Zyrtarët Malishevas të Përfshirë në Shpronësime

Shpronësimet të cilat është duke i kryer qeveria, përgjatë trasesë së autostradës, nuk janë duke u pritur mirë në dy fshatra të Malishevës. Banorët e fshatit Bellanicë, dhe disa banorë të fshatit Banjë, pretendojnë se pronat nëpër të cilat është duke u ndërtuar autostrada, u janë marrë nga pushteti në vitin 1958, dhe që atëherë nuk u janë kthyer.

Konflikti ka lindur për shkak se pronat e nacionalizuara atë kohë, ishin grumbulluar në një ndërmarrje të përbashkët shoqërore, të quajtur “Mirusha”, dhe banorët që nga ajo kohë nuk janë kompensuar për pronën e marrë nga shteti, e as nuk iu është kthyer prona.

Pakënaqësitë e bellanicasve janë rritur edhe më shumë kur ata kanë kuptuar, se këto prona janë nxjerrë dhe shitur në privatizim nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), pa u zgjidhur kontesti.

Për përfaqësuesin e banorëve të fshatit Bellanicë, Hazir Hoxha, është i pakuptimtë fakti, se si shteti e ka shitur pronën e gjyshërve të tyre.  “Unë nuk e di qysh ata kanë vendosë; shteti e ka marrë atëherë, e shteti u dashtë me e kthy. Është dashtë me e zgjidhë kontestin fillimisht, e pastaj të shkohet në privatizim”, i ka thënë Hoxha, Gazetës Jeta në Kosovë.

Ai tregon se bashkëfshatarët e tij kanë ushtruar më shumë se 30 padi në gjykatë për ta fituar këtë të drejtë. “Paditë tona kanë mbetur peng, në mënyrë që dikush të përfitojë deri sa të shitet kjo ndërmarrje. Ne kemi ushtruar rreth 30 padi në Gjykatën Komunale në Malishevë, si dhe dy padi në Dhomën e Veçantë të Gjykatës Supreme”, sqaron përfaqësuesi i fshatit.

Për ta kuptuar arsyen se pse paditë e banorëve të Bellanicës nuk e kanë bllokuar procesin e privatizimit të ndërmarrjes “Mirusha”, Gazeta Jeta në Kosovë ka hulumtuar për fatin e padive të cilat i kishin dërguar banorët e Bellanicës.

Hazir Hoxha, përfaqësues i banorëve të Bellanicës

 

Pjesa më e madhe e banorëve të fshatit Bellanicë, i kanë drejtuar paditë e tyre në Gjykatën Komunale të Malishevës. Por kjo gjykatë, sipas Ligjit për Dhomën e Veçantë të Gjykatës Supreme, nuk është kompetente t’i pranojë, e as t’i shqyrtojë këto padi. Për trajtimin e kontesteve ndërmjet ndërmarrjeve shoqërore dhe pretenduesve të pronës, është një gjykatë speciale e krijuar pikërisht për këto konteste, Dhoma e Veçantë e Gjykatës Supreme të Kosovës për çështje të privatizimit”.

Përkundër faktit se ligji kërkonte që paditë të shkonin drejt në Dhomën e Veçantë të Gjykatës Supreme, Gjykata Komunale në Malishevë i ka pranuar paditë e banorëve të Bellanicës, madje në dy raste edhe i ka zgjidhur ato. Por ato kanë mbetur si të pazbatuara.

Sipas kryetarit të Dhomës së Veçantë të Gjykatës Supreme, Sahit Sylejmanit, palët është dashur që fillimisht paditë t’i dërgojnë në Dhomën e Veçantë, kurse ato padi të cilat janë dërguar në gjykatat komunale nuk kanë qenë në përputhje me ligjin.

Gazeta ka kontaktuar kryetarin e Gjykatës Komunale në Malishevë, Lulëzim Paçarizi, me qëllim që të sqarojë pse janë pranuar këto padi, por ai nuk ka pranuar të flasë, me arsyetimin se këto padi ishin pranuar në kohën kur ai nuk ishte kryetar i gjykatës.

Nga ana tjetër, avokati Ibrahim Elshani i cili ka dorëzuar nëntë padi në Gjykatën Komunale të Malishevës, pohon se kompetente për t’i shqyrtuar këto lëndë në bazë të kompetencës lëndore ka qenë kjo gjykatë.

“Kompetente për shqyrtimin e këtyre lëndëve është Gjykata Komunale. Dhe pala nuk është e obliguar ta caktojë kompetencën, pasi që këtë është e obliguar ta bëjë gjykata”, sqaron Elshani, duke theksuar se nuk kanë qenë në dijeni për Ligjin për Dhomën e Veçantë të Gjykatës Supreme.

Por ish-avokati Haki Kreziu, i cili tani është duke e ushtruar pozitën e gjyqtarit në Gjykatën Komunale të Malishevës, është i mendimit se kolegët e tij nga Malisheva e kanë injoruar faktin se ligji e kërkon që paditë të drejtoheshin në Dhomën e Veçantë.

“Ka qenë një qarkore e cila ka treguar se paditë fillimisht duhej të dërgoheshin në Gjykatën Supreme, e më pas nëse kjo gjykatë e shihte të arsyeshme mund ta dërgonte lëndën në kompetencë të Gjykatës Komunale”, thotë Kryeziu. Sipas tij. edhe avokatët e tjerë është dashur që paditë t’i drejtojnë në këtë mënyrë.

Pasi që paditë e banorëve të Bellanicës ishin pranuar dhe ishin parashtruar në gjykatën e gabuar, gjykata e cila kishte mundësinë që ta bllokonte procesin e privatizimit nuk e bëri këtë.

