Kosova e Re- Ligji Shpërfillet për Ofertën Amerikane

Ofertën e vetme nga ShBA-ja për ndërtimin e termocentralit të ri “Kosova e Re”, e promovoi Hashim Thaçi, ministër i Punëve të Jashtme duke kumtuar nëpermjet Facebookut se vendi po shkon drejt sigurimit të qëndrueshmërisë energjetike.

Më 19 dhjetor është bërë hapja e ofertës së vetme që kishte dorëzuar investitori i parakualifikuar, “Contour Global” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që ka ofertuar për ndërtimin e dy blloqeve – secili nga 300 megavatë.

Dy parakualifikuesit e tjerë, “Sithe Global” dhe “Park Holding” janë tërhequr nga ofertat e tyre. Të dyja kompanitë ende nuk i kanë dhënë përgjigje Gazetës Jeta në Kosovë për largimin nga tenderi.

Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) ka reaguar duke thënë se oferta e vetme në këtë tender bie ndesh me Ligjin për Prokurimin Publik.

KOSID-i thekson se është shkelur neni 32.4 i Ligjit për Prokurimin Publik i cili thotë se “nëse gjatë zbatimit të procedurave të prokurimit, pranohen më pak se dy (2) tenderë të përgjegjshëm, ose kur është e zbatueshme kërkesa për pjesëmarrje, autoriteti kontraktues duhet të anulojë aktivitetin e prokurimit”.

“Duke pasur parasysh që për Termocentralin ‘Kosova e Re’ është vetëm një ofertues (Contour Global), ky proces bie ndesh direkt me këtë ligj”, thuhet në reagimin e KOSID-it.

Qeveria e Kosovës kishte thënë disa herë se investitori për ndërtimin e termocentralit të ri do të zgjidhet nga sektori privat në mënyrë konkurruese.

Blerand Stavileci, ministër i Zhvillimit Ekonomik që tash udhëheq Komitetin Drejtues të Projektit për ndërtimin e termocentralit të ri, bazuar në kumtesën për shtyp të MZhE-së, gjatë takimit të kësaj trupe pohoi se ndërtimi i termocentralit të ri do të sigurojë energji të mjaftueshme për qytetarët e Kosovës.

Bazuar në këtë kumtesë të dërguar më 19 dhjetor të vitit të kaluar Stavileci nuk komentoi kufizimin e konkurrencës në tender.

Stavileci është ministri i pestë më radhë që merr drejtimin e këtij projekti të nisur nga viti  2005. 

Komiteti më herët ishte udhëhequr nga Fadil Ismajli, Besim Beqaj, Justina Pula-Shiroka dhe Et’hem Çeku. 

Ndërkohë Isa Mustafa është kryeministri i katërt më radhë që udhëheq qeverinë që ka për synim ndërtimin e termocentralit të ri. 

Më 2005 kur qeveria udhëhiqej nga Bajram Kosumi (AAK) u hartua strategjia e zhvillimit të energjisë që parashihte  ndërtimin e termocentralit të quajtur “Kosova C”.

Një vit më pas, më 2006, u hap për herë të parë tenderi për ndërtimin e tij.

Përveç ndërrimit të politikanëve udhëheqës ndryshime pësoi edhe projekti i ndërtimit të termocentralit. 

I paraparë më 2005 që të të prodhojë 2 mijë megavatë energji elektrike projekti u ndryshoi më 2007 dhe u përgjysmua në vetëm 1 mijë megavatë.

Projekti ndryshoi formë edhe më 2010 duke u zvogëlua kapaciteti i tij vetëm në 300 megavatë energji elektrike.

Qeveria thotë se aplikoi procedurat e Bankës Botërore

Projekti për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese të energjisë elektrike, është bazuar në Strategjinë e Energjisë së Kosovës, e cila përcakton që kapacitetet e reja, të realizohen nëpërmjet investimeve të huaja direkte.

Me këtë formë, sipas Ligjit kosovar të Prokurimit Publik, duhet të hapet tender konkurrues.

Komiteti Drejtues i Projektit (KDP) i përbërë nga disa ministri dhe që udhëheq me projektin “TC Kosova e Re” thotë se tenderi në fjalë është bërë sipas procedurave të prokurimit të Bankës Botërore dhe është në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.  

“Në këtë kuptim zhvillimi i projektit dhe procedurat tenderuese për projektin, zhvillohen sipas procedurave të prokurimit të Bankës Botërore, të cilat i ka adaptuar KDP-ja për nevoja të këtij projekti”, tha Liridon Mavriqi, menaxheri i Njësisë për Projektin “Kosova e Re”.

Mavriqi thotë se legjislacioni vendor në fuqi lejon përdorimin e procedurave të institucioneve ndërkombëtare financiare. 

“Mbi këtë bazë, vlerësimi i ofertës do të bëhet në bazë të kritereve të përcaktuara në rregullat e prokurimit të Bankës Botërore”, shtoi ai.

