Aleancat e Panatyrshme dhe Shifrat e Pamjaftueshme

Opozita ka lëvizur mençurisht drejt formulimit të kërkesave ndaj pushtetit. Duke lënë anash thirrjet për rrëzim të tërësishëm të pushtetarëve aktualë, tashmë kërkesat po drejtohen në emra të përveçëm.

Opozita shënoi një sukses të madh në protestat e 24 dhe 27 janarit kur rrëzoi ministrin serb Aleksandar Jabllanoviq.

Por, a do të mund të korrë sukses aleanca e re opozitare për kërkesat e saj për ta rrëzuar Hajredin Kuçin, ministrin e fuqishëm të PDK-së që e udhëheq Ministrinë e Drejtësisë, Enver Hasanin që udhëheq Kushtetuesen, menaxhmentin gjithashtu të fuqishëm të RTK-së dhe të ndikojë që kompania turke KEDS të jetë më miqësore me qytetarët e Kosovës?

Suksesi do të jetë më i zorshëm.

Vështirë ngadhnjehet në një kërkesë që në thelb prek torten e pushtetit të PDK-së, e cila tashmë ironikisht llogarit se është sakrifikuar mjaft kur e gjendur në prag të rënies nga pushteti i dha mjaft partnerit të saj LDK-së në ndarjen e hises qeveritare.

Bashkimi i tyre ishte i panatyrshëm. Pakkush kishte besuar se Isa Mustafa që luftoi deklarativisht ShIK-un gjatë fushatës zgjedhore, do të përpiqej të mbijetojë në politikë duke kërkuar ndihmën e Hashim Thaçit, politikanit më të fuqishëm në vend, rrëzimin e të cilit e kërkojnë të gjithë deklarativisht, madje edhe eksponentë të partisë me të cilën po bashkëqeveris tash e sa muaj (LDK).

Por aq sa është jo i natyrshëm bashkimi i tyre, po aq është edhe bashkimi i treshes opozitare- “Vetëvendosje”, AAK, Nisma që po e kërkon largimin e binomit politik PDK- LDK edhe nëpërmjet rrugës.

Jakup Krasniqi tash po e mbështetë opozitën dhe doli në protestën e udhëhequr nga “Vetëvendosje”.

Kur ai ishte pjesë e PDK-së dhe drejtonte parlamentin, kishte mbrojtur mikrofonin me tërë forcën e tij fizike.

Dhe nga kush e mbronte? Pikërisht nga Albin Kurti.

Jo vetëm me Krasniqin, por Kurti kishte raporte armiqësore deri në skajshmëri me dy përkrahësit e tij të tashëm, Ramush Haradinajn dhe Fatmir Limajn.

AAK-në e kishte quajtur “parti e haraçit”, ndërsa për Limajn kishte shprehur habi se si në Kosovë ngritja e aktakuzës nuk e dëmton politikanin, por ndodh që ai të formojë parti të tij politike.

Dhe grupimi i tyre në një aleancë të bashkuar kundër së keqes apo siç e quajnë “çkapjes së shtetit” nga PDK-ja e sateliti i saj LDK-ja, vështirë se mund të rezultojë në suksese opozitare.

Kjo për faktin se grupimi i tyre ngre shumë pyetje.

A e ka më lehtë PDK-ja që duke u thirrur në të kaluarën e anëtarëve të grupimit opozitar të rezistojë dhe të mos plotësojë asnjë kërkesë të tyre?

Dhe a po ndikon në zvogëlimin e numrit të protestuesve një grupim i tillë i panatyrshëm?

Krahasuar me protestën e fundit të mbajtur më 27 janar të këtij viti, numri i protestuesve sot ishte shumë më i vogël. “Vetëvendosje” raportonte atëherë për rreth 30 mijë pjesëmarrës, ndërsa sot raportoi për 20 mijë protestues. Ndërsa Policia atëherë raportonte për rreth 7 mijë pjesëmarrës ndërsa sot raportoi për vetëm 2 mijë e 500 veta.

Edhe nëse numri real nxirret nga mesatarja e shifrave të raportuara nga të dy palët, nuk do t’i përgjigjej kauzës së opozitës, e cila në mungesë të numrave në Kuvend, po kërkon numra në shesh.

E mira e protestës së sotshme është që nuk pati dhunë dhe të lënduar nga asnjëra palë, policia apo protestuesit.