Duhet të Ndërpritet Keqarsimimi i Nxënësve

Duke iu referuar protagonistit kryesor të përvojës shumë të hidhur të aparteidit, Nelson Mandela, i cili thotë se mjeti më i përshtatshëm për t’i zgjidhur problemet tona është arsimimi, obligimi moral që kam ndaj kontributit për të ndërtuar së bashku një shoqëri të ditur, të civilizuar, përgjegjëse ndaj publikes dhe publikut, më bëri që t’ua kushtoj disa rreshta vogëlushëve të cilët fillojnë mësimin në shkollat e republikës sonë.

Përderisa fillova të shkruaj këto rreshta, m’u kujtua një letër të cilën e pata postuar në profilin privat në Facebook, letër nga Presidenti Abraham Linkoln, i cili shpalli fundin e skllavërisë, drejtuar mësuesit të djalit të tij, më 1830. Letra përcillet me mesazhe të ndryshme se si mësuesi duhet ta ketë parasysh përgatitjen arsimore dhe morale të djalit të tij. Më bëri shumë përshtypja fjalia “Mësojeni, nëse mundeni, se 10 centë të fituar kanë më shumë vlerë se një dollar i gjetur… në shkollë, mësues, është shumë më e ndershme të dështosh sesa të mashtrosh”.

Sistemi arsimor në Kosovë lë shumë për të dëshiruar. Korrupsioni i sistemit i ka demotivuar mësuesit të cilët pajtohen me atë që ia thotë Presidenti Lincoln mësuesit të djalit të tij, porse korrupsioni sistemor ka krijuar pakënaqësi të mëdha që rezulton me humbjen e motivit për t’i shërbyer vendit të punës ndershëm e me zell.

Përderisa gjatë kohës nën pushtim, zelli, përgjegjësia, vullneti kanë qenë në nivel të pakrahasueshëm sesa tash, për shkak se atëbotë armiku ka qenë i identifikuar, i përbashkët dhe se kjo ka krijuar një frymë e cila mund t’i mishëronte tiparet e lartshënuara.

Tani, pas periudhës së çlirimit e këtej, gjendja e sistemit tonë arsimor është mjaft e rëndë. Mësuesit, duke u përballur me gjendje të rëndë ekonomike, të tensionuar psikikisht rreth padrejtësive – mungesës së vlerave të meritokracisë dhe ndëshkimit, nuk janë në gjendje që ta japin maksimumin në përgatitjen e gjeneratave të reja.

Ndërkaq nxënësit, duke e parë këtë atmosferë të zymtë brenda shkollave dhe klasave; duke e përjetuar padrejtësinë ku shoku i tij i klasës, veçse është, ta zëmë, djalë i një komandanti të luftës, përkundër që ky i pari është duke performuar mirë, ndihet i pamotivuar për të vazhduar përgatitjen arsimore me përkushtim dhe përgjegjësi. Ambienti të cilin e ofron sistemi ynë arsimor, veçanërisht i gjithë shteti ynë, ndikon që të dobëtit, ata të cilët gjejnë mënyra të shpejta, të ngjiten shkallëve të zinxhirit shoqëror më shpejt dhe më lehtë se nxënësit të cilët bëjnë çmos për të arritur shkallët e këtij zinxhiri me punë dhe përkushtim.

Përderisa nuk kemi reforma strukturore, kadrovike, përgjithësisht të thella në arsim, gjendja jo vetëm se nuk do të përmirësohet, por sistemi arsimor do të vazhdojë të prodhojë kuadro që e pengojnë përparimin e shoqërisë. Do të ketë zhgënjim që sjellë demotivim. Demotivimi do të lë hapësirë për prodhimin e këtyre kuadrove…dhe cikli do të vazhdojë rrugën e tij pa ndalur.

Sipas mendimit tim, më mirë është që të mos shkollohesh fare, sesa të shkollohesh keq. Mungesa e arsimmiit jo-dosmosdoshmërisht e shndërron atë person në një person pa vlerë. Ai person, një ditë mund të gjejë veten duke u angazhuar në një zanat i cili mund t’i ndihmojë që të jetojë një jetë të denjë. Rastet e tilla janë të panumërta rreth individëve, ta zëmë, të cilët i kanë dhënë njerëzimit mjete për të jetuar më lehtë, pa pasur pra një sfond të shkollimit të lartë.

Ndërkohë, personi i cili shkollohet keq, do të jetë barë për shoqërinë në periudhën afatgjatë. Vetëbesimi i personave të tillë është më i lartë dhe si rezultat edhe përkushtimi i tyre për të arritur te caku i presupozuar është më i pakompromis në mosrespektimin e normave shoqërore. Zakonisht këta kanë mundësi më të mëdha që të kenë qasje në rrjetin që e mirëmban këtë marrëdhënie.

U dëshiroj fëmijëve fillimin e vitit të ri shkollor. Me shpresë që sistemi i jonë arsimor do t’i thërrasë arsyes, dhe do të angazhohet për krijimin e një shoqërie më të përparuar, më të përgjegjshme, më patriotike kundrejt interesit publik.