Një Vit nga Shembja e Bllokut

 

U bë më shumë se një vit që skena politike opozitare arriti të ri -rreshtohej krahas shumë popujve perëndimor të cilët gëzojnë një nivel të hatashëm të emancipimit dhe demokratizimit shoqëror e institucional, duke bërë një tentim-evolucion të papritur, në mënyrë që të mund t’ua kthejë shpresën qytetarëve për ndryshim politik.

Pas zgjedhjeve të kaluara lokale, qytetarët e Kosovës filluan të kuptojnë që ndryshimet janë të mundshme dhe se duhet vazhduar me ndryshimet e nevojshme edhe në nivelin qendror, pas një periudhe të zymtë e cila u karaktarizua më një qeverisje ultra-personale dhe grupore, fill pas shpalljes së pavarësisë e këtej, qeverisje e cila nxiste veprime politike që stimulonin të keqën dhe dekurajonin të mirën.  Qeverisje e cila kishte synim ruajtjen e një rrethi vicioz tashmë të etabluar: pasurimin personal e klanor për të mbajtur pushtetin, pra e gjitha në dëm të interesit të përgjithshëm.
Partitë opozitare u bashkuan me synim ndërrimin e pushtetit e cila ishte e nevojshme për, së pari kthyer shpresën tek pjesa dërrmuese e popullit, dhe së dyti, për të filluar procesin e ҫlirimit nga kapja që ia kishte bërë PDK institucioneve shtetërore.

Autorët e librit “Pse kombet dështojnë”, Daron Acemoğlu dhe James Robinson, mundohen t’ua shpjegojnë lexuesve dhe studiuesve arsyet e dështimit apo suksesit të një kombi apo shteti.
Autorët potencojnë që njëra ndër shkaqet kryesore qëndron tek ajo nëse këto shoqëri apo kombe kanë arritur të krijojnë institucione legjitime gjithëpërfshirëse dhe nëse po, atëherë këto kombe kanë patur sukses, siҫ është rasti i Australisë, Amerikës – pas ҫlirimit nga Mbretëria e Bashkuar, apo kjo e dyta pas organizimit me sukses të Revolucionit Industrial, apo Franca e cila si rrjedhojë e efekteve pozitive të Revolucionit Industrial, krijoi mundësinë për të organizuar revolucionin tjetër historik – Revolucionin Francez.

Këto  periudha politike patën rëndësi kolosale sa i përket ilumunizmit të njerëzimit në drejtim të lirisë, barazisë dhe emancipimit politik.

Autorët më tej marrin shembuj nga më të ndryshmet duke pasqyruar rastet e kombeve apo shteteve të cilat, në mungesë të krijimit të institucioneve gjithëpërfshirëse, janë ngujuar në një rreth vicioz të dështimeve politike, revolucioneve të dështuara, diktaturave, skamjes, luftërave etj. Këto shtete kryesisht gjenden në Amerikën Latine, Afrikë, Azinë e mesme etj.

Krejt kjo si pasojë që qeveritë absolute kishin arritur që burimet t’i kanalizonin në atë mënyrë që përfitues të jenë vetëm klika në pushtet dhe grupet të cilat e mbështesin financiarisht atë pushtet, duke shkaktuar kështu mungesë të prespektivës ekonomiko-sociale për shumicën dërrmuese të qytetarëve të cilët nuk kishin mundësi të përfitonin nga ai pushtet.

Autorët, me fjalë të tjera, mundohen t’a qartësojnë arsyen se pse është i nevojshëm së pari hartimi i këtij libri, dhe së dyti që është domosdoshmëri për studiuesit e shkencave politike, sociologjisë si dhe anëtarët e partive politike, për t’a analizuar atë në mënyrë që të jenë të aftë t’i adresojnë shkaqet se si duhet të evitohet mundësia që një shtet/komb të dështoj.

Nëse e analizojmë situatën në Kosovë, nga prizmi i këtyre autorëve, atëherë mund të themi lirisht, me pak sajesa, se shoqëria kosovare është duke shkuar sigurt drejt humnerës.
Pushteti i tanishëm, e i cili është i njejtë për nga mendësia që prej shpalljes së pavarësisë, jo vetëm që ka humbur shpresat e njerëzve, por edhe ka motivuar veten edhe më shumë që vazhdimi i qeverisjes së saj është e domosdoshme për Kosovën!

Pasurimi personal e grupor krijon një rreth vicioz i cili pashmangshëm përjashton një pjesë të konsiderueshme të popullsisë të ketë qasje tek burimet shtetërore, gjë e cila përkthehet në tensione të vazhdueshme, humbje të prespektivës ekonomiko-sociale, cenimin e të drejtave demokratike të subjekteve të ndryshme shoqërore apo politike, duke mundësuar që tensioni të kulmoj deri në revolucion apo luftë potenciale civile.

Nuk është e mundur të ketë sukses një shtet, ashtu edhe siҫ theksojnë autorët, kur në atë shtet vetëm një pakicë politike përfiton, duke ia cenuar të drejtën shumicës së popullit që të ketë prespektivë ekonomike.

Përҫarja e Bllokut, e cila u shkaktua pak si pasojë e jo-seriozitetit të partisë më të madhe opozitare të atëhershme, LDK-së, pak si pasojë e deklaratave pompoze të liderit të atëhershëm të VV-së për kategoritë e “hajnave të superligës dhe ligës së parë”, pak për shkak të lidershipit tjetër opozitar, AAK-së, lidhur me kokëfortësinë për të ushtruar postin e kryeministrit, dhe pak nga PDK-ja e cila kërcënonte që nuk do t’a lëshonte pushtetin me mjete demokratike nëse nuk i ipet mundësia për të vazhduar qeverisjen – e ka sjellur Kosovën në një pikë ku ka pak shpresë që do të mund të bëhet më mirë në një të ardhme të afërt apo të mesme.

Vetëm ndërrimi i pushtetit ia kthen shpresën shtetit. Ndërrimi i pushtetit siguron që pushteti i deritanishëm të zhvendoset në opozitë, ku anëtarësisë së gjerë iu mundësohet të reflektojnë duke i shtyrë ata të ndërrmarrin reforma, duke nënkuptuar pastrimin e partisë nga elementët kriminal, si dhe opozitës së deri-djeshme e cila e merr pushtetin, i bëhet e qartë që vetëm nëse është më e suksesshme se pushteti i deri-djeshëm do të mund të gëzoj frytet e pushtetit, përndryshe do të ndëshkohet.
Dhe në fund, ndërrimi i pushtetit do të siguronte diversifikimin e mundësive për grupe të ndryshme shoqërore dhe politike ku do të mundësohej pashmangshëm një balancim i forcave, situatë e cila siguron stabilitet politik dhe ardhmëri më të mirë socio-ekonomike.

Derisa kjo nuk ndodhë, shteti i Kosovës do të vazhdojë t’i përmbushë të gjitha kriteret e autorëve të librit, e të qenurit pra, një shtet i cili sigurt është duke rrëshqitur në një të ardhme të zymtë e që patjetër do të pasohet me tensione e trazira shoqërore, ekonomike dhe politike.