Mali i Zi: Futbolli, Politika dhe Kokaina

Klubi Futbollistik “Mogren” nga qyteti i vockël i Budvës së Malit të Zi, ngazëlleu tifozët e vet në vitin 2009 kur fitoi për herë të parë titullin e kampionit të Ligës së Parë të Malit të Zi me ç’rast edhe u kualifikua për mundësinë e pjesëmarrjes në Ligën e Kampionëve të UEFA-së.

Ekipi luajti mirë, por humbi në xhiron e dytë të ndeshjeve kualifikuese që u luajtën në mes të qershorit. Mirëpo vetëm dy ditë më pas, zyrtarët e ekipit vepruan me një komplot me të cilin klubit i dhanë goditje akoma më të fortë: drejtori i klubit e fali pronën tokësore të cilën klubi e përdorte qëmoti si stadium të vetin dhe e cila gjendet në një vend me vlerë të madhe, vetëm 50 metra nga deti, në portin e ngjeshur të qytetit të Budvës. 

Është e vetmja hapësirë toke afër plazhit të mbetur të Budvës.

Toka ishte pronë publike dhe jo e tija për ta falur.

Marrëveshja kishte qenë e fshehtë për tre muaj, derisa kontrata nuk u bë e ditur kur në mënyrë misterioze qarkulloi në formë fletushke nëpër Budvë, e në të cekeshin pronarët e rinj. Përballë pyetjeve të publikut, drejtori tha se investitorët – një njeri nga Franca dhe një tjetër nga Zvicra – pas disa muajsh do të prezantonin projektin për pronën tokësore.

Kjo ishte gwnjeshtwr dhe ai e bëri me arsye.

Regjistrat e biznesit që u morën nga Projekti për Raportim të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OCCRP) tregojnë se drejtori i klubit Boro Lazoviq kishte bërë marrëveshje sekrete me të akuzuarin Darko Shariq, kreun e një organizate të fuqishme kriminale në Ballkan, e cila për vite të tëra ka kontrabanduar kokainë nga Amerika e Jugut për në Evropë.

Marrëveshja paraqet vetëm një nga shumë marrëveshje në Malin e Zi të cilat kanë lidhur e ngjizur në marrëdhënie të fortë mes vete biznesin, qeverinë dhe krimin e organizuar. 

Këto aleanca jo të mira gjithnjë e më shumë i kanë dhënë Malit të Zi reputacion ndërkombëtar si shtet kriminal.

Toka publike në duar private

 
Rajko Kuljaça, ish kryetar i Budvës, për shumë vite me radhë ka drejtuar Bordin e Klubit Futbollistik “Mogren”. Në janar të vitit 2009 Kuljaça dhe drejtori i klubit Boro Lazoviq kanë nënshkruar një kontratë me të cilën bëhet transferimi i tokës publike. (Foto: Vijesti)

“Mogreni” ka pasur krejt çka i është dashur për të qenë klub i suksesshëm. Tifozët i ka të përbetuar, ka për pronar komunën e vendit, është mirë i financuar nga autoritetet vendore, si dhe bordi i tij drejtohej nga Rajko Kuljaça, i cili gjithmonë ka qenë kryetar komune që jep mbështetje. Drejtori i klubit, Lazoviq është njeri i cili në Budvë është i njohur mirë si biznesmen me ndikim të madh dhe është kreu i degës në Budvë i partisë në pushtet-asaj Demokratike të Socialistëve (DPS), të cilën e udhëheq Millo Gjukanoviq.

Në vitin 2007 udhëheqësia e qytetit tha se klubit do t’i jepej një seli e re dhe stadium i ri për të zëvëndësuar objektin bazë ku luante ekipi. Në nëntor të atij viti, autoritetet vendore vendosën që t’i ndajnë klubit një hapësirë prej rreth 80,000 metrash katrorë sa madhësia e 11 fushave të futbollit, tek një zonë e largët afër kodrinave të Dubovicës.

Komuna i dha klubit edhe një copë toke shumë më të vlefshme afër stadiumit aktual. 

Kjo tokë që vlerësohet të jetë rreth 7 milionë euro, ndodhet në zonën “Lugovi” të Budvës, vetëm 50 metra nga plazhi dhe e ngjitur me kompleksin turistik “Slovenska Beach”, së cilës iu dha emri sipas një grupi turistësh nga Çekia të cilët kishin kaluar pushimet e tyre aty në vitin 1935. 

