Pretendimet Milionëshe të IPKO-s nuk Gjejnë Mbështetje

Padia e kompanisë IPKO bërë ndaj PTK-së dhe Dardafon-it  para dy vjetëve, nuk është shqyrtuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës-Departamenti për Çështje Ekonomike. 

Gjyqi konkludoi më 30 shtator të vitit të kaluar se kompetent për të marrë vendim lidhur me këtë çështje është ARKEP-i (ish-ART), një institucion shtetëror që mbikëqyr operatorët telefonikë.

IPKO kërkon nga gjyqi që palët e paditura–Vala e Z-Mobile, ta kompensojnë atë në shumën prej mbi 14 milionë e 367 mijë euro, me arsyetimin se se këta operatorë duke bashkëvepruar mes vete, e kanë dëmtuar rëndë atë. 

Shqiprim Pula, zyrtar i Departamentit Ligjor të ARKEP-it, deklaroi se rregullatori i telekomit nuk ka pranuar ndonjë aktvendim gjyqi lidhur me këtë rast.

Por sipas tij, pretendimet e kompanisë IPKO janë shqyrtuar më herët nga ky institucion. 

Ai thotë se janë të pabaza pretendimet kundër marrëveshjës PTK- Dardafone që i mundësoi hyrjen në treg operatorit virtual Z-Mobile.

“Autoriteti i ka vlerësuar pretendimet e operatorit IPKO si të paqëndrueshme, duke iu referuar në veçanti nivelit aktual të zhvillimit të tregut të telekomunikimeve në vendin tonë”, tha Pulaj.

IPKO ankohet pas vendimit të gjykatës

Operatori mobil IPKO, me të kuptuar vendimin e Gjykatës Themelore, kishte bërë ankesë  më 9 tetor të vitit të kaluar. Apeli ende nuk ka shqyrtuar ankesën e kompanisë.

“Kjo lëndë është te ne, i është ndarë gjykatëses për punë, por ende nuk është shqyrtuar”, tha Arbër Jashari, zyrtar për informim i Gjykatës së Apelit.

Në ankesën e kompanisë drejtuar gjyqit të apelit në Prishtinë, thuhet se “ART-ja nuk ka kompetencë për të trajtuar këtë lëndë të kompensimit të dëmit” dhe se aktvendimi i shkallës së parë përbën shkelje të dispozitave ligjore të procedurës kontestimore.

Por, të dy palët e paditura, PTK/Vala dhe Z-Mobile duke iu përgjigjur ankesës së IPKO-s, kanë thënë që padia është e palejueshme. Ato kanë mbrojtur edhe Gjykatën Themelore për vendimin e  marrë.

Sipas PTK-së kjo gjykatë ka nxjerrë aktvendim të drejtë dhe legjitim dhe që sipas saj, ajo ka dhënë arsyetim të bindshëm kur është shpallur gjykatë jo kompetente”, thuhet në përgjigjën e PTK-së ndaj ankesës së IPKO-s, dorëzuar në gjyq më 21 tetor të vitit të kaluar.

Në të njëjtën ditë, përgjigje ndaj ankesës së IPKO-s dorëzoi edhe kompania Dardafone.

“Mbështetur në rregullore, përcaktohet qartë se kontestet në mes të pjesëmarrësve të telekomunikacionit duhet t’i nënshtrohen zgjidhjes jashtëgjyqësore të konfliktit pranë Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit”, thuhet në përgjigjen e Dardafone-s ndaj ankesës së IPKO-s.

IPKO: Vala dhe Z-Mobile kanë bashkëpunuar për të na dëmtuar

Marrëveshjen e nënshkruar mes Valës dhe Z/Mobile-it në janar të 2010-ës, ky operator e quan të jashtëligjshme. 

Operatori virtual i telefonisë mobile Z-Mobile filloi shërbimet e tij që nga janari i 2010-ës, duke hyrë në një marrëveshje me Vala/PTK-në. 

Po në bazë të kësaj marrëveshjeje, Vala dhe Z/Mobile ishin dakorduar edhe që ta ndajnë fitimin.

Bazuar në padinë e dorëzuar në gjyq më 21 shkurt të 2012-ës, IPKO pretendon se konkurrentët e saj aplikuan çmime të ulëta të shitjes brenda rrethit (brenda Valës dhe Z-Mobile-it) me qëllimin për ta përjashtuar atë nga tregu i telefonisë. 

Në padinë e IPKO-s, janë të paraqitura në mënyrë tabelare çmimet e Z Mobile me Valën, por edhe me IPKO-n.  

Çmimi i Z- Mobile-it me operatorin Vala për thirrjet vendore me tarifën e rregullt është 0.02 euro minuta, tarifa e ulet 0.04 dhe tarifa ekstra e ulët 0.02, kurse sms-të 0.03. 

Kurse, Z Mobile me operatorin IPKO ka çmimin për të tri tarifat 0.18 euro minuta, kurse për sms 0.13 euro.

Bazuar në padinë e IPKO-s, lehtësimet në komunikim mes dy operatorëve kishin për qëllim që të parandalonin klientët e rinj që t`i bashkohen rrjetit të kësaj kompanie.

IPKO përmend në padi një deklarim të Shyqri Haxhës, ish drejtor ekzekutiv i PTK-së. 

Haxha në një debat të mbajtur në universitetin “AAB-Riinvest”, me 5 gusht të vitit 2011 kishte folur rreth marrëveshjes që ka Vala me Z-Mobile ndërsa kishte përmendur ndarjen e të ardhurave mes këtyre dy operatorëve të telefonisë mobile.

“PTK-ja përfiton 27 për qind nga çdo thirrje e Z-Mobile drejtuar në operatorë tjerë, përfshirë edhe në ata fiks. Ndërkaq, PTK-ja nuk përfiton vetëm kur thirrjet kryhen brenda rrjetit të Z-Mobile-it dhe Z-mobile – Vala”, kishte deklaruar Haxha. 

Por bazuar në këtë deklaratë të Haxhës, IPKO në padinë e saj hedh dyshime për fitimet që mund t’i ketë Vala edhe për thirrjet brenda rrjetit. 

IPKO në padinë e saj  gjithashtu konteston edhe ligjshmërinë e marrëveshjes së Valës e Z-Mobile-it, duke konkluduar se ajo bie ndesh me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës.

Neni 4 i këtij ligji ndalon marrëveshjet ndërmjet ndërmarrjeve të cilat mund të ndikojnë në prishjen e konkurrencës në treg.