Pretendimet e Gabueshme të Profesorëve të Fuqishëm

Në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” i cili ende ballafaqohet me borxhe të mëdha, degradim të vlerave dhe kritereve akademike e profesionale si dhe shkelje të vazhdueshme të normave ligjore dhe statutore si rezultat i keqmenaxhimit të mëparshëm dhe ndikimeve politike tashmë të njohura, ngjarjet e fundit të ndërlidhura me reformat e domosdoshme kanë nxitur debat dhe interesim në opinionin e gjerë.

Në vazhdën e veprimeve për stabilizimin e gjendjes së Universitetit dhe reformës në menaxhimin e buxhetit të ndarë për Universitetin, rektori Ramadan Zejnullahu, në konsultim me Këshillin Drejtues nxori një vendim i cili ndërpret pagat e rregullta për personelin akademik të rregullt të cilët në të njëjtën kohë gëzojnë funksione në institucione të ndryshme publike dhe që kanë zgjedhur pagën primare jashtë UP-së.

Si të tillë tashmë do të kompensohen në baza honorari gjatë semestrave të vitit akademik. Vendimi në opinionin publik u mirëprit pasi që ka për qëllim ngritjen e efikasitetit të vijueshmërisë në punë si dhe rritjen e kualitetit në mësimdhënie.

Për më tepër, vendimi u mbështet edhe për faktin se nga shkurtimet që pritet të bëhen në të ardhurat e personelit akademik, Universiteti arrin të kursejë një shumë prej afro 1 milion euro, shumë e cila do të ndihmonte shumë rimëkëmbjen financiare të UP-së dhe ngritjen e kapaciteteve universitare për hulumtim dhe zhvillim shkencor.

Duke ditur se në përbërjen e personelit akademik një numër i madh i profesorëve të rregullt ndër vite kanë bartur edhe pozita tjera në institucione  të ndryshme, vendimi në fjalë ka prekur dukshëm jo vetëm mandatarët në organe të larta publike, por gjithashtu edhe personelin e angazhuar në politikë dhe të sapoemëruar në postet ministrore.

Angazhimi i këtyre të fundit jo vetëm se mund të përbëjë konflikt interesi, por gjithashtu edhe natyra e punës që kërkohet në institucionet që drejtojnë pamundëson mbajtjen e normës së plotë të punës në Universitet.

Vendimi nr. 2/232 i nxjerrë më 10.11.2014 në pikën II parasheh se “personeli akademik i cili përcaktohet për marrëdhënie të rregullt pune me pagë primare në një institucion jashtë UP-së, nga Universiteti i Prishtinës do të kompensohet vetëm për orët e mbajtura gjatë periudhës semestrale, në cilësi të bashkëpunëtorit të jashtëm, por jo më shumë se fondi i orëve të honorarit të  përcaktuar sipas Rregullores në fuqi për të Ardhurat Personale të Personelit Akademik të UP-së”.

Ndërkaq me vendimin për ndryshim plotësim të vendimit nr. 2/232, të hyrë në fuqi me datë 26.11.2014, largohet termi “bashkëpunëtor i jashtëm”, duke mos ndërruar kështu statusin e rregullt të personelit akademik.

Reagimi i parë zyrtar ndaj këtij vendimi është bërë nga katër profesorë të rregullt të Fakultetit Juridik të cilët njëherësh ushtrojnë funksione të larta në institucionet publike, prof. dr. Enver Hasani, kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, prof. dr. Arsim Bajrami, ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Prof. Dr. Haki Demolli, ministër i Forcave të Sigurisë së Kosovës dhe Prof. Dr. Hajredin Kuçi, ministër i Drejtësisë.

Në ankesën e parashtruar ndër tjerash thuhet se “përcaktimi për pagë sekondare apo dytësore nuk nënkupton pagesën vetëm përgjatë periudhës semestrale duke pasur parasysh se [kanë] zgjedhje të rregullt dhe nuk i takoj[n]ë kategorisë së personelit që angazhohet për periudhën e semestrave me honorar”, si dhe kontestohet mundësia për pezullimin e përkohshëm nga detyrat dhe të drejtat nga marrëdhënia e punës në UP siç parashihet në Pikën III, sepse ““nuk bëhet fjalë për pezullim pasi që mësimin e [kanë] mbajtur me rregull dhe në vazhdimësi”.