Lazoviq pati premtuar në njw gazetë ditore se klubi nuk do të shiste tokën e tyre të re dhe me vlerë të madhe.

Plani për zhvendosjen e stadiumit

Toka u fal përkundër protestave nga opozita dhe pasardhësit e ish-pronarëve të saj. Pas Luftës së Dytë Botërore, regjimi komunist pati konfiskuar tokat dhe pasuritë e tjera nga familjet e pasura. Në mars të vitit 2004, Mali i Zi miratoi një ligj i cili lejon kthimin e tokës së pashfrytëzuar, andaj familje të ndryshme nisën procedurat për të rimarrë tokat e tyre. Deri më tani, kanë dështuar.

Por, pavarësisht nga ky vendim, autoritetet lokale pritën për më shumë se një vit, deri në janar të vitit 2009, kur kryetari i Komunës Kuljaça dhe drejtori i klubit Lazoviq, nënshkruan kontratë për ta bërë transferimin e pronës. Lazoviq kishte mbajtur fjalën e tij se nuk do të shesë tokën. Në vend të kësaj, ai e fali atë.

Më pak se një muaj pas dhënies së tokës, para se toka e re të regjistrohej zyrtarisht në emër të klubit, Lazoviq nënshkroi marrëveshje partneriteti me dy kompani: “Nova Star Investment CG” dhe “Amsone Enterprises Montenegro”.

Me anë të marrëveshjes, toka pranë plazhit si dhe pjesa tjetër e tokës bregdetare të klubit duke përfshirë edhe stadiumin-në total 20,000 metra katrorë, i kalonin një kompanie që ende nuk ishte themeluar, e quajtur “Nova Star Investment CG”. Lazoviq i shtoi marrëveshjes edhe një shtesë prej 8,000 metrash katrorë me tokë bregdetare përskaj, e cila ishte në pronësi të shtetit.

Kontrata nuk jep detaje se si klubi do të merrte atë vend publik shtesë dhe duket se e injoron ligjin i cili obligon që të ketë tender publik për shitjen e tokës publike.

Plani për qasjen e re zhvillimore

Jo vetëm që Lazoviq dhuroi tokën publike të klubit, por ai kurrë as nuk e pyeti e as nuk mori miratimin e bordit të klubit, ose të autoriteteve lokale, siç kërkohet nga ligji. 

Sipas kontratës, këto dy kompani si dhe FK “Mogren” do të bashkoheshin për të formuar “Nova Star Investment CG”.

Projektin do ta administronte “Amsone Enterprises Montenegro”, ndërsa “Nova Star CG” do të paguante për ndërtimin e një kompleksi të përzier banesor dhe komercial në tokën në të cilën do të përfshihej edhe ndërtimi i dy kullave të larta dhe një qendreje biznesi. Kompania investuese do të paguante edhe për ndërtimin e stadiumit me 15.000 ulëse në tokën e klubit afër kodrinave. Nuk është saktësuar se prej ku do të vijnë paratë. Mirëpo, sipas raporteve të veta financiare, kompania nuk kishte të ardhura apo burime të tjera të parave, andaj filloi të krijojnë humbje që nga dita e parë.

Drejtori i parë i “Nova Star Investment CG”, dhe personi kryesor me të cilin Lazoviq nënshkroi kontratën, ishte Boshko Krloviq, një punonjës i klubit puna standarde e të cilit në klub ishte kositja e barit.

Krloviq refuzoi të komentojë.

Përzierja e politikës me para kokaine


Drejtori i parë i “Nova Star Investment CG” që në atë kohë kishte për pronar kryesor Darko Shariqin, kryetrafikuesin e drogës – ishte Boshko Krloviq, punonjës i zakonshëm, puna e të cilit në klub ishte kositja e barit (Foto: Facebook)

“Nova Star Investment CG” u themelua në Mal të Zi në mars të vitit 2009, tre javë pasi ishte nënshkruar marrëveshja dhe cekte ndërtimin rrugor dhe ndërtimin e autostradave si veprimtari biznesore të parë.

Klubi futbollistik “Mogren”, përndryshe pronë publike, ishte pronar me vetëm 5 për qind hise në kompani, pavarësisht se kontratës në fjalë ai i pruri tokë bregdetare në vlerë prej miliona dollarësh; “Amsone Enterprises Montenegro” ishte pronar i 20 për qind dhe “Nova Star CG” kishte pjesën e mbetur prej 75 për qind.

