Rrëfimi i Biznesmenit Që Dha Mitë

Me një mijë euro mitë Bedri Elezajt i është ofruar mundësia që të nxjerrë zhavorr nga lumi Bistrica. 

Ai është njëri nga eksploatuesit ilegalë të zhavorrit që në nëntor vendosi të bashkëpunojë me policinë për të zbuluar rrjetin e korrupsionit në Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale, në të cilin ishte i përfshirë vetë  kryeinspektori i KPMM-së Nuredin Bislimi. 

Vendimi i qeverisë për ta ndaluar eksploatimin e zhavorrit nga lumenjtë e vendit ka krijuar mundësinë që inspektorët e KPMM-së të krijojnë përfitime, duke marrë mitë nga eksploatuesit ilegalë të zhavorrit. 

Para  dy vjetësh Qeveria e Kosovës përmes një vendimi ka ndaluar eksploatimin e zhavorrit nga lumenjtë e vendit. “Ndalimi do të zgjasë deri në 3 vjet nga dita e hyrjes në fuqi të këtij vendimi”, thuhej në vendimin e Qeverisë të datës 2 nëntor 2011.

Vendimi i nënshkruar nga kryeministri Hashim Thaçi, ngarkon ndër institucione të tjera, edhe Komisionin për Miniera dhe Minerale-KPMM-në dhe policinë që të zbatojnë vendimin.

Biznesmeni nga Klina Bedri Elezaj, pronar i kompanisë “Elezaj”,  rrëfen për Gazetën Jeta në Kosovë se si iu kërkuan para nga zyrtarët shtetërorë. 


Nuredin Bislimi

Seperacioni pronë e Elezaj në fund të vitit 2011 ishte mbyllur për shkak të vendimit të qeverisë.

Ai në afërsi të seperacionit të mbyllur kishte nisur ndërtimin e një betoniere, për funksionimin e të cilës i duhej leje nga KPMM-ja.

Thotë se ishte paralajmëruar nga inspektorët se nuk do të merrte leje për operimin e betonierës, në rast se do të eksploatonte zhavorr ilegalisht. 

“Nja 10 ditë para se me ardhë kryeinspektorët,  ka ardhë në seperacion  Lulzim  Çitaku, i cili i ka kryer disa matje me GPS, ndëra pas dhjetë dite në seperacion ka ardhur vetë kryeinspektori Nuredin Bislimi”, thotë Elezaj.  

Gjatë vizitave që i ishin bërë Elezajt nga inspektorët, ai thotë se nuk kishte qenë duke eksploatuar zhavorr, mirëpo inspektorët e vunë në lajthitje duke i ofruar të nënshkruajë një dokument, të cilin ai nuk e kishte kuptuar. 

Elezaj thotë se e kishte kuptuar më vonë se çfarë kishte nënshkruar dhe për këtë e kishte telefonuar kryeinspektorin Bislimi, i cili në bisedë telefonike i kishte thënë se dënimi për këtë ishte shumë i lartë dhe ai duhet t’i rrijë gati punës.

“Ai më tha rri gati vetit se kjo do të thotë se dënimi është prej 5 mijë deri në 50 mijë [euro].” pohon Elezaj. 

Thotë se pas kësaj telefonate është takuar me zyrtarin e lartë shtetëror në Prishtinë, ku ishin marrë vesh për ta hequr dënimin dhe në këmbim Elezaj të paguante 1 mijë euro mitë.

Ndërkohë, biznesmeni i cili thotë se ishte lodhur nga këto presione, vendos që të shkojë në polici dhe ta lajmërojë rastin. 

Dy ditë pas takimit në Prishtinë kyeinspektori Bislimi dhe inspektori Çitaku shkojnë në seperacionin e Elezajt. 

Aty biznesmeni i cili ishte duke bashëpunuar me policinë i dorëzon 1000 eurot te kryeinspektori Bislimi dhe disa metra më tutje policia arreston kryeinspektorin dhe inpektorin Çitaku për veprën penale të mitëmarrjes.

Pranon fajin

Dëshmitë e Biznesmenit Elezaj janë duke u shfrytëzuar si prova kryesore në çështjen kundër dy inspektorëve. 

Shpresa Gashi, prokurorja e rastit nga prokuroria e Pejës, deklaroi për Gazetën Jeta në Kosovë se pas arrestimit ka bërë një marrëveshje me kryeinspektorin Bislimi, i cili sipas saj e ka pranuar fajësinë për veprën e kryer dhe se për këtë do të marrë një dënim nga 6 muaj deri në 1 vit burgim. 

“Përderisa ende mbetet të vazhdohet me hetimet për inspektorin Lulzim Çitaku, i cili sipas prokurores ende nuk e ka pranuar fajësinë”, shton ajo.


Sahide Gashi

Avokati Bajram Tmava mbrojtës i Bislimit thotë se klienti i tij e ka pranuar fajësinë për mitëmarrje dhe se gjatë tërë kohës ai është mbrojtur në heshtje. 

Sipas avokatit Tmava, i përket prokurorisë që ta zbardhë nëse paratë janë marrë edhe për Lulzim Çitakun.  

“Nëse prokuroria e akuzon  Çitakun për mitëmarrje, atëherë Bislimi mund të ftohet si dëshmitar në proces”, deklaroi Tmava. 

Ndërkaq arsyeja e mospranimit të fajësisë nga ana e Çitakut sipas avokatit të tij Mahmut Halimi është se Çitaku nuk ka ditur se shefi i tij po kërkonte para nga biznesmeni. “ 

“Lulzim Çitaku nuk ka pasur të bëjë asgjë me rastin, ai nuk e ka ditur se eprori i tij po kërkonte mitë”, thotë Halimi. 

Sipas avokatit, klienti i tij është vetëm një viktimë. 

Mirëpo prokurorja Gashi e cila është duke e hetuar rastin, thotë se provat çojnë në drejtim të asaj që edhe Çitaku ka ditur për veprën. Sipas saj prokuroria është duke hetuar edhe për raste të tjera ku inspektorët e KPMM-së kanë kërkuar para nga seperacionet e zhavorrit.