Projekt ligji për ndërtim

Në periudhën e fundit nëpër media dhe institucione po shfaqen opinione, dhe shqetësime të ndryshme rreth rihartimit të projekt ligjit për ndërtim.

Si eksperte shumëvjeçare u ngacmova dhe unë, madje u befasova për qasjen joserioze të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në këtë fushë. I tërë ky shqetësim më kujton periudhën e pasluftës kur u hartua draftligji i Planifikimit Hapësinor në rrethana të euforisë nga  fillestar të pa përvojë në fushën e Planifikimit Hapësinor. Në atë kohë si model u përvetësua ligji për planifikim hapësinor i Republikës së Kroacisë i cili mjerisht nuk u adaptua kushteve dhe rrethanave tona por mbeti i cunguar deri në nivelin e planeve rregulluese. 

Vërejtjet e dhëna nga ekspertët vendor u injoruan dhe ligji u miratua në shpejtësi pa interpretim të veçantë profesional. Përkundër amendamentimeve të vazhduara ky ligj madje mbeti i pashoqëruar me ligjin për tokën ndërtimore që paraqet ligjin bazik për implementim të planeve. Hapësira filloi të planifikohet duke u përpjekur që të respektohen kornizat ligjore, por që shpesh mbetenin të pazbërthyera  dhe enigmatike nga planifikuesit. Madje kishte të atillë që mësoheshin me hapësirat tona sepse ligji i tenderimit i favorizonte çmimet më të ulëta. 

Kështu një numër i konsideruar i Planeve zhvillimore dhe i Planeve zhvillimore urbane në Kosovë, u punuan mekanikisht sa për të plotësuar aspektin ligjor ose u punuan duke i përvetësuar sekuencat nga planet e vjetra të ish Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës. Pra këto plane janë me vizione dhe orientime të paqarta me strategji zhvillimore që multiplikohen nëpër komuna në distanca fare të vogla dhe zhvillimet i orientojnë në dështim si rrjedhojë e joprofesionalizmit dhe joseriozitetit tonë.

Më tej zbërthimi i këtyre planeve në plane rregulluese të cilat në kohë të fundit me të drejtë janë pagëzuar si “akuarelle” (vizatime me ngjyra të ujit) nuk ofrojnë zgjidhje por vetëm sa i rëndojnë punët nëpër drejtorit e urbanizmit. Pra këto dokumente jetike përcaktojnë fatin e banorëve dhe si të tilla barten të miratuara nga këshilltarët e kuvendeve komunale si ligje nëpër duart e referentëve të drejtorive për urbanizëm, të cilët më tej në forma të ndryshme përpiqen që të zbërthejnë deri në lejet e ndërtimit si akte përfundimtare.

Në këtë fazë fillon apatia kur paraqitet trysnia për ndërtim, dhe drejtorët për urbanizëm nga “akuarellet” nuk kanë potencial profesional që të zbërthejnë në projekte urbanistike, nuk kanë as potencial juridik që të negociojnë me qytetarë dhe ndërtues dhe e tëra duhet të përqendrohet në zbatimin e planeve me mikrolokacione dhe me zgjidhje urbane formale qesharake vetëm për lokacione të ngushta (parcela të individit) që në hapësirë prodhojnë ngulfatje.

Në anën tjetër ndërtuesit (bizneset) nuk janë gjithherë të vullnetshëm të merren me negocime sepse druajnë nga zvogëlimi i përfitimit, madje shpesh injorojnë edhe pëlqimet e obligueshme nga fqinjët. Për gjithë këtë proces faktori kohë është në disproporcion në raport me rrethanat ekzistuese.

Sipas ligjit të Planifikimit hapësinor Planet rregulluese duhet të implementohen me negociata ose në raste të tjera komunat duhet të kenë buxhetin e konsiderueshëm që të blejnë prona nëse dëshirohet që të arrihen lagjet urbane dhe trajtimi i barabartë pronësor në mes të pronarëve. 

Meqenëse deri më tani në qarqet zyrtare nuk është diskutuar cilësia e ligjit, planeve, projekteve, ndërtimit dhe hapësirës ku po jetojmë, u obligova që të përshkruaj shkurtazi procesin e implementimit të planeve si synim kryesor të përshpejtimit të dhënies së lejeve. 

Pra para se t’i  qasej rihartimit të ligjit të ndërtimit është dashur të hulumtohet gjeneza e problemit, të rishqyrtohet efikasiteti i ligjit të planifikimit hapësinor dhe vëllimi i rezultateve në hapësirë sepse ligji i ndërtimit derivohet pikërisht nga ky ligj.

