‘Tenderi Familjar’ Fut në Konflikt Mitrovicën me KRPP-në

Komuna e Mitrovicës mori vërejtje nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik dy ditë pas publikimit të artikullit “Tender Sekret për Babanë”, nga Gazeta Jeta në Kosovë.

KRPP-ja shkresën e datës 16 shtator të këtij viti drejtuar autoriteteve komunale në Mitrovicë e cilëson si vërejtje të fundit për zyrtarët përgjegjës të prokurimit të kësaj komune.

KRPP-ja ka konkluduar se përbën shkelje të Ligjit të Prokurimit veprimi i komunës për të mos publikuar njoftimin për dhënie të kontratës.

Po ashtu ky institcion konkludon se komuna ka shkelur edhe Rregulloren e Prokurimit Publik kur vendosi të mos e paraqesë këtë kontratë në raportin vjetor të kontratave të nënshkruara.

Tenderin e përshkuar me shkelje ligjore e pati fituar firma “Ariani” që është në pronësi të babait dhe xhaxhallarëve të drejtorit të prokurimit të Mitrovicës, Besnik Bekës.

Komuna ia kishte hedhur fajin KRPP-së lidhur me moszbatimin e Ligjit të Prokurimit Publik.

Por KRPP-ja thotë se arsyetimi i komunës për moszbatimin e ligjit është i pabazuar.

Komuna e Mitrovicës pati deklaruar për Gazetën Jeta në Kosovë se ka dërguar njoftimin… në KRPP, por që nuk është publikuar për shkak të problemeve teknike të faqes zyrtare të këtij institucioni.

“Lidhur me këtë KRPP-ja ka verifikuar publikimet e periudhës të cilës i referohet ky aktivitet dhe ka rezultuar se web faqja e KRPP-së ka funksionuar pa asnjë problem,” thuhet në shkresën e KRPP-së.
KRPP-ja shton se Komuna e Mitrovicës nuk ka bërë asnjë përpjekje për të dërguar njoftimin për dhënie kontrate.

Sipas KRPP-së Komuna e Mitrovicës është përpjekur që të arsyetohet në baza krejtësisht joetike nëpërmjet deklarimeve joreale.

“KRPP-ja këto veprime i konsideron të papranueshme dhe kërkon nga autoriteti kontraktues dhe përgjegjësi i zyrës së prokurimit marrjen e masave të menjëhershme për evitimin e shkeljeve ligjore të cekura më lartë,” thuhet në shkresën e KRPP-së.

Por megjithëse konkludohet se autoritetet komunale kanë shkelur Ligjin e Prokurimit dhe janë përpjekur të arsyetojnë në baza joetike, kanë shpëtuar pa u ndëshkuar nga KRPP-ja.

Ky institucion i mbikëqyrjes së tenderëve ka vendosur që të amnistojë këtë shkelje duke paralajmëruar komunën se mund të marrë masa nëse ligji shkelet në të ardhmen.

“Në rast se KRPP-ja konstaton cilëndo shkelje tjetër ligjore të zyrtarëve përgjegjës të Drejtorisë së Prokurimit në Mitrovicë do të iniciojë marrjen e masave ligjore në pajtimin me dispozitat e LPP-së,” thuhet në shkresën e këtij institucioni drejtuar autoriteteve komunale në Mitrovicë.

KRPP-ja zotohet se nëse ndodh shkelja e radhës do të iniciojë masa ligjore ndaj zyrtarëve përgjegjës që parashihen në nenin 25 të Ligjit të Prokurimit.

Ky nen i mundëson KRPP-së që t’i rekomandojë Organit Shqyrtues të Prokurimit revokimin e certifikatës së prokurimit për zyrtarët që bien ndesh me ligjin.