Mavriqi nuk ka shpjeguar se cilat nene të Ligjit kosovar të Prokurimit Publik lejojnë një gjë të tillë.

Sipas Ligjit kosovar të Prokurimit Publik disa nga përjashtimet që lejohen janë kur marrëveshja kushtëzon disponueshmërinë e financimit të kontratës në fjalë me zbatimin e rregullave ose procedurave tjera, kur marrëveshja është lidhur ndërmjet Qeverisë dhe një institucioni financiar ndërqeveritar, dypalësh, shumëpalësh ose ndërkombëtar, etj.

Mbetet ende e panjohur për publikun se si do të zhvillohet ky projekt – çfarë marrëveshje kërkon Qeveria e Kosovës nga investitori, sa është çmimi për ndërtimin e termocentralit dhe sa do të kushtojë çmimi i energjisë elektrike. 

Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka refuzuar kërkesën e Gazetës Jeta në Kosovë për qasje në propozimin e tyre, duke e cilësuar si konfidenciale.

Banka Botërore mohon pohimet e qeveritarëve

Jan-Peter Olters, menaxher i Bankës Botërore për Kosovë i tha Gazetës Jeta në Kosovë se tenderi për ndërtimin e termocentralit është ekzekutuar me ligjet e Kosovës. Olters nuk theksoi se tenderi në fjalë është bërë përmes procedurave të Bankës Botërore.

” Jo vetëm për shkak të fragjilitetit të shtuar të sektorit energjetik që po prek kosovarët dhe kompanitë  që veprojnë në Kosovë dhe që po dekurajon investitorët potencialë nga sjellja e pajisjeve të shtrenjta në vend, është një rezultat i mirë për Kosovën që në fund të një procesi të hapur e ndërkombëtar tenderues, që është përgatitur me kujdes dhe me inputin më të gjerë të mundshëm dhe është ekzekutuar në pajtim me ligjet dhe procedurat e Kosovës, Qeveria momentalisht është në gjendje të vlerësojë aspektet teknike, financiare dhe ligjore të ofertës së pranuar,” tha Olters.

Olters shtoi se sipas përvojës së Bankës Botërore jo rrallëherë projektet e mëdha infrastrukturore ballafaqohen me situata ku mund të dorëzohet vetëm një ofertë. 

Ai shtoi se ekspertët ligjorë të Qeverisë së Kosovës dhe Bankës Botërore, në përfundim e sipër të tenderit, kanë vlerësuar se një gjë e tillë po i ndodh këtij tenderi. 

”Ne kemi kuptuar se në përgatitje të mbylljes së tenderit, ekspertët ligjorë nga Qeveria kanë vlerësuar një përfundim të tillë ‘ex ante’, sikurse edhe ekspertët ligjorë nga Banka Botërore dhe kanë konkluduar se ekziston baza ligjore për të vazhduar tutje,” tha Olters.

“Ex ante” apo në shqip “para ngjarjes” është një shprehje që përdoret në botën komerciale, ku rezultatet e një veprimi të caktuar, apo seri të veprimeve, janë parashikuar që më parë. 

Olters shtoi se pas bërjes së ofertës, të gjitha aspektet teknike, financiare dhe ligjore të ofertës së pranuar duhet të analizohen në detaje për të përcaktuar hapat e ardhshëm.

Olters tha se Banka Botërore do të përfshihet në vlerësim të kujdesshëm financiar “për të siguruar që kushtet e ofertës së vetme të pranuar janë në vijë me investimet e ngjashme në vende të tjera”.

Çfarë thonë vëzhguesit e projektit?

Ambasada amerikane në Prishtinë ka një përfaqësues nga sektori i energjisë në këtë projekt dhe thotë se Banka Botërore kërkon respektimin e udhëzimeve të saja të prokurimit, si kusht që ajo të sigurojë një garanci të pjesshme të rrezikut dhe se ka dhënë indikacione që oferta e vetme plotëson këto udhëzime. 

“Më tej, Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka deklaruar se oferta është në përputhje me ligjin e Kosovës. Ndërtimi i termocentralit ‘Kosova C’ është një komponentë kritike e strategjisë gjithëpërfshirëse të energjisë së vendit”, tha Philip Drewry, nga Zyra për Informim e Ambasadës së ShBA-së në Prishtinë. 

Sipas direktivave të prokurimit të Bankës Botërore, në pikën 1,2, thuhet se obligimi për dhënien e kontratës është në përgjegjësi të huamarrësit.

“Përgjegjësia për implementimin e projektit dhe më pastaj për dhënien e kotnratës dhe administrimin e kontratave në lidhje me projektin, qëndron me huamarrësin”.

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh), sipas MZhE-së, ka qenë anëtare vëzhguese në projektin e “TC Kosova e Re”. BERZh-i refuzoi të komentojë.

“Unë sapo kam konfirmuar me ekipin që ne nuk jemi të përfshirë në këtë projekt, kështu që ne nuk mund të komentojmë atë,” tha Viktoria Melohina, nga Zyra për Media e BERZh-it.