Projektligji i ri i ndërtimit mund të them që paraqet një qasje sipërfaqësore, joprofesionale me nene të padefinuara, me dukuri që nuk përkojnë me ambientin dhe rrethanat e Kosovës, madje neglizhohet territori i vogël i saj dhe shfrytëzimi racional si domosdoshmëri.

Në këtë ligj synimi përqendrohet në afate, taksa dhe stimulim të ndërtimit, madje edhe me kushtëzime. Në anën tjetër anashkalohen proceset e lartcekura, cilësia e ndërtimit, standardi urban mbrojtja e resurseve natyrore dhe kamuflohen dukurit jetike  për vendbanimet.

Përpjekja e centralizimit të kompetencave me synim të vjeljes së taksave nga komunat është shumë e qartë.

Synimi për funksionalizim, luftimi i korrupsionit dhe i anarkisë janë shprehje blefike, përderisa komunat vazhdojnë të sanksionohen. 

Çuditërisht në këtë funksionalizim nëse synohet në efikasitet, mungon fuqizimi i komunave përkatësisht i drejtorive për urbanizëm si shtylla jetike të komunave . Ato akoma kufizohen me numër të stafit dhe me nivelin e ulët të pagave të barabartë për të gjitha komunat pavarësisht nga vëllimi i punëve (inxhinieri 187€-307€ dhe drejtori 471€) . Në këto rrethana asnjë ekspert nuk do të shpreh interesin që të sakrifikohet me punë të përgjegjshme dhe në gjithë Kosovën është evidente problemi i stafit dhe i kushteve teknike për funksionalizimin e drejtorive.

Le të ilustrojë me një krahasim nga shteti i rajonit, Republika e Kroacis.

Në Koprivnicë – qytet me 30.000 banorë dhe kërkesa mjaftë të ulëta për ndërtim drejtoria e urbanizmit i numëron 16 punëtorë, Zagrebi si kryeqytet me 600.000 banorë disponon Departamentin e planifikimit me 137 punëtorë – ekspertë cilësorë, dhe Departamentin e lejeve që numëron 400 punëtorë – ekspertë cilësorë.

Prishtina kryeqytet me ~450.000 banorë në Drejtorinë për urbanizëm ndërtim dhe mbrojtje të mjedisit i numëron ~40 punëtorë që do të thotë se në start kemi ngecje të stafit nga 14-20 herë. 

Mbase ky krahasim i shkurtër mund të pasqyrojë rrethanat tona të punës  dhe mund të ndihmojë në zgjidhjen e problemeve rreth funksionalizimit të drejtorive për urbanizëm. 

Në mungesë të strategjisë së mirëfilltë të zhvillimit ekonomik të Kosovës, trajtimi i hapësirës vetëm në aspektin e ngushtë të zhvillimit ekonomik paraqet problem më vete aq më tepër kur ky privilegj i dedikohet vetëm një segmenti të ekonomisë, që në vargun e zhvillimit do të shkaktojë debalans dhe pakënaqësi tek ushtruesit e veprimtarive tjera përkatëse. 

Por akoma për tu brengosur është fakti që tani e trembëdhjetë (13) vite vazhdojmë të bëjmë lëvizje të verbra dhe joracionale duke konsideruar që hapësira jonë është e pafund. Çdo gjë po shndërrohet në numër dhe jo në sukses dhe jo në rregull dhe jo në jetë. Sërish  do të pyetemi se ku do të përfundojmë me hapësirën tonë dhe çfarë standardi do t’u ofrojmë qytetarëve tanë – jetë në kafaze të errëta plotë lagështirë dhe depresion. 

Si do të reflektohet kjo në shëndetin e popullatës, sa do të jetë rentabil përfitimi vetëm në fushën e ndërtimit nëse peshohet me humbjen që do të i kanoset buxhetit të shëndetësisë, shoqërisë dhe shtetit, me një sërë nvestimesh që do të duhet të bëhen për të përcjellur kaosin ilegal dhe kaosin legal urban. Do jemi sërish në sprova të reja të gëlltitjes së reformave dhe në fazat e reja eksperimentale kur do jetë vështirë që të përmirësohet resursi i pakthim-hapësira. 

Pra nga dukuritë e proceseve të lartëcekura duhet të analizohen thellësisht problemet dhe të evitohen pengesat në mënyrë që të ofrohen zgjidhje për efikasitet në respektimin e afateve dhe plotësimin e standardeve të tjera përcjellëse, sepse në fund  ky ligj si produkt i kushtëzimeve në rrethanat tona mund të prodhojë vetëm heshtje, refuzime, korrupsion dhe kaosin legal urban. 

Luljeta Çeku Sokoli, arkitekte/urbaniste, është ish-drejtoreshë e Departamentit për Urbanizëm në Komunën e Prishtinës.