Oligarku i Lidhur me Putinin Fiton Tenderë në KEK

Shkrimi fillimisht është publikuar më: 24 shkurt 2014

Arben Gjukaj, drejtor gjeneral i KEK-ut, mban në zyrën e tij flamurin amerikan ngjitas me të Kosovës dhe atë të ndërmarrjes publike të energjisë, teksa tregon se pse KEK-u shpalli fitues kompaninë e njohur ruse Power Machine, në një tender në vlerë prej mbi 5 milionë euro. 

Power Machine është pjesë e konzorciumit që ka në përberje kompaninë Monting Energetika nga Maqedonia dhe kompaninë bullgare Cerb.

Ndërmarrja publike e energjisë shpalli fitues këtë konzorcium, përkundër se një vit më herët e kishte eliminuar për shkak të dyshimeve për manipulime me çmime. 

Oferta më e ulët e përgjegjshme, është arsyeja që drejtuesit e KEK-ut theksojnë se bindi ata për ta shpallur këtë konzorcium fitues të tenderit. 

Kompania Power Machine që është pjesë e konzorciumit, drejtohet nga Alexey Mordashov, një prej biznesmenëve më të njohur rusë në botë. 

Është i ranguar i 11-ti në listën e pasanikëve rusë dhe i 45-ti në botë, me një pasuri prej 12.8 miliardë eurosh, bazuar në publikimet e revistës Forbes. 

Kontrata mes KEK-ut dhe konzorciumit fitues për riparimin e turbinave dhe gjeneratorëve elektrikë të termocentralit Kosova A planifikohet të nënshkruhet të martën më 25 shkurt. 

Fuqia biznesore e miliarderit rus përveç në riparime energjetike ka shtrirje të madhe edhe në biznesin e minierave, kryesisht të çelikut. 

Ai  ka në pronësi edhe gjigantët e minierave Severstal e Arcelor.

BBC-ja kur publikoi një profil për të, më 14 qershor të vitit 2006, e përshkroi atë si figurë kontroverse.

Tregohet se biznesmeni ka marrë nofkën “Tanku”, një “Njeri i hekurt”  me të cilin nuk bën të përzihesh.

“Ai ka bërë marrëveshje të komplikuara financiare për të siguruar pronësinë e Severstal nga privatizimi i vitit 1999 në Rusi dhe thuhet të ketë vëmendjen dhe favorizimin e Presidentit Vladimir Putin”, shpjegohet në artikull.

Sipas BBC-së, ai shihet si lideri de facto i qytetit rus Chereprovets që ndodhet përafërsisht në mes të Moskës dhe Shën Petersburgut.

Një muaj më herët kur Mordashov po intervistohej në maj të vitit 2006 për rritjen e fuqisë biznesore të tij, ishte pyetur edhe se a është mik i Vladimir Putin-it, presidentit të Rusisë.

“Është e ekzagjeruar të thuhet se unë jam mik me z. Putin. Zyrtarisht asnjë kompani private nuk mund të bëjë çfarë të dojë, pa  diskutuar me qeverinë”, thoshte ai. 

New York Times raportoi më 28 maj të vitit 2006 se Mordashov ka lidhje te ngushta me Vladimir Putin-in dhe persona të tjerë të rëndësishëm në politikën ruse, si dhe marrëdhënie biznesi brenda një kuadri të njohur si “Grupi i St. Peterbourg-ut”. 

Komiteti Amerikan për Mbikëqyrjen e Reformave Qeveritare më 20 tetor të vitit 2011 nxori konkludimin se Mordashov-i ka lidhje me Putin-in. Bazohej në raportimin e New York Times-it. 

Një dokument i publikuar në faqen zyrtare të këtij komiteti, tregon se anëtarët e tij i kishin sqarime ekzekutivit për dyshimet që rëndonin mbi pronarin e Severstal-it. 

Kompania e Mordashov-it kishte marrë të drejtën për të zbatuar projektin amerikan Dearborn që parashihte një investim prej 740 milionë dollarësh në modernizimin e industrisë së automjeteve. 


Foto: Korab Basha

Mbi 5 milionë euro për konzorciumin e Power Machine

Korporata Energjetike e Kosovës më 12 shkurt të këtij viti publikoi emrin e fituesit të  tenderit të ndarë në dy lote.  

Mbi 3 milionë e 99 mijë euro peshon oferta e konzorciumit fitues për të riparuar turbinën me avull dhe gjeneratorin elektrik të njësisë A4. 

Mbi 2 milionë e 605 mijë euro peshon oferta për të bërë riparimin e të njëjtave pajisje të njësisë A5.

KEK-u shpalli fituesin e këtij tenderi pas tri dështimeve të tenderit vitin e kaluar.

Aktivitetet tenderuese ishin zhvilluar në mars, qershor e korrik të vitit 2013, por KEK-u nuk kishte arritur të vendoste të shpallte fitues ndonjërin prej konkurrentëve. Anulimet ishin bërë pasi që nuk kishte më shumë se sa një konkurrent të përgjegjshëm në garë.

Zyrtarët e KEK-ut, Arben Gjukaj-drejtor gjeneral, Ymer Dragusha-drejtor i Prokurimit e Hamdi Gashi-kryetar i Komisionit Vlerësues, deklaruan javën e kaluar gjatë takimit me ekipin e Gazetës Jeta në Kosovë se në tenderin e fundit më i përgjegjshëm  ishte konzorciumi që ka në përbërje kompaninë ruse. 

Gjukaj deklaroi se rusët kishin përparësi ndaj konkurrentëve, sepse turbinat e termocentralit Kosova A janë ndëruar përgjatë viteve të 70-ta nga Leningradsky Metallichesky Zavod (LMZ). 