“Amsone Enterprises Montenegro” është pronë e një kompanie me emër të ngjashëm nga Qiproja, e cila në anën tjetër është pronë e “Elisano Holdings Limited”, kompani e themeluar në territorin e quajtur Ishujt e Virgjër të Britanisë, juridiksion i fshehtë dhe symbyllur i cili shpesh shfrytëzohet për fshehje pronësish. Autoritetet malazeze nuk lëshuan të gjitha të dhënat që kishin për kompaninë.

Gjersa pronari i kësaj kompanie mbetet i panjohur, OCCRP-ja gjurmoi personin që ndodhej prapa “Nova Star CG”, si aksionari më i madh.

Gjurmët e themelimit të kompanisë zbulojnë se “Nova Star CG” është pronë e “Nova Star LLC”, e cila në anën tjetër është pronë e “Nikomat LLC”. Të dyja kompanitë janë të regjistruara në shtetin amerikan Dwllavere, tjetër juridiksion që përdoret jorrallë nga kriminelët e Ballkanit dhe Evropës Lindore për të fshehur të ardhura të paligjshme.

Nikomat LLC është pronë e përbashkët e motrës së Shariqit, Danijellës dhe shokut të tij nga fëmijëria, bashkëpunëtorit të afërt dhe kumbarës, Nebojsha Jestroviq, i cili ishte i akuzuar në Serbi në vitin 2010 për shkak se ishte kryeshpërlarësi i parave të Shariqit. 

Jestroviq është momentalisht në gjyq.

 
Blagota Raduloviq, drejtoresha e kompanisë së Darko Shariçit, “Nova Star CG”, është ish-punonjëse e Agjencisë për Investim dhe Promovim të Malit të Zi dhe momentalisht është zëvëndësministre dhe shefe e Sektorit për Pagesa pranë Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Malit të Zi. (Foto: Bulgaria Economic Forum)

Drejtoreshë e “Nova Star CG” është Blagota Raduloviq, ish-punonjëse e Agjencisë për Investime dhe Promovim të Malit të Zi dhe aktualisht zëvendësministre dhe shefe e Sektorit të Pagesave në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Malit të Zi. Raduloviq kishte menaxhuar një projekt të Ministrisë, i cili projekt ishte i implikuar në skandalin e blerjes së votave për partinë DPS të Gjukanoviqit, me fonde të Bankës Botërore, edhe pse asnjë akuzë nuk është ngritur.

Raduloviq nuk mund të kontaktohej për koment.

Në fund të tetorit të vitit 2009 kur kontrata doli në publik, familjet që më parë kishin pasë nën pronësi tokën, shprehën zemërime. Autoritetet e Budvës thanë se nuk dinë gjë rreth marrëveshjes.

Lazoviq kishte thënë për gazetën e përditshme malazeze Vijesti më 29 tetor 2009, se klubi do të kishte stadium të ri me 15 mijë ulëse dhe do të ishte pronar i hises prej 5 për qind të projektit afarist-ndërtimor, që tek priste të projektohej. 

Mirëpo kontrata aktuale cekte se klubi nuk do të ishte pronar i ndërtesave banesore dhe kompleksit afarist në plazh. Pronar i tyre do të ishin: “Amsone Enterprises Montenegro”, me çerekun e hises së përgjithshme dhe pronari sekret i saj me hisen e mbetur prej treçerekë, trafikanti i drogës, Shariq. 

Përveç kësaj, ata planifikonin ndërtimin e një kompleksi të dytë përskaj stadiumit të ri, por edhe në atë rast klubi do të lihej jashtë pronësisë dhe nuk do të ishte pronar i asnjë hise të kompleksit, por do të ishte plotësisht nën pronësinë e “Nova Star CG” të Shariqit.

Lazoviq kurrë nuk përmendi Shariqin dhe në fillim kishte thënë se nuk i kujtoheshin emrat e investitorëve, por përmendtte vetëm se ishin dy persona, njëri nga Franca e tjetri nga Zvicra. Më vonë ai ndërroi fjalët dhe thoshte se bëhej fjalë për një kompani Franko-Zvicerane.

