Dështimi që Kushton Mbi 400 Mijë Euro

Projekti i “Butik-Pikave”, qe harxhoi mbi 400 mijë euro edhe pesë vjet pas nisjes ende nuk ka arritur të finalizohet.

Është nisur më 2010 nga Postë-Telekomi i Kosovës dhe është trashëguar nga ndërmarrja “Posta e Kosovës” më 2012, kur kjo ish-njësi e PTK-së u krijua si ndërmarrje në vete nga Qeveria e Kosovës.

Menaxhmenti i ndërmarrjes “Posta e Kosovës”, arsyeton mosrealizimin e projektit me problemet që i kanë dalë me kompaninë private të kontraktuar për ndërtimin e “butik-pikave”.

Kompania “Astra Plan”, është paditur nga kjo ndërmarrje publike për moskryerje të punëve.

Por edhe kjo firmë private e ka bërë të njëjtin veprim. Ka ngritur padi ndaj ndërmarrjes publike për mospagesën e punëve shtesë që ka kryer gjatë ndërtimit të “postave të vogla”.

Deri më tash në 18 pika është kryer vetëm ndërtimi i tyre dhe “Posta e Kosovës” nuk ka lëvizur drejt funksionalizimit të tyre.

“Nuk kemi mundur të aranzhojmë procedura të reja të prokurimit për finalizimin dhe funksionalizimin e ‘butik pikave’”, deklaroi Bekim Greiçevci, zëdhënës në “Postën e Kosovës”.

Kjo, sipas tij, ka ndodhur për shkak se është duke u zhvilluar procedurë e dyfishtë gjyqësore në këtë rast.

Mosaktivizimi i “butik-pikave” i krijon edhe shpenzime ndërmarrjes publike.

“Posta e Kosovës” ka arritur që në 11 komuna të mos paguajë taksën komunale për shfrytëzimin e pronave. Kjo është bërë në marrëveshje me autoritetet komunale.

Por në shtatë pika tjera nuk është arritur e njëjta marrëveshje.

Shuma vjetore që paguhet si taksë komunale për shtatë “butik-posta” është në vlerën e 11 mijë e 556 eurove. Ndërkaq për pesë vjet “Posta e Kosovës” ka shpenzuar 57 mijë e 780 euro për këtë punë.

Si nisen problemet?

Projekti i “Butik-Pikave” parashihte ndërtimin e objekteve me hapësirë gjashtë metra me gjashtë.
Brenda tyre parashihej ndërtimi i një tualeti dhe i një hapësire të vogël pune për stafin e ndërmarrjes.

Parashihej ndërtimi i 20 pikave anembanë vendit, përkatësisht në komunat e Prishtinës, Prizrenit, Gjakovës, Ferizajt, Mitrovicës dhe Pejës.

Për kryerjen e këtyre punëve ishin ndarë 388 mijë e 968 euro. Kaq peshonte kontrata e lidhur mes PTK-së e Astra Plan e lidhur me 15 mars të vitit 2010.

Vetëm 18 prej tyre janë ndërtuar. Posta vendosi që dy nga njëzetë pikat të mos ndërtoheshin.

Një “butik-postë” në Fushë-Kosovë nuk është ndërtuar me arsyetimin se është ndërtuar objekti i ri i ndërmarrjes në të njëjtin lokacion.

Ndërsa në pikën në Vitomiricë të Pejës nuk u ndërtua me arsyetimin se është dashur demolimi i objektit të vjetër fillimisht, gjë që shkaktonte shpenzime shtesë.

Vendimi për mos ndërtimin e këtyre dy pikave ka bërë që kompania private të paguhet më pak se sa 388 mijë euro.

Shuma që i është paguar kompanisë është 361 mijë euro. Por kompania “Astra Plan” pretendon se, edhe pse janë hequr dy pika, i ka rënë të punojë më shumë se sa që është paraparë në projekt në 18 pikat që janë ndërtuar.

Bekim Greiçevci, zëdhënës në “Posta e Kosovës”, tregon se kur nisën problemet me kompaninë e kontraktuar.

“Menaxhmenti aktual menjëherë pas ndarjes nga  PTK-ja, në fillim të vitit 2012, është përballur me kërkesën për punë shtesë nga OE ,” thotë Greiçevci.

