Deputeti i PDK-së i Lidhur me “Capital”

Rafet Rama, deputeti i Partisë Demokratike në pushtet, është i lidhur me një kompani private që operon si institucion financiar jobankar.

Ai figuron si këshilltar për çështje ekonomike në Firmën “Capital” të krijuar në vitin 2009, bazuar në të dhënat e Agjencisë për Regjistrimin e Biznesit.

Mbajtja e kësaj pozite në një firmë private bie ndesh me dy ligje.

Ligji për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit, në nenin 7, përcakton qartësisht se deputeti gjatë mandatit të tij nuk mund të veprojë në cilësinë e këshilltarit në asnjë biznes.
Po ashtu ndalesë parasheh edhe Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.

Agjencia Kundër Korrupsion përkujdeset për zbatimin e këtij ligji. Deputeti Rama ka deklaruar pasurinë e tij në Agjencinë Kundër Korrupsion.

Ka shënuar pagën dhe pozitën në këtë firmë private. Ai ka marrë postin e deputetit më 17 korrik të vitit të kaluar. Më 8 gusht të 2014-ës ka deklaruar pasurinë. Ka shënuar se merr 500 euro në muaj në

“Capital” ku mban pozitën e këshilltarit për çështje ekonomike.

Ngjashëm ka vepruar edhe kur ka deklaruar pasurinë në mars të vitit 2015.

Por Agjencia Kundër Korrupsion, përkundër që kjo informatë i është bërë e ditur nga vetë Rama para 14 muajve, ende nuk ka nisur ndonjë hetim ndaj tij.

Hasan Preteni, drejtor i Agjencisë,  ka deklaruar se ky rast do të trajtohet tek pas interesimit të Gazetës Jeta në Kosovë, më 23 shtator të këtij viti.

Agjencia Kundër Korrupsion kishte trajtuar një rast të ngjashëm në të kaluarën.

Gazeta Jeta në Kosovë më  9 korrik të vitit 2012 pati raportuar se deputeti opozitar Daut Haradinaj mbante pozitë të këshilltarit në firmën private “Erc Trade”.

Kundër-Korrupsioni kishte nisur hetim ndaj Haradinajt pas raportimit të Gazetës Jeta në Kosovë.

“Zyrtari i lartë nuk ka të drejtë të ushtrojë veprimtari private si: (këshilltar në kompani private), andaj ushtrimi i veprimtarisë private paraqet mospajtueshmëri në ushtrimin e funksionit publik dhe duhet që të shmanget nga kjo situatë”, pati konkluduar Kundër-Korrupsioni në vendimin për rastin e Haradinajt.

Rama në “Capital”, bashkëshortja në Postë

Ndërkohë deputeti Rafet Rama ka treguar për Gazetën Jeta në Kosovë se pozitën e këshilltarit në Firmën

“Capital” e ka marrë në prill të vitit 2013.

“Prej prillit (2013) ende jam në këtë kompani (‘Capital’). Një kohë kam qenë si trajnues i punëtorëve të rinj që i kemi marrë, por e kam lujt edhe rolin e këshilltarit në kompani,” thotë Rama.

Rama thotë se nuk e sheh të arsyeshme të largohet nga pozita në këtë kompani pa ia tërhequr dikush vërejtjen.

“Pasi jam mandatuar si deputet e kam deklaru pasurinë, të hyrat e mia personale dhe të hyrat e shoqes.

Kështu që nuk më ka ardhë asnjë letër ose vërejtje prej Anti-Korrupsionit që nuk është e lejume me punu,” thotë Rama.

Kompania ku Rama punon kryen shërbime të ngjashme me ato të ndërmarrjes publike “Posta e Kosovës”.

Në këtë ndërmarrje publike që ka për konkurrente Firmën “Capital”, është e punësuar bashkëshortja e deputetit Rama.

Xhyljetë Izmaku-Rama mban postin e drejtoreshës së Departamentit për Burime Njerëzore, Administratë dhe Protokoll.

Paga e saj vjetore është 26 mijë e 700 euro.

Rama thotë se fakti që ai është deputet, nuk do të thotë që familjarët e tij të mos punësohen.

“Aftësitë i ka, përgatitjen shkollore e ka, edhe të jesh e bindur që nuk kam insistu, as nuk kam intervenu diku që ajo të jetë aty,” thotë Rama.

Bashkëshortja e tij është familjare edhe me deputeten e Partisë Demokratike të Kosovës Xhevahire Izmakun.  E ka motër.

