Gjiganti Austriak Tërhiqet nga Kosova

Ambienti i biznesit në Kosovë duket se nuk është aspak miqësor me investitorët e huaj. Gjiganti austriaka, “Strabag”, i cili në Kosovë kishte investuar rreth 6 milionë euro, tani po shet çdo gjë dhe po kthehet në vendin e saj.

Një ish-menaxher kosovar thotë se investimi austriak u dëmtua nga politika dhe konkurrenca jolojale.

Gurorja në afërsi të Drenasit ishte blerë në vitin 2006 për 2,5 milionë euro. Përveç gurëthyesit, “Strabag” investoi edhe në ngritjen e një baze të asfaltit dhe vlera e përgjithshme e investimeve arriti në rreth 6 milionë euro.

Mirëpo zyrtarë të kësaj kompanie kanë bërë të ditur se kanë filluar procedurat e shitjes së gurëthyesit dhe të gjitha investimeve të bëra në Kosovë, për shkak të ambientit “jomiqësor” për biznes që gjetën në Kosovë.

Zëdhënësja e korporatës, Diana Klein, ka konfirmuar për Gazetën Jeta në Kosovë se kanë nisur procesin e shitjes. Ajo nuk ka dashur të japë shumë detaje rreth këtij procesi, por nuk ka ngurruar të shprehë pakënaqësinë për tregun dhe ambientin ekonomik në Kosovë.

“Në fakt, ‘Strabag’ nuk është e kënaqur me volumin e shitjes së produkteve të gurëthyesit dhe bazës së asfaltit. Për më tepër, ne kemi pritur një treg më të mirë dhe kushte më të mira ekonomike”, ka thënë Klein.

Edhe pse nuk ka të dhëna zyrtare për çmimin e shitjes, jozyrtarisht merret vesh se pritjet janë që çmimi të jetë rreth 5 milionë euro. “Strabag” ka biseduar me disa kompani të interesuara për të blerë investimet e saj, por deri më tani nuk ka asgjë konkrete.

Çmimi prej 5 milionësh duket tejet i lartë për vendorët. Pronari i kompanisë “Al Trade”, Bajram Gashani, i cili konsiderohej si një nga favoritët kryesor për blerjen e gurores në Drenas, është shprehur se tashmë është tërhequr. “Po kemi qenë të interesuar për ta blerë guroren në Drenas, por kjo më nuk është në planet tona biznesore”, i tha Gashani, gazetës.

Ndërkaq biznesmeni tjetër nga Skenderaj, Rrustem Rukolli, është shprehur se ky gurëthyes është “kafshatë e madhe” për të. Ai thotë se ka punuar një kohë të gjatë në Austri dhe e njeh mirë këtë veprimtari dhe ai kishte një ofertë tjetër për “Strabagun” nga Austria.

“Unë iu kam ofruar një bashkëmenaxhim të këtij impianti. Ndërsa për ta blerë më duket e paarritshme. Çmimi për të cilin kam dëgjuar se sillet mbi 5 milionë, është kafshatë tepër e madhe për mua”, tha Rukolli.

“Nuk ka kompani kosovare që e blen me këtë çmim, sepse tregu i Kosovës është stërmbushur”. Sipas tij, në këtë lloj biznesi mjafton një investim deri në 400 mijë euro dhe mund të bësh konkurrencë secilit nga gurëthyesit që veprojnë në Kosovë.

Mirëpo, nuk është konkurrenca ajo që ka nxjerrë jashtë tregut “Strabagun”. Një njohës i mirë i kësaj fushe i tha Gazetës JnK se kompanitë që shpërblehen me tenderë të mëdhenj për ndërtimin e rrugëve, paraprakisht marrin “instruksione” se ku duhet të blejnë zhavorrin për rrugët. E “Strabag” nuk ka qenë në listën e kompanive të preferuara nga njerëzit e pushtetshëm.

Këto pohime i konfirmon edhe ish-menaxheri i Gurores, Gani Geci, ish-deputet dhe zyrtar i lartë i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, tashmë në opozitë.

Geci thotë se këtë investim të madh e ka dëmtuar politika. Sipas tij, kompanitë fituese të tenderëve e dinin paraprakisht se ku duhet të blinin zhavorrin. “Madje ndërhyrjet politike kishin arritur deri aty sa kishin bindur menaxhmentin se isha unë pengesa kryesore pse prodhimet tona nuk shiteshin…Në atë kohë unë isha deputet i Parlamentit të Kosovës, në kuadër të LDD-së”, thotë Geci, për gJnK.

“Por në kohën sa kam qenë unë, është shitur diçka, ndërsa pas largimit tim ata kanë pasur rënie edhe më të mëdha… Si duket, ‘Strabag’, tek tani e kanë kuptuar se politika ka ndikuar në mossuksesin e tyre”, shton ai.

Se ambienti i biznesit në Kosovë është i papërshtatshëm, e thotë edhe zëvendësdrejtori i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka. “Ambienti i biznesit në Kosovë, ashtu sikur edhe prezantohet nëpër raporte të ndryshme të organizatave prestigjioze ndërkombëtare, siç është ‘Raporti i të Bërit Biznes’ i Bankës Botërore, nuk është i përshtatshëm. Dhe kjo është edhe arsyeja pse ngecim si shtet në tërheqjen e më shumë investimeve të huaja”, shprehet Zeka.

Sipas tij, ka pak iniciativa konkrete, të cilat do të ndikonin në përmirësimin e ambientit afarist në vend, siç janë eliminimi i disa lejeve dhe licencave, të cilat kanë qenë bezdisëse për bizneset në Kosovë.

Nga ana tjetër, Zeka shton se Kosova ofron mundësi të mira për tërheqjen e investimeve të huaja, në aspektin e resurseve të ndryshme, përfshirë ato njerëzore. “Gjithashtu edhe në aspektin legjislativ, edhe pse gjithmonë ka vend për përmirësime”.

Por ajo që i mungon Kosovës, është zbatimi i ligjeve, përmirësimi i sundimit të ligjit, luftimi i ekonomisë joformale dhe korrupsionit, thekson zëvendësdrejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik (MZHE) nuk kanë dashur të komentojnë paralajmërimet për tërheqjen nga Kosova të një investitori serioz të huaj. Këshilltari i ministrit të MZHE-së, Gëzim Baxhaku, është shprehur se gjithçka çka kjo ministri “mund të bëjë për bizneset, dhe që po e bën në vazhdimësi”, është të sigurojë kushte më të mira ligjore për funksionimin e subjekteve ekonomike.

“Kjo nënkupton krijimin e infrastrukturës ligjore që ata të funksionojnë në bazë të parimit kushtetues së ekonomisë së lirë të tregut”, i tha Baxhaku, gazetës.

Sipas tij, ligjet e Kosovës në fuqi sigurojnë kushte të barabarta për të gjitha entitetet ekonomike.