Anëtare vëzhguese është edhe Banka Gjermane për zhvillim (KFW) e cila po ashtu refuzoi të komentojë nëse është dashur Qeveria e Kosovës të vazhdojë tenderin me vetëm një ofertues.  

“Ju lutem të keni parasysh që KFW-ja, duke qenë një ndër financuesit kryesor në sektorin e energjisë sikur edhe agjencitë implementuese të vendeve tjera donatore, ka një ulëse vëzhguesi në Komitetin Drejtues për ‘TC Kosova e Re’. Kështu, ju sugjerojmë që pyetjen tuaj ta drejtoni te zyra e projektit apo anëtaret me të drejtë vote në Komitet Drejtues”, tha Ganimete Huruglica, zëvendësdrejtoreshë në KFW.

USAID-i po ashtu është anëtar vëzhgues, por nuk është përgjigjur në pyetjen tonë. 

Rregullatori i Prokurimit Ngreh Supet

Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) refuzoi të komentojë nëse është shkelur Ligji kosovar i Prokurimit nëse tenderi është bërë me procedura të Bankës Botërore.

“Na vjen keq por ne nuk mund të japim asnjë opinion më shumë se atë që e keni pranuar më parë, sepse aktivitetet  të cilat zhvillohen sipas procedurave të cilat nuk janë të zhvilluara sipas LPP-së, por përcaktohen në marrëveshje në mes të dy palëve si donatorit dhe AK i cili pranon donacionin se me cilin ligj të zhvillohet procedura për atë aktivitet, andaj, ne nuk e dimë përmbajtjen e asaj marrëveshjeje, kështu që çfarëdo interpretimi i KRPP-së do të konsiderohet i pabazuar”.

KRPP-ja është kompetente  për  zhvillimin  e  përgjithshëm  të sistemit të prokurimit publik në Kosovë, si dhe zbatimin e LPP-së. 

OJQ-të e huaja kërkojnë konkurrencë në tenderë

Pippa Gallop nga OJQ-ja “Bank Watch” tha se direktivat e Bankës Botërore të Prokurimit theksojnë se nëse nuk ka pasur konkurrencë të mjaftueshme në një projekt, ai duhet të ri-tenderohet.

Gallop shtoi se nëse ka ekzistuar vetëm një ofertues dhe tenderi ka vazhduar, kjo nënkupton se nuk ka pasur konkurrencë të mjaftueshme.

“Sidoqoftë, asnjë nga kjo nuk dëshmon se ka qenë e duhur për Bankën Botërore  të shkelë legjislacionin vendor”, i tha Gallop Gazetës Jeta në Kosovë duke komentuar pohimet e qeveritarëve të Kosovës se përdorën procedurat e Bankës Botërore në këtë tender. 

Ajo shtoi se procesi për ndërtimin e termocentralit të ri ka zgjatur shumë dhe janë humbur para të shumta dhe kohë. “Nëse e tërë kjo përpjekje të ishte bërë në efiçiencë të energjisë dhe atyre të ripërterishme, Kosova do të ishte në një pozitë shumë më ndryshe deri më tash”, tha ajo. 

“Bank Watch” është organizatë ndërkombëtare joqeveritare dhe ka organizata anëtare nga Evropa Qendrore dhe Lindore. Kjo organizatë monitoron aktivitetet e institucioneve ndërkombëtare financiare që veprojnë në regjion dhe promovon alternativa të qëndrueshme mjedisore, sociale dhe ekonomike në politikat dhe projektet e tyre. 

Organizata tjetër joqeveritare ”Eurodad” thotë se si Qeveria e Kosovës po ashtu edhe Banka Botërore nuk kanë shpjeguar sa duhet se me procedura të kujt është zhvilluar tenderi për termocentralin.

“Gjersa nuk jam i njohur me detajet e projektit, duket se Qeveria e Kosovës thekson se nuk ka nevojë të zbatojë ligjet e veta pasi që është duke miratuar procedurat e Bankës Botërore, gjersa Banka Botërore thekson se procesi është në përputhje me ligjin kosovar,” tha për Gazetën Jeta në Kosovë Jeroen Kwakkenbos, menaxher i Politikave dhe Evokimit në “Eurodad”.

Kwakkenbos shtoi se Banka Botërore duhet t’u përgjigjet brengave të shprehura nga OJQ-të vendore për tenderin ne fjalë.

“Grupet e shoqërisë civile në Kosovë kanë ngritur brenga serioze në lidhje me procesin e prokurimit dhe Banka Botërore ka nevojë t’u përgjigjet këtyre brengave dhe ta qartësojë se të qenurit ne përputhje me direktivat e saja të prokurimit nuk e justifikon anashkalimin e legjislacionit vendor,” tha Kwakkenbos.

Rrjeti Evropian i Borxheve dhe Zhvillimit ose “Eurodad”-i është rrjet i 47 OJQ-ve nga 19 shteteve evropiane që punon në çështjet e lidhura me borxhet, zhvillimin financiar dhe zvogëlimin e varfërisë.