 Por, ai megjithatë e shpalosi një detaj: atë se marrëveshja e nënshkruar para gjashtë muajve ishte aranzhuar në fakt qysh në vitin 2008. 

Kjo periudhë kohore përputhet me periudhën kur Shariq kishte filluar që në Mal të Zi të derdhte para nga tregtia e tij me drogë, gjë që figuronte në aktakuzat e disa shteteve të ndryshme. 

“Para një viti e gjysmë patëm marrëveshje konkrete. Marrëveshja duhej të zbatohej, por atëherë filloi kriza”, tha Lazoviq, duke iu referuar krizës globale financiare të vitit 2008. 

“Çështja më me rëndësi është se a do të jenë të gatshëm ata t’i ndërmarrin këto investime, meqë nuk janë të vogla.”

Lazoviq nuk mund të kontaktohej për koment.


Drejtori i klubit futbollistik Boro Lazoviq është njeri i cili në Budvë është i njohur mirë si biznesmen vendor me ndikim të madh dhe është kreu i degës në Budvë i partisë në pushtet (DPS). Tokën e klubit, ai ia fali Darko Shariqit. (Foto: Vijesti)

Një tjetër krizë kishte ndodhur, e cila s’kishte aspak të bënte me gjendjen financiare globale. Vetëm dy javë më parë, në fillim të tetorit të vitit 2009, më shumë se dy tonë kokaine të Shariqit u kapën në afërsi të bregdetit uruguajan, në një jahtë luksoze. Shariq i shpëtoi arrestimit përkundër muaj të tërë mbikëqyrjeje nga policia dhe iku për më shumë se katër vjet, deri sa nuk u arrestua në mars të vitit 2014.

Në fillim të vitit 2010, aksionet që “Nova Star CG” kishte në kompani iu transferuan një kompanie me seli në Panama, me emrin “Adriatic Overseas Holdings”. “Adriatic Overseas Holdings” është kompani e rëndësishme e cila përfundimisht gjen lidhjen mes Darko Shariqit, biznesmenit serb Stanko Subotiqit dhe Millo Gjukanoviqit, tre persona që ishin të lidhur ngushtë mes vete nëpërmjet Prva Banka-s dhe një serie marrëveshjesh me pasuri të patundshme.

Për shembull, “Adriatic Overseas Holdings” bleu kompaninë e falimentuar “San Investments”, për të cilën dokumentet e Bankës Qendrore thonë se është vetëm një prej shumë kompanish që janë nën pronësi të Subotiqit, biznesmenit kontroverz nga Serbia, mikut të ngushtë të Gjukanoviqit. Në tetor të vitit 2009, Shariq i bëri një nder të madh kompanisë së Subotiqit, duke ia ofruar paratë përmes Prva Banka-s që të mund të mbulojë kreditë e “San Investments”, bankës në pronësi të familjes së Gjukanoviqit.


Blagota Raduloviq (majtas) dhe Petar Ivanoviq (djathtas) kanë punuar së bashku për disa vite, së pari në Agjencinë për Investim dhe Promovim të Malit të Zi, e pastaj aty ku aktualisht punojnë, në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Që të dyja kanë pasur lidhshmëri me mbretin e drogës Darko Shariq. (Foto: MIDAS)

Pronësia e vërtetë e “Adriatic Overseas Holdings” është e panjohur, por një njeri i cili di të vërtetën është momentalisht ministër i Bujqësisë të Malit të Zi, Petar Ivanoviq, njeri i lidhur ngusht me kryeministrin është njëkohësisht edhe profesor në universitetin privat të tij. Punonjësja e Ivanoviqit, Blagota Raduloviq, ishte drejtoreshë e “Nova Star CG” të Shariqit. Ai kishte qenë më herët edhe drejtor i Agjencisë për Investim dhe Promovim të Malit të Zi kur Raduloviq punonte si punonjëse e tij.

Gjukanoviq ka qenë i lidhur ngushtë me Ivanoviqin dhe për katër vjet edhe me çështjen e investimeve të huaja. Në dhjetor të vitit 2013, qeveria e Gjukanoviqit caktoi Ivanoviqin në Këshillin për Investime të Huaja, të cilin e kryeson vetë kryeministri.

Sipas një shkrese, e cila u gjet në regjistrat biznesorë të Malit të Zi, si dokument i autorizuar përmes avokatit në emër të “Adriatic Overseas Holdings”, i ishte dërguar Ivanoviqit në adresën e shtëpisë së vet në Mal të Zi nga ana e firmës së regjistruar në Panama, e cila kishte themeluar kompaninë.