Zyrtari për informim në AKP, Ylli Kaloshi, e arsyeton privatizimin e kësaj ndërmarrje me faktin se gjykata nuk ka caktuar masa siguruese, të cilat do e ndalonin privatizimin e ndërmarrjes deri në zgjidhjen e kontesteve.

Kaloshi thotë se këtë masë, sipas ligjit, ka mundur ta caktojë Dhoma e Veçantë e Gjykatës Supreme, por në kohën e privatizimit kjo masë nuk ka qenë e caktuar.

Përpos problemeve me trajtimin e lëndëve, banorët e Bellanicës kanë pasur edhe një problem tjetër.

Hazir Hoxha, përfaqësues i banorëve, thotë se kanë pasur probleme të mëdha që ta nxjerrin dokumentacionin nga Komuna e Malishevës dhe për këto pengesa ata fajësojnë disa zyrtarë të komunës së Malishevës, të cilët kanë privatizuar prona në këtë pjesë, e të cilët tani po marrin kompensime të majme nga qeveria për shkak se në atë pjesë po ndërtohet autostrada.

“Kanë përfituar zyrtarët më të lartë të Malishevës. Ai është Nuhi Shala e Malë Krasniqi, shefi i prokurimit e zyrtarë të tjerë. Këta kanë përfituar sepse e kanë blerë me 11 euro arin, e tash po e shesin tek qeveria me çmim deri në 1000 euro”, thotë Hoxha.

Sipas tij, zyrtarët e komunës i kanë blerë këto prona nga blerësi i ndërmarrjes “Mirusha”.

Për ta hulumtuar këtë çështje, gazeta ka dashur të bisedojë me biznesmenin dhe deputetin e Asamblesë Komunale të Malishevës, Ahmet Rrahmanajn, i cili gjatë privatizimit ka blerë ndërmarrjen “Mirusha”. Por ai nuk ka pranuar të flasë për të sqaruar se pse u ka shitur zyrtarëve të komunës pronat, dhe sa para do t’i marrë ai nga shpronësimet në trasenë e autostradës.

Ndërkohë sipas vendimit përfundimtar të qeverisë për shpronësimet e autostradës, sikurse dhe nga zyrtarët e Ministrisë së Financave, kuptohet se qeveria, mesatarisht, në këtë pjesë është duke paguar rreth 600 euro për shpronësimin e një ari tokë.

Në bazë të vendimit përfundimtar të qeverisë, traseja e autostradës do të shpronësojë rreth 1600 ari prona të privatizuara nga biznesmeni Rrahmanaj, me rreth 1 milion euro kompensim.

Gazeta JnK ka marrë vesh se para nga shpronësimi do të përfitojnë edhe të paktën katër zyrtarë të komunës, të cilët pas privatizimit kanë blerë prona nga deputeti Rrahmanaj.

Sipas vendimit të qeverisë për shpronësimet e autostradës, nga pronat të cilat i ka privatizuar shefi i Kadastrës, Nuhi Shala, do të shpronësohen rreth 300 ari.

Po të llogaritet kjo shifër me shumën prej 600 eurosh, të cilën qeveria është duke e paguar për shpronësimet në trasenë e autostradës, atëherë i bie që Shala do marrë një kompensim prej rreth 180 mijë eurosh.

Gjithnjë sipas këtij raporti, shefit të Prokurimit në Komunën e Malishevës, Elmi Paçarizit, traseja e autostradës do t’ia marrë 404 ari nga pronat që ai i ka blerë pas privatizimit të ndërmarrjes “Mirusha”. Për këto prona, atij do t’i paguhen nga shteti rreth 240 mijë euro.

Në mesin e zyrtarëve të komunës që kanë privatizuar prona në këtë mënyrë, është edhe Malë Krasniqi. Atij, traseja e autostradës do t’ia shpronësojë rreth 12 ari, me një çmim prej rreth 7300 eurosh.

 

Para nga shpronësimet e autostradës do marrë edhe zyrtari tjetër Reshit Krasniqi, të cilit do t’i shpronësohen 167 ari, me një çmim total prej rreth 100 mijë eurosh.

Asnjë nga katër zyrtarët e komunës, të kontaktuar nga gazeta, nuk kanë pranuar të flasin për këtë çështje.

Ndërsa, kryetari i Komunës, Isni Kila, ka mohuar çdo mundësi që përfshirja e zyrtarëve të Komunës së Malishevës, ka ndikuar në dhënien e dokumentacionit tek banorët.

Sipas Kilës, banorët kanë pasur qasje të mjaftueshme në dokumentacion, ndërsa së fundmi ai u ka ofruar mundësinë që banorët ta marrin tërë dokumentacionin të fotokopjuar.

Një burim i mirinformuar thotë se banorët e Bellanicës, edhe nëse e fitojnë kontestin në gjykatë, nuk do të mund të merrnin çmimin e lartë për shpronësime që ka ofruar qeveria. Kjo, pasi sipas Ligjit për AKP-në, në rast se ata e fitojnë kontestin, do kenë drejtë të përfitojnë shumën prej 11 eurosh, me të cilën është shitur ndërmarrja.

Kryetari i Dhomës së Veçantë të Gjykatës Supreme, duke u bazuar në ligj, pohon se kjo është mundësia e vetme. “Ne nuk mund ta paragjykojmë rezultatin e këtyre padive, por nëse ata fitojnë, do ta kenë të drejtën në kompensim në vlerën e transaksionit të kryer në procesin e privatizimit”.

Këto para nuk do pranoheshin nga banorët e Bellanicës. “Ne nuk do t’i pranojmë 11 euro, e as 1000 euro. Me pronën tonë do të bëjmë çka të duam. Shteti duhet të na e kthej pronën, ashtu qysh na e ka marrë”, thotë Hazir Hoxha, përfaqësues i banorëve të Bellanicës.