Axos-Rreziku Qindra Milionësh

Kosova rrezikon t’i humbë 180 deri në 500 milionë euro, apo 10 deri në 29 për qind të buxhetit vjetor në rast se Gjykata e Arbitrazhit në Washington i jep të drejtë kompanisë gjermane “ACP Axos Capital Gmbh”.

Kjo kompani që ishte shpallur fituese në tenderin për privatizimin e PTK-së, e ka paditur Qeverinë për shkak të mosnënshkrimit të kontratës për shitblerjen e aksioneve.

Kjo kompani e ka paditur Kosovën më 4 qershor 2015 në Gjykatën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve Investive (ICSID).

Nëpërmjet kësaj kërkon dëmshpërblimin qindra milionësh pasi që Qeveria e Kosovës nuk nënshkroi kontratën me këtë kompani në afatin e paraparë më 28 dhjetor të vitit 2014.

“Axos” ishte shpallur fitues në tender më datën 12 prill 2013 pasi kishte ofruar 277 milionë euro për blerjen e 75 për qind të aksioneve në “Vala” e Telekom.
Më 16 prill 2013 Qeveria e Kosovës pati miratuar shitjen e 75% të aksioneve të PTK-së “Axos-it”.

Javë më vonë Lëvizja “Vetëvendosje” pati publikuar të dhëna të “Axos-it” të cilat hidhnin dyshime mbi pronësinë e kësaj kompanie dhe mundësinë që ajo të jetë një organizatë fantome e krijuar enkas për privatizimin e PTK-së.

Kritikat e “Vetëvendosjes” i pati kundërshtuar kompania gjermane, duke pohuar se është kompani serioze.

Pas presioneve të ndryshme, partitë opozitare arrijnë ta fusin si pikë të rendit të ditës hetimin e privatizimit të PTK-së nga një komision parlamentar,  mirëpo në seancën e 3 tetorit 2013 kjo iniciativë nuk miratohet nga Kuvendi I Kosovës.

Heshtja e ish-udhëheqësve të privatizimit

Gazeta Jeta në Kosovë ka kërkuar komente lidhur me këtë padi nga përgjegjësit qeveritarë që udhëhoqën procesin e privatizimit të aksioneve të ndërmarrjes më fitimprurëse publike në vend.

Fadil Ismajli u tregua i heshtur. Nuk u përgjigj në pyetjet e Gazetës Jeta në Kosovë.

Tjetër qëndrim mbante para disa vitesh kur kontrata nuk u nënshkrua.

Kishte deklaruar se mosnënshkrimi i kontratës nuk përbën kurrfarë rreziku.

 “Qeveria i ka të gjitha instrumentet dhe është e mbrojtur me dokumentet e transaksionit ku ka pasur të drejtën me nenin 1.1 të këtyre dokumenteve me anulu në çdo moment këtë proces,” kishte deklaruar Ismajli për Gazetën Jeta në Kosovë më 22 janar të vitit 2014. Kjo deklaratë e tij erdhi tri javë pas kalimit të afatit të paracaktuar të kontratës që ishte paraparë 30 dhjetori i vitit 2013.

Kjo deklaratë ishte si kundërpërgjigje e asaj të dhënë nga shefi i kompanisë “Axos”.
Drejtori ekzekutiv i “Axos-it”, Jan Budden tha se kompania e tij do të kërkojë kompensimin.

“Nuk do të dorëzohemi deri në kompensim, sepse ka qenë një kohë e gjatë e procesit dhe përgatitjes dhe ne kemi shpenzuar mjaft para në këtë,” i pati thënë Gazetës Jeta në Kosovë Jan Budden, drejtor ekzekutiv i “Axos-it”.

Budden pati shtuar se qeveria e Kosovës nuk ka të drejtë të mos vazhdojë me privatizimin e PTK-së.

Para se Ismajli të merrte timonin e udhëheqjes së Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, këtë post të rëndësishëm qeveritar e mbante Besim Beqaj, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.
Beqajt, tash deputet i PDK-së, iu dërguan pyetje nga Gazeta Jeta në Kosovë por ngjashëm si Ismajli edhe ai nuk dha komente lidhur me padinë e ngritur nga “Axos”.