Dokumenti i autorizuar me avokat në emër të “Adriatic Overseas Holdings” ishte në emër të Zorica Djukanoviqit (nuk është e qartë nëse ajo ka lidhje me kryeministrin). Avokatja, mu sikurse shumë njerëz tjerë të përfshirë në marrëveshje, është e lidhur me të dyja, edhe me familjen e Gjukanoviqit, edhe me Darko Shariqin. Zorica Gjukanoviq më herët kishte përfaqësuar në gjyq Aco Gjurasoviqin, vëllanë e kryeministrit, në një marrëveshje patundshmërie. 

Ajo kishte mbrojtur në gjyq edhe një ortak të Shariqit, Jovica Lonçarin, i cili akuzohej për shpërlarje të parave të Shariqit, si dhe të vejën e Dragan Dudiqit, një ortaku tjetër të Shariqit, të vrarë në vitin 2010 në Kotor të Malit të Zi.


Petar Ivanoviq, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Malit të Zi, ka pranuar dokumente në emër të “Adriatic Overseas Holdings” në adresën e tij të shtëpisë në Mal të Zi. Kompania mori mbi vete hisen e kryetregtarit të drogës Darko Shariqit në marrëveshje. (Foto: MIDAS)

Ka edhe lidhshmëri tjera mes Ivanoviçit dhe Shariçit. E përditshmja malazeze Dan zbuloi vitin e kaluar se Ivanoviç kishte udhëtuar në Francë bashkë me ortakun e Shariçit, Lonçarin.

E përditshmja “Dan” zbuloi të dhënat nga agjencia turistike që tregonte se biletat e të dy këtyre burrave ishin blerë në të njëjtën kohë, të njëjtin vend dhe nga i njëjti person dhe se Shariq i kishte paguar. Ivanoviq kishte deklaruar për të përditshmen “Dan” se nuk e njeh Shariqin dhe kishte thënë se nuk e sheh të arsyeshme që të vazhdojë këtë bisedë. Ivanoviq nuk pranoi të bënte intervistë me OCCRP.

Në janar të vitit 2011, policia malazeze sekuestroi dokumentacionin e transferimit të tokës publike te Klubi Futbollistik “Mogren” dhe filloi hetimin e zyrtarëve të klubit.

Hetimi i tyre u përfundua dhe raporti iu dërgua Prokurorisë së Lartë të Shtetit për Krim të Organizuar në Mal të Zi. Qe më shumë se tre vjet, prokuroria nuk ka vepruar në këtë rast.

Në mars të vitit 2012, Lazoviq njoftoi se “Kompania e huaj hoqi dorë nga projekti, për shkak se nuk mundi të gjejë fonde për investime.”

Klubi regjistroi pronën tokësore në emër të vet në vitin 2012, por projekti është akoma në vijim e sipër, ndërsa qeveria miratoi planin zhvillimor vitin e kaluar.

Ndërkohë, statusi në kontratë i “Adriatic Overseas Holdings” ende nuk është i qartë, ndërsa që të gjitha të dhënat mbahen nga prokuroria. Se kush është tani pronar i këtyre zhvillimeve dhe se prej ku do të vijnë paratë, sikurse edhe shumë çështje tjera në Mal të Zi – nuk është e qartë.

Ata që në këtë rast janë humbësit, së bashku me tifozët e “Mogrenit”, janë pasardhësit e pronarëve të vërtetë të tokës. Ata nuk pranuan të deklarohen zyrtarisht për shkak se janë akoma në shqyrtime gjyqësore për tokat e tyre, por në disa intervista, kanë thënë se komuna kishte obligim ligjor që t’ua kthejë tokën, por në vend të kësaj komuna ka bërë çdo gjë të mundshme për ta ndaluar kthimin e tokës.

Një nga ta tha: “Prapa kësaj qëndrojnë njerëz të cilët janë të lidhur familjarisht dhe përmes miqësive shumë të ngushta. Nëse dikush nuk do që të na kthehen pasuritë, atëherë kanë për ta bërë çdo përpjekje të mundshme për të siguruar se kjo nuk do të ndodhë.”

Stevan Dojçinoviq (CINS) kontribuoi për këtë kronikë.