

Bazuar në ofertat e kompanive konkurruese më 2013, kompania “Altima” kishte kërkuar shumë më pak për realizimin e platformës për “Vala”. Shuma prej 825 mijë eurosh që kompania e fitoi nëpërmjet tenderit të hapur është më e vogël për 167 mijë euro sesa shuma prej 992 mijë eurosh që e fitoi nëpërmjet tenderit të negociuar.

Postë-Telekomi i Kosovës arsyetoi përdorimin e procedurave të negociuara duke thënë se e njëjta kompani kishte kryer punë për PTK-në para një viti. 

“Faza e II-të (platforma e CRM-it dhe Data warehouse) e dedikuar për njësinë e Telekomit, meqenëse synojmë konvergjimin e platformave dhe uljen e kostos, pashmangshmërisht duhet të jetë zgjerim i së njëjtës platformë dhe si rrjedhojë mënyra e vetme ishte që të shkohej me procedurë të negociuar me të njëjtin operator ekonomik”, i tha Gazetës Jeta në Kosovë.Zyra për Informim e PTK-së 

Ndërkohë kompania “Altima” në një përgjigje të shkruar e arsyeton vendimin e ndërrmarrjes publike dhe e pranon se me kontratën e re do të kryejë vetëm punë shtesë.

“Fakti se me rastin e implementimit të këtij sistemi në platformën e ‘Valës’, ka treguar ndryshime pozitive ne raport me konsumatorët e saj si dhe ne proceset e biznesit të ‘Valës’, PTK-së ka vendosur që të njëjtin sistem (me module shtesë) ta zgjerojë dhe implementojë edhe në platformën e Telekomit (telefonia fikse, internet dhe TV)”, tha për Gazetën Jeta në Kosovë Dardan Gjonbalaj, menaxher i shitjes në “Altima”.

Krerët e PTK-së nuk komentojnë lidhjet me drejtuesit e firmës private

Derisa PTK-ja ka refuzuar të flasë për lidhjet e Gjonbalajve, Dardan Gjonbalaj nuk hezitoi të tregojë se i ka kushërinj shefin, kryetarin e bordit dhe shefin e prokurimit. 

Dardan Gjonbalaj është nga Peja nga vjen edhe Rexhë Gjonbalaj, kryetar Bordi në PTK dhe Fatmir Gjonbalaj, drejtor i Prokurimit në PTK. 

“Jemi kushërinj dhe i respektoj ata. Të gjithë kemi origjinë nga Vuthaj (Ulqin/Mali i Zi), por asnjëherë nuk jam takuar me ata. Jemi breza të largët dhe puna e tenderëve nuk ka asnjë lidhje me ta”, tha Gjonbalaj.

Dy zyrtarët e PTK-së me mbiemrin Gjonbalaj ende nuk kanë dhënë një koment lidhur me këtë tender.

Po ashtu Qerimi ende nuk ka dhënë përgjigje lidhur me njohjen e tij me biznesmenin Hysni Terziu.

Hysni Terziu, i cili sot është profesor në Universitetin e Prizrenit konfirmoi për Gazetën Jeta në Kosovë se ka bashkëpunuar me Ejup Qerimin.

“Po kemi bashkëpunuar për dhjetë vjet. Tani kam një kompani tjetër”, tha Terziu.

Ndërkaq Besnik Terziu, person i autorizuar dhe menaxher i financave në “Altima”, mohon të ketë ditur se i ati dhe Qerimi kanë qenë bashkë në një kompani.

“Ju faleminderit për informatë, mirëpo unë tani po njoftohem për një gjë të tillë nga ana juaj”, tha për Gazetën Jeta në Kosovë Terziu i ri.