Profesorët gjithashtu konsiderojnë se vendimi përbën shkelje dhe cenim të lirive dhe të drejtave të garantuara me Kushtetutë dhe është në kundërshtim me infrastrukturën ligjore.

Nga kompetenca që bart me nenin 28 me Statutin e UP-së, Rektori i Universitetit të Prishtinës ka përgjegjësi që ndër tjerash të nivelizojë, […] nivelizojë, […] suspendojë dhe të përcaktojë kushtet e punës për personel në pajtim me rregulloret e nxjerra nga Këshilli Drejtues dhe Senati.

Kjo përgjegjësi e përcaktuar me statut i garanton të drejtën që konform rregulloreve në fuqi për UP-në të nxjerrë vendime që prekin edhe kushtet e punës për personelin, varësisht nga nevoja dhe për të mbrojtur interesin e përgjithshëm të Universitetit.

Neni 3 i Rregullores 1/104 për të ardhurat personale të personelit akademik e nxjerrë nga Këshilli Drejtues i UP-së më 9.6.2014 qartazi parasheh se me personelin akademik në marrëdhënie të rregullt pune në Universitetin e Prishtinës lidhet kontratë pune me normë të plotë, me gjysmë normë dhe me honorar.

Thënë këtë, vendimi që profesorët të paguhen në baza semestrale për orët e mbajtura me honorar si pagë dytësore është brenda kufijve të Rregullores së nxjerrë nga Këshilli Drejtues, si organi kryesor qeverisës i Universitetit të Prishtinës, rregullore kjo që shfuqizon të gjitha rregulloret paraprake për të ardhurat e personelit në UP. Për më tepër, duke pasur parasysh vendimin që eliminon termin “bashkëpunëtor i jashtëm”, Rektorati nuk thërret për ndërrim statusi të personelit të rregullt dhe nuk bie ndesh me vendimin e Senatit për zgjedhje në thirrjen profesor i rregullt të çdo profesori që gëzon këtë titull.

Vendimi i cili në pikën III parasheh se “në rast të pezullimit të të drejtave dhe detyrave nga marrëdhënia e punës kur zgjidhet apo emërohet në funksione publike”, nuk merret me vijueshmërinë e deritanishme mësimore të  profesorëve, apo të cilitdo profesor tjetër, por në fakt rithekson bazën juridike për mundësinë e pezullimit të marrëdhënies së rregullt siç parashihet me nenin 41 të Ligjit të Punës.

Kjo pikë krijon hapësirë që gjatë vitit të ri akademik, me mbikëqyrje të rregullt dhe strikte për vijueshmërinë dhe mbajtjen e orëve mësimore dhe akademike, në rast të pamundësisë së mbajtjes së orëve brenda normës me honorar prej 5 orëve në javë për shkak të angazhimeve në punën primare.
Në lidhje me këtë duhet shtuar se edhe kontratat e punës të lidhura mes Universitetit dhe profesorëve të rregullt të cilat kanë kohë të pacaktuar siç parashihet me Statut, u nënshtrohen normave të aplikueshme për ndryshimin dhe pezullimin e kontratave në rast të ndryshimit të rrethanave në të cilat është lidhur kontrata, ashtu siç parashihet me ligj.

Në rrethanat e përmendura juridike, pretendimi që vendimi i Rektorit cenon parime të garantuara kushtetuese dhe kundërshton ligjin, është i gabueshëm. Kjo për arsye se ky vendim nuk cenon të drejtën mbi lirinë e artit dhe shkencës pasi që nuk thërret për marrjen e titullit akademik të profesorëve dhe nuk mohon pozitën e personelit të rregullt akademik. Për më tepër ai nuk cenon të drejtën e ushtrimit të profesionit, sepse profesorët vazhdojnë të mbesin personel i rregullt akademik me të drejta të plota për mbajtjen e orëve mësimore dhe akademike brenda normës së lejuar me honorar.