Edhe Blerand Stavileci, pasardhësi i Beqajt dhe Ismajlit në postin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, veproi ngjashëm.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik bashkë me Ministrinë e Punëve të Jashtme figurojnë si të paditura nga “Axos-i” në faqen zyrtare të Gjykatës së Arbitrazhit në Washington.
MPJ-ja e udhëhequr nga Hashim Thaçi nuk dha asnjë koment lidhur me rrezikun e pretenduar nga “Axos-i”.

200 mijë euro kundër “Axos-it”

Derisa “Axos-i” ka lëvizur më shpejt dhe ka caktuar avokatin mbrojtës, ngjashëm nuk ka vepruar edhe Qeveria e Kosovës.

Tek më 2 shtator të vitit 2015 qeveria lëvizi drejt ndarjes së një shumë prej 200 mijë eurosh për nevoja të mbrojtjes në Arbitrazh.

Caktoi Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik që të angazhojë mbrojtjen e nevojshme. Kjo ministri do të udhëheq procesin e përzgjedhjes së një kompanie ndërkombëtare që do ta mbrojë Kosovën në Washingon.

Angazhimi i kësaj kompanie do të bëhet pasi që shteti nuk ka kapacitete ta mbrojë veten.
Hajredin Kuçi, ministër i Drejtësisë, deklaroi në mbledhjen e Qeverisë se shteti nuk ka kapacitete që të përfaqësojë veten në këtë rast në Arbitrazh.

“Zyra e Avokatit të Shtetit, pas konsultimeve që i ka bërë brendapërbrenda vetes, kemi ardhur në përfundim se nuk ka kapacitete adekuate për një përfaqësim të tillë dhe nuk ka përvojën e duhur që mund ta bëjë një përfaqësim adekuat,” tha ai.

Deri në caktimin e kompanisë nëpërmjet tenderit, Qeveria thotë se është marrë vesh me një kompani të njohur që ta mbrojë Kosovën përkohësisht.

“Të gjitha veprimet e përkohshme të ‘Patton Boggs-it’ janë ndërmarrë pa ndonjë kosto shtesë për Republikën e Kosovës, sepse siç është e njohur tashmë, ‘Patton Boggs’ ofron shërbime konsulence për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe si rezultat i këtij bashkëpunimi është ofruar edhe ky shërbim i përkohshëm, pa ndonjë kosto shtesë,” konfirmoi për Gazetën Jeta në Kosovë, Besnik Berisha këshilltar i jashtëm i kryeministrit Mustafa.

Ndërkohë kompaninë “Axos” është duke e mbrojtur avokati  gjerman Herbert Smith Freehills nga Berlini.
Edhe kompania “Axos” nuk ka dhënë përgjigje për Gazetën Jeta në Kosovë që kërkoi sqarime se pse kompania pretendon se duhet të kompensohet prej 180 deri në 500 milionë euro.

Opozita bën përgjegjës Thaçin e Beqajn

Opozita ndërkohë akuzon ish-ministrin Besim Beqaj dhe ish-kryeministrin Hashim Thaçi si përgjegjës kryesorë për këtë proces. Nga zyra e Lëvizjes “Vetëvendosje” kanë sugjeruar që mbrojtja e Kosovës të financohet me pasuritë personale të ish-ministrit Beqaj dhe ish-kryeministrit Thaçi.

“Tani edhe pse kjo çështje ka shkuar në arbitrazh, edhe pse e padrejtë për shtetin tonë, çdo shpenzim arbitrazhi apo procesi gjyqësor të çfarëdolloji Qeveria nëpërmjet organeve ligjzbatuese duhet t’ia konfiskojë nga pasuria vetjake e ish-mMinistrit Besim Beqaj dhe ish-Kryeministrit Hashim Thaçi të cilët kanë udhëhequr këtë proces të korruptuar në dëm të Kosovës, pra janë përgjegjësit kryesorë,” thuhet në përgjigjet e kësaj lëvizjeje dërguar Gazetës Jeta në Kosovë.

Në anën tjetër AAK-ja shpreh dyshimin se ky proces është një lojë me qëllim që paratë e Kosovës t’i barten “Axos-it”.

“AAK e konsideron mosnënshkrimin e marrëveshjes si një ‘lojë të ndytë’ duke vënë qëllimshëm palën kosovare përgjegjëse për kinse mos përmbushjen e obligimeve në mënyrë që investitori fantom ‘Axos’ të realizojë përfitime marramendëse,” thuhet në përgjigjet e AAK-së dhënë Gazetës Jeta në Kosovë.