LMZ-ja aktualisht është një njësi prodhimi e Power Machine.

Gjithashtu, sipas Gjukajt, edhe Turbo Care  nga Polonia kishte avantazhe pasi kishte kryer më herët riparime të turbinave në KEK dhe kishte përvojë me riparimin e ndërtimeve sovjetike.

Power Machine ishte eliminuar nga gara – dyshohej për çmime manipulative 

I hapur fillimisht më 2013, loti i parë i tenderit ishte anuluar në prill të vitit të kaluar me arsyetimin se nuk kishte pasur ofertues të përgjegjshëm.

Konzorciumi që ka në përbërje kompaninë ruse Power Machine, ishte ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit për anulimin e lotit- “Riparimi kapital i turbinës se avullit dhe gjeneratorit elektrik”. 

OSHP-ja i kishte dhënë të drejtë KEK-ut. 

Vendimi i OSHP-së i datës 11 prill 2012 shpjegon se përfaqësuesit të konzorciumit i ishte sqaruar se nuk ishte vlerësuar si i përgjegjshëm, pasi që nga konkurentët ishin ofruar çmime manipulative në tenderë.

“Paneli Shqyrtues vërtetoi se Autoriteti Kontraktues ka vepruar konform ligjit, pasi që ofertat e operatorëve ekonomikë në pjesen opcionale janë çmime manipulative dhe të cilat çmime nuk janë çmime te tregut. Kjo u vërtetua gjatë seancës dëgjimore në prezencë të përfaqesuesit të palëve pjesëmarrëse në seancë”, thuhet në vendimin e OSHP-së.

Paneli kishte krahasuar çmimet opsionale të konkurrentëve dhe kishte vënë re se konzorciumi ku bën pjesë Power Machine kishte konkurruar me çmime dy apo trefish më të larta sesa garuesit tjerë. 

Ishte vërejtur se për një pjesë të turbinës –High Pressure Casing-( shtresë e presionit të lart)- ky konzorcium kishte kërkuar 2 milionë e 100 mijë euro, ndërsa një konkurrent tjetër vetëm 947 mijë euro.  

Te pjesët opcionale kemi vërejt një disproporcion-dallim të madh të çmimeve për pjesë opcionale mes OE:”Monting Energetika 000″ dhe OE-ve tjerë ofertues.

Për pjesën “High Pressure Casing”, OE ankues ka ofertuar me 2 milion e 100 mijë euro. 

Për një produkt tjetër -“Shtëpizën e shtypjes së mesme”-konzorciumi ku bën pjesë Power Machine kishte kërkuar 2 milionë e 688 mijë euro, ndërsa një konkurrent tjerë vetëm 1 milion e 200 mijë euro, përaktësisht 947 mijë euro. 

Ndërkaq, për rregullimin e rotorit të tensionit të mesëm, konzorciumi ku bën pjesë Power Machine kishte kërkuar 2 milionë e 8 mijë euro, ndërsa një konkurrent tjetër kishte kërkuar vetëm 866 mijë euro. 

Për rregullimin e rotorit të trysnisë së ulët, konzorciumi kishte kërkuar 2 milionë e 590 mijë euro, ndërsa një konkurrent tjetër kishte kërkuar vetëm 535 mijë euro. 

Çmimi opsional parasheh kryerje të pagesave për punë të paparashikuara pas hapjes së turbinave.

“..Paneli pati parasysh se lista opsionale mund të keqpërdoret gjatë implementimit të projektit që do të kishte nje kosto për të cilën nuk mund të dihet”, thuhet në këtë vendim.

Paneli nuk mori për të qëndrueshëm deklarimin e përfaqësuesit të konzorciumit Ivica Dimovski se “lista e çmimeve opsionale nuk paraqet ngarkesë dhe se mund të shfrytëzohet vetëm nëse paraqiten nevoja”. 

Konzorcimi i kompanive nga Maqedonia, Bullgaria e Rusia përkundër eliminimit në prill, kishte vazhduar edhe në qershor të vitit të kaluar të ofertonte ngjashëm. 

Kishte kërkuar afro 3 milionë euro dhe kishte vënë si çmim opsional shumën prej 24 milionë e 761 mijë eurosh. 

Zyrtarët e KEK-ut, gjatë intervistimit të enjten e javës së kaluar, deklaruan se duhet të shikohet çmimi i ofertës, e jo çmimi opsional, pasi që mund të mos ketë shumë nevojë për punë shtesë në turbina. 

Ndërkohë në një përgjigje të mëvonshme nëpërmjet emailit, drejtuesit e KEK-ut deklaruan se loti 1 në prill të vitit të kaluar ishte anuluar për shkak të pamundësisë së krahasimit të çmimeve të ofertave të konkurrentëve. 

Gazeta Jeta në Kosovë kontaktoi Astrit Hasanin, përfaqësues për Kosovë i i njërës prej kompanive në konzorcium-asaj bullgare Cerb.

Ai ishte të enjten tek zyrat e KEK-ut disa ditë para nënshkrimit të kontratës mes KEK-ut dhe këtij konzorciumi. 

Deklaroi se kishte shkuar aty për t’uu interesuar për një aktivitet tjetër prokurimi.  

Hasani deklaroi se nuk mund të fliste në emër të kompanisë që përfaqëson për rrjedhat e tenderit të fituar nga KEK-u. 

Gazeta Jeta në Kosovë ende nuk ka marrë një përgjigje nga zyra e informimit të Power Machine, Monting Energetika dhe kompanisë Cerb.