Blerja e Parregullt nga Devolli në Parlament

Kanë kaluar më shumë se tri vjet prej kur shteti privatizoi ndërmarrjen shoqërore Amortizatorët që kishte nam në vitet ‘70-‘80 si e vetmja në Ballkan që prodhonte amortizatorë të cilët shfrytëzoheshin për makina të larjes dhe për makina si Golf, Peugeot e Zastava. 

Por, tash në nëntor të vitit 2013, Vetëvendosja opozitare kërkon që Kuvendi i Kosovës të debatojë lidhur me privatizimin e ish-ndërmarrjes shoqërore që gjendet në Zonën Industriale të Prishtinës, rrugës për Fushë Kosovë.

Vetëvendosje kërkon që  të ngrihet Komision Hetimor Parlamentar për të hetuar dyshimet për parregullsi gjatë këtij privatizimi. 

Kryesia e Kuvendit  debatoi për këtë çështje të hënën e kaluar,  më 25 nëntor. 

Vendosi që të miratojë kërkesën e Vetëvendosjes. 

“Data se kur do të mbahet debati për këtë çështje, pritet të vendoset në mbledhjen e ardhshme të Kryesisë se Kuvendit”, deklaroi Visar Ymeri, shef i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes.

Në mbledhjen e kryesisë më 25 nëntor u vendos që  Agjencia Kosovare e Privatizimit të dorëzojë raport lidhur me privatizimin e ish-ndërmarrjes shoqërore Amortizatorët. 

“Pas marrjes së kësaj informate, Kryesia do t`a adresoj në seancë plenare të njëjtën bashke me  kërkesën e VV për shqyrtim në Kuvend”, deklaroi Ismet Krasniqi, sekretar i Kuvendit të Kosovës.

Ndërkohë, Agjencia Kosovare e Privatizimit vlerëson se procesi i privatizimit ishte i rregullt. 

“Agjencia Kosovare e Privatizimit është e hapur për të ofruar gjithë informacionet e nevojshme për sa i përket këtij tenderi dhe tenderëve tjerë që ka zhvilluar e zhvillon gjatë procesit të privatizimit. Agjencia është institucion i themeluar dhe mbikëqyrur nga Kuvendi i Kosovës, ku raporton në baza të rregullta, ashtu siç obligohet me ligj”, deklaroi Ylli Kaloshi zyrtar i lartë për marrëdhënie me publikun në AKP. 

Agjencia Kosovare e Privatizimit më 2010, krijoi dy ndërmarrje të reja nga Amortizatorët, duke shitur në shtator të vitit ndaras fabrikën nga ndërtesa administrative.

Fabrika u ble për 2 milionë e 500 mijë euro nga kompania e fuqishme nga Peja Devolli Group, ndërsa  ‘Ndërtesa Administrative’ e Fabrikës së Amortizatorëve për një shumë prej 5 milionë e 100 mijë eurosh nga një kompani private e ndërlidhur me “Devolli Group”. Përgjegjësit e kompanisë NPT Euronex figuronin si zyrtarë të Z-Mobile, një entitet i kompanisë Devolli Group. 

Gazeta Jeta në Kosovë pati raportuar në tetor të vitit 2011 për parregullsitë në procesin e privatizimit të aseteve të ish-ndërmarrjes shoqërore Amortizatorët.

Agjencia Kosovare e Privatizimit kishte thyer dy rregulla  të privatizimit, duke i shitur ‘Fabrikën e Amortizatorëve’ korporatës ‘Devolli Group’. Kompania ishte nën hetime për korrupsion dhe blerjen e realizoi përkundër faktit që kjo ishte oferta e vetme. Përveç kësaj, ndërmarrja potencialisht profitabile me 8 hektarë tokë, shitej vetëm për 2 milionë, në një nga lokacionet më të strategjike në kryeqytet.

Devolli Group kishte reaguar ndaj publikimit të artikullit nëpërmjet avokatit të kompanisë Virtyt Ibrahimaga. 

“Nuk është e vërtetë qe kompania Devolli ka privatizuar ndërmarrje në mënyrë të paligjshme. Të qenët nën hetime nuk është pengesë për të qenë i angazhuar ne afarizmin ekonomik. Sipas rregullave të privatizimit, vetëm personat e dënuar për vepër penale nuk janë të lejuar të marrin pjesë në tender”, thuhej në reagimin e kompanisë, në tetor të vitit 2011.

Por, rregullat e privatizimit parashohin ndalesë për personat që i nënshtrohen një procedure penale.

Tek neni  3 i këtyre rregullave flitet për ofertuesit me ndalesë konkurrimi, përkatësisht pika (e) ndalon të marrin pjesë në garë për blerjen e një ndërmarrje shoqërore, personat fizikë që janë shpallur fajtorë për ndonjë krim që është kryer pas muajit qershor 1999, ose që në ndonjë mënyrë tjetër u nënshtrohen procedurave penale.