Kërkesa për të paguar punë të paparapara në projekt, sipas tij, nuk ishte aprovuar.
Mosaprovimi i punëve shtesë kishte çuar deri në ngritjen e padisë civile nga “Astra Plan” në Departamentin për Krime Ekonomike në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Florim Istrefi, drejtor në “Astra Plan”, pretendon se Posta mori vendim të gabuar.
Për këtë arsye, sipas tij, është ngritur padia më 13 qershor të vitit 2013.

“Astra Plan”, nëpërmjet kësaj padie, kërkon kompensimin në vlerë prej 23 mijë eurosh për kryerjen e punëve të paparapara në projekt.

Kompania kishte kërkuar që pagesa të bëhet brenda shtatë ditëve. Kjo nuk ka ndodhur.
Por “Astra Plan”, po ashtu, kishte kërkuar që në kuadër të mospagesës së borxhit të llogaritet edhe kamata prej 8 për qind në vit.

“Ne kemi kërkuar që të bëhet kjo kamatë. Pasi që lënda nuk është zgjidhur ende, kamata jonë është rritur duke arritur vlerën e rreth 30 mijë eurove,” thotë Istrefi duke shtuar se borxhi dhe kamata bashkërisht arrin shumën e mbi 50 mijë eurove.

“Posta e Kosovës” nuk komenton detajet e padisë

Istrefi i “Astra Plan-it” thotë se në këtë projekt kishte pasur probleme që nga fillimi.

Thotë se kishin ndryshuar gjërat pas shpalljes fitues në tender të kompanisë së tij.

“Kur kemi aplikuar për tender, e kemi pasur edhe listën e terreneve se ku do të punojmë dhe në bazë të saj e kemi paraqitur edhe ofertën tonë, e cila edhe ka fituar,” thotë ai.

Istrefi shton se lista e kryerjes së punëve ndryshoi pas lidhjes së kontratës.

“Neve na u dhanë krejt vende të tjera në të cilat duhej të punohej. Ato kishin kosto shumë më të mëdha sesa ato fillestare që ishin menduar,” tregon Istrefi.

Ai thotë se ndërtimi i pikës në fshatin Keqekollë të Prishtinës nuk ishte paraparë në planin fillestar.

Ai ankohet se ndërtimi i pikës në fshatin Keqekollë ka rezultuar me më shumë punë për kompaninë e tij, pasi që ka qenë terren i vështirë. Shpenzim, sipas tij, ka shkaktuar edhe bartja e materialit në zona më të largëta malore.

Ngjashëm sipas Istrefit, kishte ndodhur edhe në pikën e paplanifikuar fillimisht që gjendet në kufirin mes Kosovës e Malit të Zi, te Kulla.

“Ne atë pikë nuk e kemi pasur në plan dhe ajo na ka hapur shumë probleme, sepse për ndërtimin e saj neve na ka kushtuar shumë më shumë sesa ato që i kemi pasur në afërsi te qyteteve,” deklaroi Istrefi, duke shtuar se këto janë arsyet që detyruan kompaninë që të ngre padi.

Istrefi shton se përderisa Butik-Pikat nuk po funksionalizohen ato janë duke u dëmtuar dhe nuk po mirëmbahen nga përgjegjës të Postës së Kosovës.

Por edhe vetë kompania e tij është e paditur nga Posta e Kosovës. Ka shtatë muaj që ndërmarrja publike ka paditur kompaninë e Istrefit.

Istrefi i tha Gazetës Jeta në Kosovë se nuk është i informuar se për çfarë arsye është paditur kompania e tij nga “Posta e Kosovës”.

Menaxhmenti i kësaj ndërmarrjeje nuk dha sqarime të detajuara as për Gazetën Jeta në Kosovë.

Vetëm konfirmoi se Posta e Kosovës më 16 mars 2015 ka ushtruar padi civile ndaj “Astra Plan-it” për shkak të mospërmbushjes së kontratës.

“Rasti është në gjykatë. Për këtë arsye nuk mund t’i japim disa informata,” tha Greiçevci, zëdhënës i

“Postës së Kosovës” kur u pyet lidhur me arsyet e ngritjes së padisë ndaj kësaj firme private.