Deputeti Rama komentoi edhe konkurrencën që kanë kompanitë ku ai dhe bashkëshortja e tij janë të punësuar.

“Ju mund të thoni që janë konkurrentë. Konkurrente janë të gjitha kompanitë që punojnë,” thotë Rama.

Ai shton se “Capital” bën punë korrekte dhe kryen të gjitha shërbimet që kryen edhe Posta e Kosovës.

“Çdo qytetar e zgjedh vetë se ku don me ba pagesën,” thotë Rama.

E përbashkëta e këtyre dy kompanive konkurrente, njëra private, tjetra publike, është Partia Demokratike e Kosovës. Derisa “Capital” ka këshilltar një deputet të PDK-së, ndërmarrja publike “Posta e Kosovës” ka për udhëheqës të bordit Halit Isufin, një ish-anëtar të Kryesisë së PDK-së në Gjakovë.

Bordi i kryesuar nga Isufi që ishte në struktura të partisë, ka emëruar Sejdi Hoxhën në postin e kryeshefit ekzekutiv të ndërmarrjes publike.

Gazeta Jeta në Kosovë lidhur me këtë situatë ka kërkuar një koment nga menaxhmenti i “Posta e Kosovës” dhe Izmaku-Rama, nëpërmjet Zyrës për Media të kësaj ndërmarrjeje.

Zyra për Media ka përsëritur se afarizmi i pakënaqshëm ka qenë e vetmja arsye që ka çuar në mbylljen e pikës tek Mensa e Studentëve dhe se ky vendim nuk mund të ndërlidhet me rrethana tjera.

“Të gjitha pretendimet tjera janë spekulime dhe shpifje të atyre që u pengon shërbimi financiar i Postës që është shtrirë anekënd territorit të Kosovës me gjithsej 143 zyra postare ku mund të bëhen pagesa,” thuhet në përgjigjën e Zyrës për Media.

Ndërkohë si pronarë të firmës “Capital” figurojnë Selvinaze Sheholli dhe Nusret Hasani.

Gazeta Jeta në Kosovë ka intervistuar Selvinaze Shehollin lidhur me punësimin  e deputetit Rama.

Sheholli ka thënë se Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit e sqaron më së miri se a është apo jo konflikt interesi mbajtja e pozitës së këshilltarit nga deputeti Rama.

“Sipas meje absolutisht nuk ka pasë lidhje me çështje politike, apo me konflikt të interesit,” ka thënë

Sheholli lidhur me punësimin e Ramës në vitin 2013. Ka shtuar se edhe sot nuk e sheh si konflikt interesi punësimin e Ramës në firmën “Capital”.

Posta i hap rrugë firmës “Capital”

Kompania “Capital” dhe Posta e Kosovës, si konkurrentë të njëra-tjetrës, kanë operuar afër-njëra tjetrës në Mensën e Studentëve.

Por Posta e Kosovës shmangu konkurrencën duke i lënë hapësirë Firmës “Capital” që të operojë e vetme në zonën e frekuentuar nga studentët.

Posta e Kosovës, në një përgjigje dhënë Gazetës Jeta në Kosovës, deklaroi se po e mbyll pikën e saj për shkak të afarizmit jo të kënaqshëm.

Sipas menaxhmentit, studentët kanë edhe katër pika tjera përreth kampusit universitar ku mund të kryejnë shërbimet.

Një prej tyre, sipas menaxhmentit gjendet në Rrugën “Agim Ramadani”, prapa Bibliotekës Kombëtare, një tjetër në objektin e Fakultetit Ekonomik dhe Juridik, një afër Fakultetit Teknik, ndërsa një tjetër gjendet përballë Fakultetit Filozofik.

Mirëpo përkundër që menaxhmenti thotë se janë këto katër pika ku mund të kryhen shërbime, zgjidhje tjetër janë duke bërë studentët.

Ata janë duke kryer shërbimet tek “IFJB Capital” që gjendet në afërsi të pikës ku ka qenë e vendosur deri më tash Posta e Kosovës”.

Deputeti Rama nuk e sheh këtë si favor të ndërmarrjes publike ndaj firmës “Capital”. Thotë se “Capital” është licencuar më herët sesa Posta e Kosovës për të kryer shërbime financiare jobankare.

Rama pohoi se në firmën “Capital” nuk është diskutuar asnjëherë zotërimi i tregut te Mensa e Studentëve që është zonë e frekuentuar nga studentët.

“As që është diskutu ndonjëherë. Unë qysh tani prej juve e mora vesh që është mbyll ajo pikë e postës,” thotë Rama.