Në të njejtën valë të privatizimit, derisa gjendej nën hetime, korporata e fuqishme nga Peja bleu edhe një ndërmarrje tjetër shoqërore. 

AKP-ja e kishte miratuar shitjen e “Kompleksit Industrial” për “Devolli Group”. Korporata bleu 10 hektarë dhe rreth 43 mijë metra katrorë ndërtesa, për 700 mijë e 700 euro. 

Devolli Group ishte pronë e vëllezërve Blerim e Shkëlqim Devolli. 

Aktualisht pronarë i Devolli Group është Blerim Devolli ndërsa Shkëlqim Devolli është pronarë i Devolli Corporation. 

Fabrika e Amortizatorëve tashmë figuron në pronësi të Devolli Corporation që ka për datë të konstituimit  në Agjencinë e Regjistrimin të Biznesin 13 shkurtin e vitit 2012. 

Gazeta Jeta në Kosovë i dërgoi pyetje kompanisë Devolli Corporation dhe Shkëlqim Devollit lidhur me kërkesën e Vetëvendosjes, por ende nuk ka marrë përgjigje. 

Ndërkohë Kaloshi, zyrtari  i  Agjencisë Kosovare të Privatizimit, deklaroi se ishte bërë kërkesë më 23 nëntor të vitit 2010 për verifikimin e historikut të blerësit, para se kontrata të nënshkruhej.

“Agjencia Kosovare e Privatizimit ka pranuar nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme verifikimin e historikut të ofertuesve fitues të Valës 45A të privatizimit, ku për blerësin e ndërmarrjes në fjalë thuhet se: “nuk rezulton të jetë i involvuar në ndonjë aktivitet kriminal”, deklaroi Kaloshi. 

Megjithatë, rregullat e privatizimit parashohin që të diskualifikohen edhe ofertuesit që i nënshtrohen një procedure penale, e jo vetëm ata që rezultojnë të përfshirë në ndonjë aktivitet kriminal.

Ndërkaq pas publikimit të artikullit, kompania Devolli Group në pronësi të Blerim Devollit ka komentuar kërkesën e lëvizjes Vetëvendosje për ngritje të komisionit hetimor parlamentar për procesin e privatizimit të fabrikës së amortizatorëve. 

“Kompania Devolli Group edhe një herë thekson se blerja e fabrikës së re Amortizatorët ka qenë proces i rregullt.  Kompania është transparente dhe do të bashkëpunojë me secilin organ kompetent të Republikës së Kosovës për secilën çështje që parashihet me ligj”, thuhet në përgjigjen e Devolli Group dhënë Gazetës Jeta në Kosovë. 

Bazuar në përgjigjen e Devolli Group, rregullat e privatizimit nuk ndalonin ofertimin e tyre në blerjen e fabrikës së amortizatorëve, pasi që sipas tyre “Të qenurit nën hetime nuk e privon askënd që të angazhohet në aktivitete ekonomike”. 

“Neni 3 i rregullave të AKP-së të cilit i referohet mediumi, flet për dënim për vepër penale ose nënshtrim ndaj procedurave penale. Hetimet janë veprime paraprake hetuese, e jo procedurë penale dhe në kohën kur është aplikuar për blerje të këtij aseti, nuk ka pasur asnjë procedurë penale gjyqësore dhe asnjë dënim për vepër penale”, thuhet në përgjigjen e Devolli Group.

Kompania bazohet në një vendim të Odës së Veçantë të Gjykatës Supreme të Kosovës, lidhur me intepretimin e nenit 3 të rregullave të AKP-së.

 “Përmes vendimit me numër SCC-06-0070 ka vërtetuar se personat që janë nën hetime, ose janë nën aktakuzë, nuk mund të privohen nga pjesëmarrja në tenderë të organizuar nga AKP-ja, përveç nëse janë të dënuar për krime serioze me vendim të prerë të gjykatës.

Oda e Veçantë e Gjykatës Supreme të Kosovës ka lejuar qasje në këtë dokument të datës 22 mars të vitit 2006. 

Një kompani u ankua në vitin 2006 në OVGJS kundër Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit, pasi ishte diskualifikuar për shkak se gjendej nën hetime. 

Një gjykatës i OVGJS-së konkludoi se ky nuk ishte argument bindës që të diskualifikohej kompania. 

Ylli Kaloshi, zyrtar i lartë për Marrëdhënie me Publikun në AKP, deklaroi se vendimi i OVGJS-së u referohej rregullave të privatizimit në kohën e ish-AKM-së.

“Sidoqoftë, rregullat e tenderit kanë ndryshuar disa herë. Që nga ai vit, ka pasur ndryshime në nenin që ka të bëjë me ndalesën e ofertimit për pjesëmarrësit e interesuar, por jo ndryshime thelbësore”, ka deklaruar Kaloshi. 

Rregullat në valën e 45 të privatizimit ku përfshihej edhe Fabrika e Amortizatorëve parashihnin ndalesë për ofertuesit që i nënshtrohen një procedure penale.

“Personat fizikë që janë shpallur fajtorë për ndonjë krim që është kryer pas muajit qershor 1999, apo që në ndonjë mënyrë tjetër i nënshtrohen procedurave penale”, thuhet në pikën e të nenit 3, që flet për ofertuesit me ndalesë ofertimi. 

Ndërkohë ato u ndryshuan edhe më 2013. 

Rregullat e reja të vendosura në gusht të këtij viti u ndalojnë pjesëmarrjen në garë personave që janë të dënuar për kryerjen e një vepre penale me burgim në kohëzgjatje mbi një vit. 

Po ashtu kompania Devolli në përgjigjen dhënë Gazetës Jeta në Kosovë, deklaroi se gjykata mori vendim shfajësues lidhur me akuzat e ngritura në rastin e procesit gjyqësor që përfshiu këtë kompani dhe Postë-Telekomin e Kosovës.

“Devolli Group kurrë nuk ka qenë e hetuar për korrupsion ashtu siç pretendon media (paragrafi 15). Hetimi ka pasur te bëjë për hyrjen në kontratë të dëmshme dhe për këtë ka një vendim të formës së prerë shfajësues, që konstaton se dyshimi ka qenë tërësisht i pabazuar”, thuhet në përgjigjen e kompanisë Devolli. 

Por, vëllezërit Devolli dhe Ismet Bojku, sipas aktakuzës së ngritur nga prokurori i rastit, akuzoheshin për mashtrim, lidhje të kontratave të dëmshme, keqpërdorim të besimit, falsifikim të dokumenteve dhe krim të organizuar, ndërsa Haxha dhe Gjonbalaj për lidhje të kontratave të dëmshme, shpërdorim të detyrës zyrtare dhe keqpërdorim të autorizimeve në ekonomi, ndërsa Haxha dhe Gjonbalaj për lidhje të kontratave të dëmshme, shpërdorim të detyrës zyrtare dhe keqpërdorim të autorizimeve në ekonomi.

Sipas aktakuzës së aprovuar nga gjykatësi i procedurës paraprake vëllezërit Devolli dhe Ismet Bojku nuk akuzoheshin më për krim të organizuar dhe për keqpërdorim të besimit. Edhe Haxhës dhe Gjonbalajt iu hodh poshtë akuza për keqpërdorim të autorizimeve.

Pretendimet e Vetëvendosjes 

Procesi i udhëhequr nga Agjencia Kosovare e Privatizmit  nuk ishte i rregullt bazuar në kërkesën e Visar Ymerit, shefit të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, e dorëzuar më 19 nëntor të këtij në Kryesinë e Kuvendit të Kosovës. 

Në kërkesën e grupit parlamentar të Vetëvendosje rekomandohet që Kuvendi i Kosovës të ngrejë Komisionin Hetimor Parlamentar për hetimin e procesit të privatizimit të ndërmarrjeve N.Sh. Fabrika e Amortizatorëve dhe N.Sh. Amortizatorët – ndërtesa administrative.

Po ashtu rekomandohet që të caktohet një auditim ligjor dhe financiar për këtë proces të privatizimit, i cili do të kryhej nga një subjekt ndërkombëtar.

VV-ja  rekomandon që AKP-ja të pezullojë procesin e privatizimit për njërën prej ndërmarrjeve të privatizuara, për shkak të shkeljeve të kryera në valën e 45-të. 

Në kërkesën e VV-së listohen pretendimet për shkeljet e kryera në privatizimin e N.SH “Fabrika  e Amortizatorëve”. 

Përmendet se AKP-ja nuk mori parasysh kriteret e përcaktuara në nenin 3 të Rregullave të Përgjithshme të Tenderit për Privatizim. 

Ky nen parasheh ndalesë në blerjen e një ndërmarrje shoqërore nga personat që janë shpallur fajtorë për ndonjë krim që është kryer pas muajit qershor 1999, ose që në ndonjë mënyrë tjetër u nënshtrohen procedurave penale.

Atëkohë pronarët e Devolli Group, Blerim dhe Shkëlqim Devolli hetoheshin nga Prokuroria Speciale lidhur me kontratën e lidhur me Postë-Telekomin e Kosovës për operatorin virtual të telefonisë mobile. 

Në qershor të vitit 2013 vëllezërit Devolli u liruan nga akuzat në mungesë të provave.

Kryetari i trupit gjykues Viktor Hygo Pardal në arsyetim po ashtu tha se “aktakuza ishte e bazuar në një letër të Shatkut, e që aktakuza të provohet duhet të ketë diçka më shumë se aq”.

Një tjetër parregullsi e pretenduar nga Vetëvendosje është edhe shitja e ndërmarrjes përkundër që ishte vetëm një ofertues në garë. 

Bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit ka mandat që të anulojë shitjen, nëse në garë janë më pak se tre ofertues të përgjegjshëm. Kjo parashihet në nenin 15 të rregullave të privatizimit.